Një dokumentar me titull “Këtë serbët nuk duan ta dëgjojnë: Mitet e rrëzuara të viteve ’90)”, ka ngjallur debat në rajon, pasi përmes deklaratave të politikanëve, intelektualëve dhe figurave publike nga vetë Serbia trajton pesë prej temave më të diskutueshme që lidhen me luftërat e ish-Jugosllavisë.
Autorët e dokumentarit theksojnë se nuk paraqesin akuza apo interpretime personale, por deklarata publike të personave që kanë qenë pjesë e jetës politike dhe shoqërore serbe, të cilat, sipas tyre, bien ndesh me narrativat dominuese që vazhdojnë të promovohen në opinionin publik.
Dokumentari nis me konstatimin se shpërbërja e Jugosllavisë nuk ishte vetëm një proces politik, por fillimi i luftërave, ideologjive dhe narrativave që vazhdojnë të ndikojnë edhe sot në politikë, media, arsim dhe kujtesën kolektive. Në këtë kontekst, autorët argumentojnë se përkrah narrativës zyrtare ekziston edhe një tjetër rrëfim, i ndërtuar mbi deklaratat e vetë zyrtarëve dhe intelektualëve serbë.
Tema e parë trajton rezultatet e luftërave të viteve 1991–1999.
Në dokumentar paraqiten deklarata të disa figurave publike serbe, të cilat pranojnë se Serbia i humbi të gjitha konfliktet e asaj periudhe. Përmendet tërheqja e ushtrisë nga Sllovenia, rënia e Republikës Serbe të Krajinës në Kroaci, mosrealizimi i objektivave politike në Bosnje e Hercegovinë dhe humbja e luftës në Kosovë.
Në dokumentar transmetohen deklarata ku thuhet se Serbia nuk fitoi asnjë luftë të viteve ’90 dhe se politika nacionaliste e asaj kohe përfundoi me pasoja të rënda për shtetin dhe shoqërinë serbe.
Tema e dytë i kushtohet Kosovës
Dokumentari vë në dukje se, pavarësisht qëndrimit zyrtar të Beogradit, Kosova që nga viti 2008 funksionon me institucionet e saj dhe jashtë kontrollit të Serbisë. Përmes deklaratave të dramaturges Biljana Srbljanoviq dhe figurave të tjera publike serbe argumentohet se lufta për Kosovën është humbur dhe se kjo duhet të pranohet si realitet politik.
Në dokumentar përfshihet edhe qëndrimi se udhëheqësit serbë duhet t’u thonë qytetarëve të vërtetën për statusin e Kosovës dhe të fokusohen në garantimin e të drejtave të qytetarëve, në vend të mbajtjes gjallë të narrativave të së kaluarës përmes gënjeshtrave.
Pjesa e tretë trajton statusin e Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Dokumentari rikujton se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja e Hercegovina është shtet i njohur ndërkombëtarisht me dy entitete dhe se Republika Srpska nuk ka të drejtë shkëputjeje.
Në këtë pjesë transmetohen deklarata të ekonomistit dhe analistit Ivan Videnoviq, i cili thotë se një shtet i pavarur serb në territorin e Bosnjës nuk mund të ekzistojë, duke argumentuar se Republika Srpska është produkt i spastrimit etnik dhe gjenocidit dhe se çdo përpjekje për shkëputje nuk ka bazë në realitetin ndërkombëtar.
Tema e katërt trajton masakrën e Srebrenicës dhe debatin për karakterizimin juridik të saj.
Dokumentari rikujton se gjykatat ndërkombëtare e kanë cilësuar Srebrenicën si gjenocid, ndërsa paraqet edhe deklarata të figurave politike serbe që e pranojnë këtë vlerësim.
Në dokumentar shfaqen qëndrime të Nenad Çanak dhe Çedomir Jovanoviq, të cilët theksojnë se përgjegjësia për gjenocidin nuk i takon popullit serb, por strukturave ushtarake dhe politike që kryen krimet.
Ata argumentojnë se faktet e përcaktuara nga gjykatat ndërkombëtare nuk mund të mohohen dhe se pranimi i tyre është i domosdoshëm për përballjen me të kaluarën.
Njëkohësisht dokumentari paraqet edhe deklarata të politikanëve që mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, duke e ilustruar kështu ndarjen që vazhdon të ekzistojë në shoqërinë serbe lidhur me këtë çështje.
Tema e pestë rikthehet te Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve i vitit 1986, dokument që konsiderohet se pati ndikim të madh në formësimin e politikës serbe në fund të viteve ’80 dhe gjatë viteve ’90.
Sipas dokumentarit, narrativa e viktimizimit dhe e rrezikimit të vazhdueshëm të serbëve u përdor për mobilizim politik dhe më pas për justifikimin e politikave që çuan në konfliktet e armatosura. Autorët shtrojnë pyetjen nëse këto narrativa vazhdojnë të ndikojnë edhe sot në jetën politike dhe shoqërore të Serbisë.
Në përfundim, dokumentari thekson se pesë temat e trajtuara nuk mbështeten në interpretime të autorëve, por në deklarata të njerëzve që kanë qenë pjesë e sistemit politik dhe shoqëror serb.
Autorët përmbyllin dokumentarin me pyetjen se pse, nëse edhe vetë pjesëmarrësit e asaj periudhe pranojnë fakte të caktuara për luftërat e viteve ’90, në opinionin publik vazhdojnë të mbijetojnë versione të ndryshme të historisë.
“Sepse e vërteta, sado e pakëndshme të jetë, ka një veçori – nuk zhduket. Ajo vetëm pret të thuhet”, thuhet në mesazhin përmbyllës të dokumentarit./TheGeoPost/

Avokati i Popullit në Serbi kërkon hetim ndaj përgjegjësve për posterët kundër shqiptarëve në Krushevc
Vuçiq jep miliona euro për të akuzuarin e Banjskës në ndërtimin e spitaleve, shtëpive dhe shkollave në Kosovë
Videnoviq: “Bota Serbe” është vazhdim i projektit të “Serbisë së Madhe” – pa shkëputje nga Rusia s’ka rrugë drejt BE-së
“Mos blini te shqiptarët”, Kandiqi fton studentët serbë të dalin në mbështetje të furrës së shqiptarit në Krushevc
Mal i Zi ndalon tre shtetas rusë, u gjetën pajisje të sofistikuara pa dokumentacion
Arrestimet e shqiptarëve nga Serbia, avokati Koci: Kujdes, po kontrollojnë edhe telefonat nëse ka ndonjë fotografi të UÇK-së