David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se, kur bëhet fjalë për incidentin në Banjskë, paratë janë e vetmja gjuhë që Beogradi e kupton vërtet.
Sipas tij, udhëheqja e Serbisë nuk do ta ekstradojë Millan Radoiçiqin dhe as nuk do ta marrë seriozisht përgjegjësinë, përveç nëse Brukseli i lidh qartë fondet e BE-së dhe progresin e anëtarësimit me hapa konkretë në këtë çështje.
“Kjo nuk do ta detyronte domosdoshmërisht [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq të bënte diçka, por do t’i krijonte Serbisë kosto materiale, nëse ai nuk do të vepronte”, thotë Kanin për REL.
Më 24 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Tolliqin për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.
Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023, dhe dhjetëra persona të tjerë të akuzuar nga autoritetet e Kosovës janë në arrati.
REL: Fillimisht, çfarë rëndësie ka vendimi për Banjskën në kontekstin më të gjerë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi?
David Kanin: Çdo gjë që lidhet me Banjskën ka shumë rëndësi. Ky incident veçohet në klimën e përgjithshme të mosbesimit mes dy vendeve, si dhe në mosmarrëveshjet e vazhdueshme për statusin e Kosovës. Ky është konteksti bazë.
Banjska ishte një incident i veçantë, i dhunshëm, i kryer me armë të ushtrisë serbe dhe i organizuar personalisht nga një figurë e rëndësishme e rrjeteve kriminale, e lidhur me ekonominë informale mes serbëve në pjesën veriore të Kosovës.
Ky incident ka vërtet shumë rëndësi, dhe po ashtu edhe ky vendim është i rëndësishëm.
REL: Pra, deri në çfarë mase e ndryshon ky rast dinamikën politike mes Prishtinës dhe Beogradit?
David Kanin: Nuk e ndryshon dinamikën mes dy palëve. Ajo është e bllokuar. Por, janë ndërkombëtarët ata që duhet t’i kushtojnë vëmendje këtij vendimi dhe faktit që Radoiçiq e ka pranuar se e ka kryer sulmin, e ka udhëhequr atë dhe nuk është përpjekur ta fshehë rolin dhe përfshirjen e tij… Ai, natyrisht, e mohon se bëhet fjalë për krim, sepse për të Kosova është Serbi.
Për mua, ndërkombëtarët duhet të ushtrojnë presion ndaj Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin tek autoritetet e Kosovës. Ky duhet të jetë kushti për çdo përparim në marrëdhëniet e Serbisë me BE-në.
REL: Çfarë tregon refuzimi i Serbisë për ta ekstraduar Radoiçiqin për qëndrimin e saj ndaj përgjegjësisë dhe sundimit të ligjit?
David Kanin: Përgjegjësia është në fakt një çështje që i takon Vuçiqit, bazës së tij dhe zgjedhësve të tij, jo ligjit ndërkombëtar apo ndonjë ligji tjetër.
Ai nuk mund ta dorëzojë Radoiçiqin, sepse nëse e bën këtë, do të përballej me probleme serioze nga krahu i tij nacionalist.
Sipas meje, roli i ndjenjave nacionaliste në Serbi – si një shtyllë e rëndësishme e mbështetjes për Vuçiqin – është nënvlerësuar dhe nuk është kuptuar sa duhet, në krahasim me vëmendjen e madhe që u është kushtuar studentëve dhe krahut civil të opozitës ndaj Vuçiqit.
E përsëris se evropianët duhet ta kushtëzojnë përparimin e mëtejshëm të Serbisë me dorëzimin e Radoiçiqit, për shkak të seriozitetit të incidentit në Banjskë, i cili, qartazi, ka përfshirë pajisje ushtarake serbe, nëse jo edhe personel ushtarak serb.
REL: Pra, duhet bërë më shumë presion mbi Serbinë…
David Kanin: Për këtë incident, po, për shkak të rëndësisë së tij. Pavarësisht nëse Vuçiq e ka ditur ose jo, ai mban përgjegjësi për atë që vjen nga territori i tij. Ai është president i Serbisë, dhe pajisje të ushtrisë serbe janë përdorur në këtë përpjekje për të bërë çfarëdo që ka qenë synimi – destabilizimi i zonës, marrja e kontrollit të saj, apo çfarëdo tjetër.
REL: Por, çfarë hapash konkretë duhet të ndërmarrin BE-ja, Shtetet e Bashkuara apo NATO-ja, duke qenë se të gjithë kanë bërë thirrje që Serbia t’i mbajë përgjegjës autorët?
David Kanin: Me një fjalë: paratë. Ato kanë rëndësi tani. Serbia merr shumë para nga BE-ja. Kohët e fundit, dukej sikur BE-ja mund të mbante një qëndrim më të ashpër ndaj financimit të Serbisë, por është tërhequr sërish – gjë që, sipas meje, ka qenë gabim.
Në lidhje me Banjskën, nëse BE-ja dëshiron të marrë ndonjë vëmendje nga Serbia, duhet t’i ndalë paratë. Kjo nuk do ta detyronte domosdoshmërisht Vuçiqin të bënte diçka, por do t’i krijonte Serbisë kosto materiale, nëse ai nuk do të vepronte.
REL: A ka diçka që SHBA-ja mund të bëjë gjithashtu?
David Kanin: SHBA-ja mungon. SHBA-ja, thjesht, mungon. Ajo është shumë e përfshirë në rrëmujën që kemi krijuar në Lindjen e Mesme. Dhe, shumë pak vëmendje do t’i kushtohet Ballkanit derisa lufta me Iranin vazhdon.
REL: Kosova e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me Serbinë me ekstradimin e Radoiçiqit. Sa realist është një kusht i tillë në negociata ndërkombëtare?
David Kanin: Nuk ka dialog aktualisht. Në këtë aspekt është realist, sepse nuk ka ndonjë kosto reale për këtë qëndrim. Nuk është se çështja e Radoiçiqit po e pengon ndonjë proces negociatash. Nuk ka negociata në zhvillim.
Pra, nuk ka kosto për [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti që e vendos këtë si kusht, sepse, sërish, kusht për çfarë? Nuk ka dialog.
REL: Nuk ka dialog sepse Kurti ka thënë se nuk do të ketë derisa nuk dorëzohet Radoiçiq…
David Kanin: Nuk ka dialog, sepse të dyja palët nuk pajtohen për çështjen kryesore, që është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo është pika qendrore. Gjithçka tjetër sillet rreth kësaj pike qendrore.
Çështja e Radoiçiqit është serioze, sepse incidenti në Banjskë ka qenë i dhunshëm dhe është veçuar si një përpjekje serioze për të destabilizuar situatën në veri të Kosovës.
Por, pavarësisht seriozitetit të incidentit, ai nuk ka një ndikim të madh në çështjen qendrore të dialogut, që është kërkesa e BE-së për krijimin e një organi që Kurti argumenton – dhe unë besoj me të drejtë – se do të shndërrohej në një strukturë nën ndikimin e Serbisë, dhe jo në një pjesë të integruar të sistemit politik të Kosovës.
REL: A mund ta ruajë BE-ja rolin e saj si ndërmjetëse e besueshme ndërsa raste të tilla të profilit të lartë mbeten të pazgjidhura?
David Kanin: Besueshmëria e BE-së është ulur ndjeshëm në shumë fronte, sinqerisht. Ajo varet kryesisht nga gatishmëria dhe aftësia e saj për ta bërë Malin e Zi anëtar të plotë deri në fund të vitit 2028, nëse ia del. Ky është, praktikisht, i vetmi zhvillim që ndikon realisht në besueshmërinë e BE-së, bashkë me çështjen e fondeve.
Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka qenë shumë i besueshëm pothuajse që nga fillimi. Problemet e tij datojnë para Kurtit. Kurti, thjesht, e njeh çështjen qendrore si të tillë dhe këmbëngul që ajo të mbetet në qendër të procesit.
REL: I kemi parë disa lëvizje në muajt e fundit. Përfaqësuesi i BE-së në dialog, Peter Sorensen, ka qenë në Kosovë, në Serbi, në Uashington… A mendoni se diçka po gatuhet?
David Kanin: Jo. Kemi vizita. Kemi pasur vizita edhe më herët dhe do të kemi sërish.
Por, për momentin, nuk shoh ndonjë lëvizje konkrete apo substanciale nga asnjëra palë – as nga evropianët, as nga amerikanët, që në fakt mungojnë, dhe as nga palët kryesore.
As Kosova dhe as Serbia nuk janë nën ndonjë presion real për të ndryshuar rrethanat në të cilat ndodhet kjo situatë e bllokuar diplomatike.
REL: T’i kthehemi edhe një herë rastit Banjska. Si mendoni se do të ndikojë vendimi i gjykatës në dinamikat e sigurisë, sidomos në veri të Kosovës?
David Kanin: Mund të ketë disa çështje lokale, ndoshta ndonjë reagim lokal. Nuk mendoj se do të ketë ndikim të madh, sepse këto vendime, në fakt, kanë qenë të pritshme nga të gjitha palët. Nuk shoh ndonjë problem të madh.
Po ashtu, personat e dënuar janë figura të vogla – nuk janë aktorët kryesorë, por individë më të ulët në hierarki. Ashpërsia e dënimeve do të marrë vëmendje për një kohë të shkurtër, mendoj.
Nuk e di nëse dikush do ta përdorë këtë si pretekst për të krijuar ndonjë provokim lokal në veri të Kosovës. Nuk mund të them nëse kjo do të ndodhë. Por, supozimi im është që çdo problem do të mbetet lokal dhe afatshkurtër. Sigurisht, mund të gaboj, gjithmonë ekziston mundësia e përshkallëzimit të dhunës. Megjithatë, mendoj se, në këtë moment, nuk është në interesin e askujt të provokojë një përshkallëzim të tillë.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për Banjskën, por vazhdon të jetojë i lirë në Serbi
Vendimi për Banjskën: Përhapje e orkestruar e dezinformatave nga Beogradi për procesin gjyqësor në Kosovë
Mijaçiq: Rasti i Banjskës shënon rënien e politikës së Vuçiqit në Kosovë, Lista Serbe e lidhur me politikën e Beogradit
Gjermania zgjat mandatin e KFOR-it në Kosovë: Stabiliteti i rëndësishëm edhe për ne
Lista Serbe vazhdon narrativën e Beogradit, pretendon se vendimi për Banjskën është “hakmarrje” ndaj serbëve
Serbia nën lupën e Komisionit të Venedikut për mangësitë në drejtësi