Gazetari i njohur hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka publikuar në rrjetet sociale akuza të rënda që lidhen me shkatërrimin e një vendi memorial në zonën e Prijedorit, në Bosnje dhe Hercegovinë, një lokalitet me rëndësi të veçantë historike, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore është kryer një krim masiv ndaj civilëve serbë.
Sipas Margetiqit, ngjarjet kanë ndodhur gjatë vitit 2023 në zonën e Bukova Kosës, konkretisht në fshatin Veliko Palançishte, ku banorët lokalë janë përballur me presione të paligjshme për t’i detyruar të shesin pronat e tyre.
Ai thekson se këto presione janë ushtruar nga persona të lidhur me biznesmenin serb Zvonko Veselinoviq, përmes kompanisë Drvoexport, e cila, sipas tij, ka hapur miniera qymyri të paligjshme në këtë territor.
“Aleksandar Vuçiq, që në vitin 2023, dërgoi mafien e tij, të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq, e cila me ndihmën e njeriut të besuar të Milorad Dodikut, një personi të quajtur Srdan Kljeçanin, i njohur si Rufi, përmes presioneve mafioze dhe kriminale, shantazheve dhe zhvatjeve klasike mafioze, i detyroi banorët e Prijedorit, konkretisht banorët e Bukova Kosës, të fshatit Veliko Palançishte, që tokën e tyre ta shesin te kompania e Kljeçaninit, Drvoexport. Kjo kompani, në këto lokacione, ka hapur dhe shfrytëzuar miniera plotësisht të paligjshme të qymyrit, nën kontrollin e Zvonko Veselinoviqit si i besuari i Vuçiqit.”
Në deklarimet e tij publike, Margetiq thekson se banorët e zonës, të cilët sipas tij janë të gjithë të përkatësisë etnike serbe, janë përballur me forma të ndryshme kërcënimesh dhe presionesh, përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, si dhe presione fizike, me synimin që ata të largoheshin nga tokat e tyre.
Sipas tij, shfrytëzimi i qymyrit në këtë zonë dyshohet se është përdorur për përfitime financiare të paligjshme dhe aktivitete të dyshuara për pastrim parash.
Një nga lokacionet që, sipas gazetarit kroat, është shkatërruar gjatë këtyre veprimeve është Jezerine, një vend me peshë të veçantë historike.
Në këtë lokalitet, në tetor të vitit 1942, forcat ustashe kanë vrarë 103 civilë serbë. Për nder të viktimave, banorët lokalë kishin vendosur një kryq përkujtimor, si simbol kujtese dhe respekti për civilët e vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më tej ai shton se gjatë gërmimeve për hapjen e minierës së qymyrit, ky vend memorial është shkatërruar me mjete të rënda ndërtimi, pavarësisht rëndësisë së tij historike, kulturore dhe simbolike për komunitetin lokal.
Margetiq thotë se shkatërrimi i këtij memoriali përbën jo vetëm një shkelje të rëndë morale, por edhe një cenim të trashëgimisë historike dhe të kujtesës kolektive.
Gazetari hulumtues i lidh këto veprime me struktura të fuqishme politike dhe ekonomike në Serbi dhe në Republikën Serbe, duke përmendur drejtpërdrejt presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe liderin e Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Sipas Margetiqit, këto struktura dyshohet se kanë krijuar një ambient të pandëshkueshmërisë, që ka mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme dhe shkatërrimin e vendeve me rëndësi historike.
The Geo Post

Çfarë po ndodh në fabrikën kineze në Serbi – Dëshmi të reja për abuzim të punëtorëve
Aleksiq: Me një front kundër regjimit të Vuçiqit
Janiq: SHBA-të pritet të paraqesin dokument për njohje të ndërsjellë Kosovë–Serbi
Pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe të përfshirë në shpërthimin në Ibër-Lepenc
FSK-ja do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën
Der Standard: Vuçiq synon ta vendosë drejtësinë serbe nën kontroll të drejtpërdrejtë politik