Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Lajme

Rutte: Sulmi rus pranë kufirit me Poloninë nuk do ta ndalë Perëndimin të mbështesë Ukrainën

The Geopost September 15, 2026 4 min read
Share the news

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se sulmi me dron i Rusisë ndaj një treni pasagjerësh pranë kufirit Ukrainë-Poloni nuk do t’i zmbrapsë mbështetësit perëndimorë të Kievit, duke e cilësuar atë si shenjë të dëshpërimit të Vladimir Putinit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se sulmi rus ndaj një treni pasagjerësh pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë nuk do ta dobësojë mbështetjen perëndimore për Kievin, shkruan The Guardian, transmeton The Geopost.

Sipas Rutte, sulmi tregon se presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të frikësojë Perëndimin dhe të dëmtojë unitetin e vendeve që mbështesin Ukrainën.

“Ai mendon se mund të na ndalojë së mbështeturi Ukrainën dhe se mund të minojë unitetin tonë. Ai e ka gabim. Përgjigjja jonë është të rrisim mbështetjen”, tha Rutte.

Sulmi ndodhi të dielën, kur një dron rus goditi një tren pasagjerësh pranë kufirit Ukrainë-Poloni, pak kohë pasi në atë zonë kishte kaluar një tren me diplomatë të nivelit të lartë dhe ish-udhëheqës evropianë.

Sipas Hekurudhave të Ukrainës, treni që transportonte ish-kryeministrin britanik Boris Johnson, si dhe ish-kryeministrin suedez Carl Bildt dhe disa këshilltarë evropianë të sigurisë, ishte nisur para kohe dhe mund të ketë qenë objektivi i dronit rus.

Një tren tjetër, në të cilin ndodhej ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, ishte ende në stacionin Yahodyn kur ndodhi sulmi. Hekurudhat ukrainase më vonë sqaruan se Petraeus ndodhej në një tren tjetër nga ai i Johnsonit.

“Synimi është të frikësohen dhe të përçahen evropianët”

Sulmi ka shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarë të lartë evropianë, të cilët e kanë interpretuar atë si një përpjekje të Moskës për të ushtruar presion mbi Evropën dhe për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha se qëllimi i sulmeve është “të frikësojnë evropianët, t’i dekurajojnë dhe, mbi të gjitha, t’i përçajnë”.

Edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, tha se sulmi ishte “qartësisht një mesazh për botën perëndimore”.

“Ne duhet të tregojmë se jemi aty për Ukrainën dhe se nuk frikësohemi, sepse përndryshe Rusia thjesht do të arrijë atë që dëshiron, që është nënshtrimi i Ukrainës”, tha Kallas.

BE-ja ka përsëritur ndërkohë mbështetjen për të drejtën e Ukrainës për t’u mbrojtur nga agresioni rus, duke iu referuar edhe vendimit të fundit për miratimin e një kësti prej 6.1 miliardë eurosh nga kredia prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Mbi 450 dronë dhe raketa në sulmet ruse

Sulmi ndaj trenit ishte pjesë e një vale të gjerë sulmesh ruse gjatë natës në të gjithë Ukrainën.

Më shumë se 450 dronë dhe raketa ruse u përdorën në sulme, të cilat lanë të paktën gjashtë persona të vrarë dhe më shumë se 40 të plagosur.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kishin interceptuar 405 dronë dhe katër raketa.

Veçanërisht rëndë u godit Ukraina perëndimore, një zonë që zakonisht konsiderohet më e qetë krahasuar me Kievin dhe zonat e frontit në lindje.

Sulmet shkaktuan gjithashtu alarme ajrore në Poloni, duke rritur shqetësimet për rrezikun e përhapjes së luftës përtej kufijve të Ukrainës.

Varshava paralajmëron për përshkallëzim

Kryeministri polak, Donald Tusk, paralajmëroi se intensifikimi i sulmeve ruse në Ukrainë gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm mund të prekë edhe territorin polak.

“Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë një periudhë e veprimeve shumë intensive nga pala ruse”, tha Tusk, duke shtuar se Polonia “nuk mund ta përjashtojë mundësinë që ky përshkallëzim të prekë edhe territorin tonë”.

Tusk tha se shërbimet polake të sigurisë dhe agjencitë e inteligjencës së vendeve aleate kishin paralajmëruar paraprakisht për mundësinë e një sulmi të tillë.

“Ne e dinim se plani rus do të përfshinte një përpjekje për të ndërprerë, paralizuar dhe ndoshta edhe shkatërruar pikat kufitare ukrainase”, tha ai.

Paralajmërimi i Varshavës vjen në një kohë kur NATO dhe vendet evropiane po përballen me një realitet të ri sigurie: sulmet ruse po afrohen gjithnjë e më shumë me territorin e aleancës, ndërsa infrastruktura kufitare dhe korridoret që lidhin Ukrainën me Evropën po marrin rëndësi të drejtpërdrejtë strategjike.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se ukrainasit po luftojnë çdo ditë për të parandaluar përhapjen e sulmeve ruse më tej në Evropë.

Në këtë kuadër, sulmi pranë kufirit polak shihet nga liderët evropianë jo vetëm si një episod i luftës në Ukrainë, por edhe si një sinjal për sigurinë e vetë Evropës.

Continue Reading

Previous: 12 vende evropiane i bëjnë thirrje BE-së të forcojë praninë në Arktik përballë Rusisë dhe Kinës
Next: Ministri polak: NATO do ta mposhtte Rusinë shpejt, Evropa ka epërsi të madhe ushtarake

Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq

The Geopost November 1, 2026
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin 3 min read
  • Lajme

Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin

The Geopost October 30, 2026
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë 1 min read
  • Lajme

Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë

The Geopost October 30, 2026
Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE 3 min read
  • Lajme

Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE

The Geopost October 30, 2026
Ekspertët serbë: Studentët marrin pushtetin, por jo një Serbi të shkëputur nga Rusia dhe Kina 6 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Ekspertët serbë: Studentët marrin pushtetin, por jo një Serbi të shkëputur nga Rusia dhe Kina

The Geopost October 30, 2026
Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi 5 min read
  • Botë
  • Lajme

Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi

The Geopost October 29, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.