Një pretendim i publikuar nga gazeta serbe Večernje Novosti, sipas të cilit shqiptarët e Kosovës po përgatiten të organizojnë aktivitete kushtuar Betejës së Kosovës më 15 qershor në Gazimestan, ka nxitur reagime në Serbi dhe është shfrytëzuar për të promovuar nisma që Vidovdani të përfshihen në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s.
Në artikullin e saj, Novosti pretendon se aktiviteti i paralajmëruar nga Komuna e Obiliqit përfaqëson një përpjekje për “përvetësimin e trashëgimisë historike serbe”, ndërsa akademikë, historianë dhe ish-zyrtarë serbë e paraqesin këtë si argument shtesë për mbrojtjen ndërkombëtare të Vidovdanit si pjesë të identitetit kombëtar serb.
Gazeta shkruan se “sipas njoftimeve, eventi organizohet nga Komuna e Obiliqit, e drejtuar nga kryetari Halit Thaçi, dhe se data 15 qershor sipas kalendarit Julian përkon me 28 qershorin sipas kalendarit Gregorian”, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një aktivitet të lidhur drejtpërdrejt me simbolikën serbe të Vidovdanit.
Megjithatë, ky pretendim paraqitet pa prova konkrete dhe pa dokumente zyrtare që do të dëshmonin se institucionet e Kosovës apo organizatorët e aktivitetit synojnë të shënojnë ose të festojnë Betejën e Kosovës si pjesë të trashëgimisë historike serbe.
Pikërisht kjo ka ngritur dyshime se bëhet fjalë për një interpretim tendencioz, i cili synon të krijojë përshtypjen e një “kërcënimi” ndaj trashëgimisë serbe në Kosovë dhe të mobilizojë opinionin publik në Serbi rreth një teme me ngarkesë të lartë emocionale dhe politike.
Në mungesë të provave të verifikueshme për organizimin e një aktiviteti shqiptar kushtuar Betejës së Kosovës, pretendimi i publikuar nga Večernje Novosti, tregon se mediat serbe vazhdojnë të përhapin dezinformata në mënyrë periodike për të nxitur përçarje dhe nxitje të urrejtjes.

Pra, nuk ekzistojnë të dhëna apo ndonjë njoftim që tregojnë se institucionet e Kosovës apo shqiptarët po organizojnë manifestime për të festuar Betejën e Kosovës. Përkundrazi, interpretimi i kësaj beteje vazhdon të jetë objekt debatesh të shumta historike dhe akademike, ndërsa përdorimi i saj politik mbetet një nga elementet më të rëndësishme të nacionalizmit serb.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Syle Ukshini, më herët kishte thënë se miti i Betejës së Kosovës është shndërruar gjatë dy shekujve të fundit në një instrument politik për legjitimimin e pretendimeve territoriale serbe ndaj Kosovës.
Ukshini thekson se Beteja e Kosovës e vitit 1389 nuk ishte një përplasje ekskluzive midis serbëve dhe osmanëve, siç paraqitet shpesh në narrativën nacionaliste serbe. Sipas tij, në koalicionin e forcave të krishtera merrnin pjesë edhe hungarezë, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë, çka e bën problematik interpretimin e saj si simbol ekskluziv të identitetit serb.
“Beteja e Kosovës është shndërruar në ideologji ekspansioniste dhe për qëllime politike, ku është kombinuar synimi politik hegjemonist i shtetit me rrëfimin kishtar”, ka vlerësuar Ukshini.
Ai shton se problemi nuk qëndron te përkujtimi historik i një ngjarjeje mesjetare, por te mënyra se si ajo është instrumentalizuar politikisht.
“Vidovdani nuk festohet si një ngjarje kulturore apo historike, por shpesh shndërrohet në një manifestim me përmbajtje shoviniste, ku të tjerët përjashtohen dhe paraqiten si kundërshtarë historikë”, thotë ai.
Se Gazimestani vazhdon të jetë një hapësirë e ngarkuar politikisht e dëshmojnë edhe incidentet e viteve të fundit.
Më 28 qershor 2024, gjatë manifestimeve të Vidovdanit, një grup motoçiklistësh serbë që tentuan të hynin në Kosovë u përfshinë në incidente verbale dhe ofendime ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Gazetari serb nga Kosova, Radomir Dimiq, e konsideron mitin e Kosovës si një nga mekanizmat kryesorë përmes të cilëve nacionalizmi serb ka mbijetuar dhe është riprodhuar për dekada.
Sipas tij, ky mit u ndërtua me synimin për të ushqyer idenë e rivendosjes së një “perandorie serbe” dhe për të justifikuar politika ekspansioniste ndaj Kosovës.
“Miti i Kosovës është një mashtrim politik që përpiqet ta shndërrojë një territor real në një hapësirë metafizike. Shqiptarët e përjetojnë Kosovën si vendin ku jetojnë, ndërsa nacionalizmi serb vazhdon ta trajtojë atë si një projekt mistik dhe historik”, kishte deklaruar Dimiq.
Ai vlerëson se tubimet në Gazimestan dhe simbolika që i shoqëron ato përfaqësojnë vazhdimësi të ideologjisë së promovuar gjatë viteve të Slobodan Millosheviqit, veçanërisht pas fjalimit të tij të famshëm në Gazimestan më 28 qershor 1989, i cili konsiderohet nga shumë studiues si një nga momentet kyçe të mobilizimit nacionalist serb para shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ndërkohë, studimet bashkëkohore të historianëve perëndimorë kanë vënë në pikëpyetje shumë nga elementet themelore të narrativës tradicionale serbe mbi Betejën e Kosovës.
Historiani austriak Oliver Jens Schmitt, profesor në Universitetin e Vjenës dhe një nga studiuesit më të njohur të historisë së Ballkanit, argumenton se raportet mes serbëve dhe Perandorisë Osmane kanë qenë shumë më komplekse sesa paraqiten në mitologjinë kombëtare serbe.
Sipas Schmittit, dokumentet historike tregojnë se elitat serbe në periudha të caktuara bashkëpunuan ngushtë me oborrin osman, duke rrëzuar pretendimin se serbët ishin viktima e vetme e pushtimit osman, ndërsa popujt e tjerë të Ballkanit paraqiteshin si bashkëpunëtorë.
Këto gjetje akademike sfidojnë drejtpërdrejt narrativën që e paraqet Betejën e Kosovës si një konflikt të thjeshtë midis “serbëve të krishterë” dhe “osmanëve myslimanë”.
Historianët vlerësojnë se miti i Kosovës u ndërtua gradualisht gjatë shekujve dhe më pas u shndërrua në një instrument politik.
Humbja ushtarake u reinterpretua si “fitore morale”, ndërsa princi Lazar u ngrit në statusin e figurës së shenjtë.
Në shekullin XX, veçanërisht gjatë periudhës së Millosheviqit, kjo simbolikë u përdor për të justifikuar pretendimet politike të Serbisë ndaj Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, debati aktual rreth UNESCO-s dhe Vidovdanit shihet nga shumë si një çështje e trashëgimisë kulturore, por si vazhdim i përpjekjeve për ta përdorur historinë si instrument politik në raport me Kosovën.
Në këtë kontekst, pretendimet për aktivitete shqiptare kushtuar Betejës së Kosovës shihen më shumë si pjesë e një narrative mobilizuese të mediave nacionaliste serbe sesa si pasqyrim i një realiteti konkret në terren.
Për kritikët e kësaj qasjeje, problemi nuk qëndron te ruajtja e trashëgimisë kulturore, por te instrumentalizimi i historisë për qëllime politike dhe identitare në një rajon që vazhdon të mbetet i ngarkuar me pasojat e konflikteve të së kaluarës.
The GeoPost

“U.S. Army Center of Military History”, përkujton ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe dislokimin e KFOR-it në vitin 1999
Skandali në aeroportin e Malit të Zi – kriminelët dhe ish-policët serbë në të njëjtin mision
Prokurori i OKB-së: Mbi 2,000 të dyshuar për krime lufte ende të pahetuar në ish-Jugosllavi
Ish-sekretari Lord Robertson: Çlirimi i Kosovës një nga ditët më të lumtura të jetës sime
NATO-ja thotë se do ta zvogëlojë praninë në Kosovë, sheh përmirësim të situatës së sigurisë
Frymë lirie: 27 vjet nga çlirimi i Kosovës