Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Evropian është ende duke vlerësuar nëse Serbia i plotëson kushtet për “pagesa sipas instrumenteve financiare të BE-së”.
“Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi. Nga ligjet që minojnë pavarësinë e gjyqësorit deri te shtypja e protestuesve dhe ndërhyrjet e përsëritura në median e pavarur”, tha ajo për portalin Politico me seli në Bruksel.
Portali shkruan se Serbia përballet me mundësinë e humbjes së deri në 1.5 miliardë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian dhe se Komisioni Evropian po shqyrton ndërprerjen e tyre për shkak të regresit demokratik dhe lidhjeve të ngushta të vendit me Rusinë.
Ata kujtojnë se Serbia nuk është anëtare e BE-së, por që kur filloi negociatat e pranimit në vitin 2014, ajo ka të drejtë për fonde dhe grante për ta ndihmuar të zbatojë reformat ligjore.
Në javët e fundit, brenda KE-së ka pasur një iniciativë për të mbajtur ato para, thanë për Politiko katër zyrtarë të BE-së që punojnë me vendet në procesin e zgjerimit, emrat e të cilëve nuk u bënë publikë.
Ata gjithashtu deklarojnë se Danijel Apostoloviq, ambasadori i Serbisë në BE dhe kryenegociatori për anëtarësim, tha se është i bindur se nuk do të ketë pezullim të financimit, se Serbia nuk po heq dorë nga përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian.
Ndryshime të diskutueshme në ligjet gjyqësore
Portali kujton se BE-ja ka kritikuar publikisht reformat ligjore të nxitura nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Kur u miratuan ndryshimet kontroverse në ligjet e gjyqësorit në janar, Kos paralajmëroi se kjo përfaqësonte “një hap serioz prapa, sepse këto ndryshime u miratuan në një mënyrë shumë të shpejtë dhe jo transparente”.
Brukseli e quajti atë “një votë për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit”.
Komisioni i Venedikut, organi këshillimor ligjor i Këshillit të Evropës, pritet të lëshojë një mendim eksperti mbi këto ndryshime ligjore në fund të prillit.
Ky mendim mund të jetë një nxitje për Komisionin Evropian që të ngrijë fondet për Serbinë, thanë dy zyrtarë të BE-së për Politiko.
Ata gjithashtu theksojnë se Kos tha se do të kërkonte që Serbia të harmonizojë ligjet e saj ligjore me rekomandimet e Komisionit të Venedikut.
Politko raporton gjithashtu deklaratën e Apostoloviçit se Beogradi ka deklaruar qartë se do t’i ndjekë rekomandimet e Komisionit të Venedikut sapo ato të mbërrijnë.
Shqetësime edhe për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Moskës
BE-ja i ka ndarë më shumë se 586 milionë euro në grante të pakthyeshme Serbisë nga viti 2021 deri në vitin 2024, me 1.5 miliardë euro shtesë të kushtëzuara nga reformat.
Sipas qeverisë serbe, vendi ka marrë më shumë se 70 miliardë euro në fonde dhe investime nga BE që nga viti 2000, raporton Politiko, duke shtuar se Serbia “ka ecur prej kohësh në një litar të tendosur në marrëdhëniet e saj me BE-në, duke mbajtur lidhje më të ngushta me Moskën në të njëjtën kohë me marrjen e parave nga Brukseli”.
“Si vend kandidat, ne gjithashtu presim që Serbia të qëndrojë me ne në politikën e jashtme dhe të përafrohet më ngushtë me qëndrimet tona”, i tha Kos portalit pa përmendur në mënyrë të qartë Rusinë.
Politiko shton se Vuçiq, i cili mbajti lidhje të ngushta me Moskën gjatë gjithë luftës me Ukrainën, u ankua për ritmin e ngadaltë të negociatave të anëtarësimit në BE.
“Durimi i BE-së me Beogradin është shteruar në muajt e fundit, me një raport kritik mbi procesin e zgjerimit të vendit në nëntor që paralajmëronte për kthim prapa dhe narrativa anti-BE në ‘nivelin më të lartë’ të politikës serbe”, shkruan portali.
Tensionet u ndezën më tej në dhjetor kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq mungoi në samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Portali shton se në mars, Serbia ishte cak i kritikave për shkak të raportimeve për dhunë dhe parregullsi gjatë zgjedhjeve lokale në dhjetë komuna, së bashku me një bastisje policore në Rektoratin e Universitetit të Beogradit kur shpërthyen përleshjet midis protestuesve dhe policisë.
Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian në fund të vitit 2023, me qëllim forcimin e procesit të afrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe forcimin e reformave dhe bashkëpunimit rajonal.
Për shkak të detyrimeve të paplotësuara të përcaktuara në atë plan, Serbia ka marrë tashmë rreth 50 milionë euro më pak.
Për katër vjet, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në negociatat e anëtarësimit.

Nga Irani te Rusia, qeveritë po e shndërrojnë internetin në mjet kontrolli
Veturat e përdorura gjatë sulmit në Banjskë çojnë te një varg tenderësh të dyshimtë në Serbi
Shqiptarët në fokus të Kongresit amerikan, vizitë me peshë politike në Ballkan
Tageblatt: Lajme të këqija për Vuçiqin, tashmë sundimtarin absolut të Serbisë
Autoritetet ukrainase akuzojnë serbin e Bosnjës për krime lufte
Serbia gjithnjë e më pranë Kinës – Vuçiq dekorohet nga Xi Jinping për mbështetjen ndaj interesave thelbësore të Pekinit