Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • Siguri

AKTAKUZA E PLOTË: Fatmir Sheholli zbatoi planin e përgatitur nga zyrtari i BIA-s me synim dëmtimin e interesave të Kosovës

The Geopost August 26, 2026 6 min read
Share the news

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit, për bashkëpunim në vazhdimësi me Shërbimin Informativ të Serbisë, BIA.

Sipas aktakuzës që ka siguruar The GeoPost, Sheholli dyshohet se ka pranuar materiale komprometuese dhe para në Mitrovicën e Veriut, të cilat më pas, sipas Prokurorisë, ishin destinuar të publikoheshin në prag të zgjedhjeve lokale me qëllim ndikimin në procesin politik në Kosovë.

Aktakuza, e datës 24 gusht 2026, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special. Dokumenti prej 79 faqesh e ngarkon Shehollin me dy vepra penale, spiunazh në vazhdimësi dhe shantazh në vazhdimësi.

Prokuroria thotë se veprimet e tij kanë qenë pjesë e një bashkëpunimi të koordinuar me persona të lidhur me shërbimin inteligjent serb, ndërsa në rastin e dytë se ka ushtruar presion ndaj një biznesmeni për përfitim financiar.

Sipas Prokurorisë Speciale, rasti i spiunazhit lidhet me kontaktet e Shehollit me Bojan Dimiçin, të cilin aktakuza e identifikon si drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në kuadër të BIA-s serbe.

Aktakuza thotë se Sheholli, nga një periudhë e pacaktuar deri më 9 tetor 2025, kishte mbledhur, siguruar dhe përcjellë të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Plani lidhur me zgjedhjet lokale

Një nga pjesët qendrore të aktakuzës lidhet me një plan operativ që, sipas Prokurorisë, ishte përgatitur nga zyrtari i BIA-s dhe synonte dëmtimin e interesave të Kosovës dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor lokal të 12 tetorit 2025.

Sipas dokumentit, më 26 shtator 2025 Sheholli kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut me një anëtar të familjes së tij.

“Ai kishte pranuar nga një person i paidentifikuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat”, sipas aktakuzës, synonin komprometimin e tyre.

Në të njëjtin takim, sipas Prokurorisë, Sheholli kishte pranuar edhe 5 mijë euro si shpërblim për kryerjen e kësaj detyre.

Më pas, sipas aktakuzës, materialet dhe një pjesë e parave i ishin dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, me udhëzime për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”, vetëm disa ditë para zgjedhjeve lokale.

Prokuroria pretendon se për këtë qëllim Zekës i ishin dhënë 1 mijë euro.

Sipas aktakuzës, publikimi i këtyre materialeve synonte diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të Kosovës, thellimin e përçarjeve shoqërore dhe krijimin e mundësisë për ndërhyrje të një shërbimi të huaj informativ në procesin zgjedhor.

Kamerat, lokacioni i telefonit dhe komunikimet

Prokuroria thotë se pretendimet e saj mbështeten në një sërë provash të siguruara gjatë hetimit, përfshirë masat e veçanta hetimore, përgjimet, pamjet e kamerave të sigurisë, të dhënat e telefonisë dhe ekzaminimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara.

Në aktakuzë thuhet se pamjet e kamerave dhe të dhënat e monitorimit kanë dokumentuar lëvizjet e të pandehurit në Mitrovicën e Veriut.

Sipas Prokurorisë, telefoni i Shehollit më 26 shtator 2025 kishte gjeneruar lokacion në zonën e parkingut të ETC-së në Mitrovicë, ndërsa pas pranimit të materialeve ishte regjistruar një komunikim me Milaim Zekën.

Në dosje përmenden gjithsej 69 mesazhe që, sipas aktakuzës, kishin nisur menjëherë pas pranimit të dokumenteve.

Prokuroria shpjegon gjithashtu se materialeve të pranuara u referohej me kode të ndryshme, përfshirë fjalët “turshi” dhe “kumbulla”. Në një komunikim të transkriptuar me Zekën, sipas aktakuzës, Sheholli kishte kërkuar takim duke thënë se “kanë ardhur ato sendet”.

Kontaktet me Bojan Dimiçin

Një pjesë e rëndësishme e aktakuzës lidhet me komunikimet e pretenduara mes Shehollit dhe Bojan Dimiçit.

Sipas Prokurorisë, nga ekzaminimi i telefonit të sekuestruar janë gjetur komunikime në Viber, WhatsApp, Skype dhe platforma të tjera.

Aktakuza pretendon se numri i Dimiçit ishte ruajtur në telefon me emra të ndryshëm, përfshirë “Gizi”, “Gazetari” dhe emra të tjerë, ndërsa Prokuroria e interpreton këtë si përpjekje për fshehjen e identitetit të personit me të cilin komunikonte Sheholli.

Në përfundimet e saj, Prokuroria pretendon se tërësia e komunikimeve, takimeve, dokumenteve dhe materialeve të sekuestruara dëshmon për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të koordinuar me persona të lidhur me BIA-n, veçanërisht me Dimiçin.

Megjithatë, vetë Sheholli, sipas pjesës së aktakuzës që pasqyron deklaratat e tij para Prokurorisë, ka mohuar se ka vepruar kundër interesave të Kosovës ose se ka punuar për BIA-n. Dokumenti thotë se ai ka pranuar kontaktet dhe disa veprime që janë objekt i hetimit, por ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për spiunazh.

Materialet për Nenad Rashiqin

Rasti lidhet drejtpërdrejt me materiale që, sipas aktakuzës, kishin të bënin me ish-ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe bashkëpunëtorët e tij.

Prokuroria pretendon se materialet ishin siguruar me qëllim komprometimin e Rashiqit dhe zyrtarëve të kabinetit të tij.

Në dokument përmenden deklaratat e Rashiqit dhe dëshmitarëve të tjerë, si dhe pretendime për kontakte dhe presione ndaj bashkëpunëtorëve të tij nga persona që ishin prezantuar si zyrtarë të BIA-s.

Çfarë thotë aktakuza për Milaim Zekën?

Gazetari Milaim Zeka përmendet në aktakuzë në lidhje me pranimin dhe publikimin e materialeve.

Sipas dokumentit, Prokuroria pretendon se Sheholli ia kishte dorëzuar materialet Zekës për publikim, bashkë me 1 mijë euro.

Aktakuza e paraqet Zekën në listën e dëshmitarëve dhe përmban deklarata e komunikime që lidhen me takimet dhe materialet e përmendura.

Vetë fakti që emri i një personi përmendet në aktakuzë ose se ai është dëshmitar nuk nënkupton përgjegjësi penale për atë person; përgjegjësia penale është objekt i procedurës ndaj të pandehurit dhe vlerësimit të provave nga gjykata.

Akuza e dytë: Shantazhi ndaj një biznesmeni

Përveç spiunazhit, Prokuroria e ngarkon Shehollin edhe me veprën penale të shantazhit në vazhdimësi.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, përfshirë edhe një pjesë të periudhës kur ndodhej në paraburgim, Sheholli dyshohet se ka shantazhuar biznesmenin Arben Jetullahu me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm financiar.

Prokuroria thekson se atij i janë kërkuar para, të paraqitura si hua, ndërsa në rast të mosdhënies së tyre ishte kërcënuar me publikimin e video-incizimeve dhe informacioneve që, sipas aktakuzës, mund t’i dëmtonin nderin, reputacionin dhe autoritetin.

Sipas Prokurorisë, shuma e përgjithshme e përfitimit të kërkuar tejkalon 13 mijë euro. Në aktakuzë thuhet se edhe gjatë paraburgimit dyshohet se janë dërguar mesazhe kërcënuese përmes familjarëve, përfshirë kërkesën për pagesë mujore prej 700 eurosh.

Prokuroria pretendon se, si pasojë e frikës nga publikimi i materialeve, një shumë prej 500 eurosh i ishte dorëzuar një familjari të të pandehurit.

Në fund të aktakuzës, Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës vazhdimin e paraburgimit ndaj Shehollit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.

Po ashtu, është kërkuar konfiskimi i sendeve dhe pasurisë së sekuestruar, përfshirë 3,185 euro, për të cilat Prokuroria pretendon se lidhen me veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit.

Dokumenti përmend gjithashtu një hetim financiar, në kuadër të të cilit, sipas Prokurorisë, janë identifikuar transaksione monetare të konsideruara të dyshimta.

The GeoPost

Tags: AKI BIA Fatmir Sheholli Kosova Prokuroria Speciale e Kosovës Serbia Spiunazh

Continue Reading

Previous: Kroacia paralajmëron aleatët perëndimorë, Jandrokoviq: Serbia po armatoset edhe me armë sulmuese
Next: Wikoff: KFOR-i s’ka mandat për të përcaktuar nëse ura mbi Ibër hapet, vendimi u takon BE-së dhe Kosovës

Wikoff: KFOR-i s’ka mandat për të përcaktuar nëse ura mbi Ibër hapet, vendimi u takon BE-së dhe Kosovës 4 min read
  • Ballkan

Wikoff: KFOR-i s’ka mandat për të përcaktuar nëse ura mbi Ibër hapet, vendimi u takon BE-së dhe Kosovës

The Geopost August 26, 2026
Kroacia paralajmëron aleatët perëndimorë, Jandrokoviq: Serbia po armatoset edhe me armë sulmuese 2 min read
  • Ballkan
  • Siguri

Kroacia paralajmëron aleatët perëndimorë, Jandrokoviq: Serbia po armatoset edhe me armë sulmuese

The Geopost August 26, 2026
Palmer paralajmëron për ndikimin rus në Ballkan: Zvarritja e integrimit në BE dhe NATO e lë rajonin të cenueshëm 4 min read
  • Ballkan
  • Siguri

Palmer paralajmëron për ndikimin rus në Ballkan: Zvarritja e integrimit në BE dhe NATO e lë rajonin të cenueshëm

The Geopost August 25, 2026
Ngrihet aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh 2 min read
  • Ballkan
  • Siguri

Ngrihet aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh

The Geopost August 25, 2026
Margetiq: Aleksandar Vuçiq vrau civilë gjatë rrethimit të Sarajevës 2 min read
  • Ballkan

Margetiq: Aleksandar Vuçiq vrau civilë gjatë rrethimit të Sarajevës

The Geopost August 25, 2026
Zgjedhjet që trembin Vuçiqin: Premtime për votuesit, skenarë destabilizimi pas kutive të votimit 6 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Zgjedhjet që trembin Vuçiqin: Premtime për votuesit, skenarë destabilizimi pas kutive të votimit

The Geopost August 25, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.