Vetëm pak kohë pasi u kthyen në shtëpinë e tyre në Zveçan për herë të parë pas 28 vjetësh, familja Berisha është përballur me një incident të rëndë, i cili dyshohet të jetë shkaktuar nga zjarrvënia e qëllimshme.
Mbrëmjen e së dielës, një pjesë e shtëpisë së familjes u përfshi nga zjarri, duke shkaktuar dëme materiale. Rastin e bëri publik Zana Berisha përmes rrjeteve sociale, ku tha se zjarri nuk arriti të përhapej në të gjithë objektin, pasi familja ende nuk banon aty me kohë të plotë për shkak të punimeve të rinovimit.
“Mbrëmë, ata u përpoqën të na digjnin të gjithë shtëpinë. Për fat të mirë, një pjesë e madhe e shtëpisë u shpëtua. Kjo ndodhi sepse nuk jemi këtu 24 orë në ditë. Por kjo nuk do të thotë asgjë për ne si familje. Përkundrazi, vetëm sa na forcon bindjen se jemi në rrugën e duhur. Jemi të lirë, kemi mbështetjen e institucioneve të shtetit tonë dhe do të vazhdojmë”, ka shkruar ajo.
Pavarësisht incidentit, familja Berisha ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga synimi për t’u rikthyer përgjithmonë në shtëpinë e tyre, nga e cila u larguan me forcë gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998–1999. Punimet e restaurimit do të vazhdojnë, ndërsa familja shprehet e vendosur të jetojë sërish në pronën e saj.
Rikthimi i familjes ka tërhequr vëmendje të madhe publike përmes llogarisë së Zana Berishës në TikTok, “Zana e Zveçanit”, ku ajo dokumenton procesin e pastrimit dhe restaurimit të shtëpisë pas gati tri dekadash.
Përmes videove të saj, ajo ka ndarë sfidat dhe përkushtimin e familjes për të rikthyer në jetë pronën e tyre.
Rasti ka ngritur shqetësime për sigurinë e të kthyerve në veri të Kosovës dhe ka nxitur reagime që autoritetet kompetente ta trajtojnë incidentin me prioritet. Kërkohet një hetim i plotë për të zbardhur rrethanat e zjarrit, për të identifikuar autorët e mundshëm dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë.
Po ashtu, është kërkuar që institucioneve përgjegjëse t’i kushtohet vëmendje garantimit të sigurisë për familjen Berisha, në mënyrë që ajo të mund të jetojë e qetë në shtëpinë e saj.
E drejta e kthimit në pronën e ligjshme konsiderohet një e drejtë themelore dhe nuk duhet të cenohet përmes frikësimit apo dhunës.


Drecun, pa fakte, përsërit narrativat dezinformuese ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj
Gjenden mbetje mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar për varr masiv në Zubin Potok
Projekti i BE-së që lidh policinë me të rinjtë përmes videolojërave për t’i mbrojtur nga krimi dhe radikalizimi online
Stojkoviq: Propaganda e regjimit ka shndërruar Serbinë në një burg të madh, s’do të ketë liri pa largimin e Vuçiqit
Senatorët kërkojnë që SHBA-ja të rivendosë sanksione ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska
Vuçiq e etiketon drejtësinë si “terror” sa herë që hetohen krimet e luftës në Kosovë