Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza

Pamja mediatike e Serbisë, Shormaz: Kontroll politik dhe pluralizëm i rremë

The Geopost July 29, 2025 6 min read

Foto: Danas

Share the news

Tekst autorial nga Dragan Shormaz për The Geopost

Pamja mediatike në Serbi është komplekse, thellësisht e polarizuar dhe e karakterizuar nga probleme të shumta strukturore, politike dhe ekonomike. Në mungesë të qëndrueshmërisë së tregut për median dhe nën një kontroll politik të shtuar, standardet profesionale shpesh sakrifikohen për interesa komerciale, ndërsa mediat shndërrohen në mjete të thjeshta të financuesve dhe pronarëve të tyre. Në këto kushte, mediat karakterizohen nga një shkallë e lartë kontrolli politik, prani intensive e presioneve, censurës dhe autocensurës, erozion i standardeve profesionale dhe një dezorientim vlerash dhe anakronizëm.

Shkallë e lartë kontrolli politik

Reagjimi në pushtet ushtron ndikim të fuqishëm mbi mediat kryesore, veçanërisht ato me frekuencë kombëtare. RTS dhe RTV, si shërbime publike, shpesh kritikohen për raportim të njëanshëm dhe për mosrealizimin e rolit të tyre ligjor për të informuar qytetarët në mënyrë objektive dhe të paanshme.
Mediat private me mbulim të gjerë (Pink, Happy, Prva, Informer, Kurir, etj.) ndjekin një politikë redaksionale pro-regjim, të karakterizuar nga fushata të ashpra shpifjeje kundër kundërshtarëve politikë, por edhe nga fushata të forta kundër Perëndimit demokratik dhe vlerave demokratike në përgjithësi.
Në anën tjetër, mediat kyçe antiregjim janë tërësisht të nënshtruara ndaj interesave ekonomike dhe politike të pronarëve të tyre. Në këto rrethana, është e vështirë të flitet për pluralizëm real të mediave në praktikë. Edhe pse në formë ekziston një numër i madh mediash, pluralizmi i përmbajtjes është i kufizuar dhe raportimi është njëdimensional.
Mediat kritike (N1, Nova S, Danas, CINS, KRIK, BIRN) kanë ndikim të kufizuar dhe shpesh janë objekt i presioneve apo fushatave diskredituese. Kësaj shpesh i kontribuojnë edhe vetë me njëanshmërinë e tyre dhe politikat redaksionale të pabalancuara, gjë që nga aspekti profesional nuk i dallon shumë nga tabloidët pro-regjim.

Portalet online dhe rrjetet sociale po bëhen hapësira kryesore për debat më të lirë, por edhe ato janë të ndjeshme ndaj manipulimeve, dezinformatave dhe fushatave të orkestruara nga ushtri “bot-ësh”.

Presione, censurë dhe autocensurë

Gazetarët janë të ekspozuar ndaj presioneve politike, ekonomike dhe ligjore. Ka shumë raste të autocensurës, veçanërisht në mediat lokale që varen nga fondet e figurave lokale të afërta me regjimin. Regjimi përdor gjerësisht burimet shtetërore, si Telekomi, për të ushtruar kontroll financiar mbi media. Përveç kësaj, mediat që konsiderohen të papërshtatshme shpesh ndëshkohen me padi SLAPP (padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike), të cilat janë bërë pjesë e praktikës së përhapur për të luftuar gazetarët hulumtues dhe mediat kritike.
Kaos i kontrolluar mediatik në Serbi thellohet edhe më shumë nga struktura jotransparente e pronësisë dhe mënyrat e financimit. Struktura e pronësisë së shumë mediave fshihet pas pronarëve fiktivë të lidhur me regjimin, ndërsa fondet shtetërore (reklama, subvencione, konkurse) shpërndahen shpesh në mënyrë arbitrare dhe të paparim, duke favorizuar mediat pro-regjim. Bashkëfinancimi përmes konkurseve në nivel kombëtar dhe lokal zakonisht shfrytëzohet për të shpërblyer redaksitë e bindura dhe jo ato profesionale.

Erozioni i standardeve profesionale

Në shumë redaksi janë lënë pas dore standardet profesionale dhe etike të gazetarisë. Tabloidizimi dhe senzacionalizmi dominojnë faqet e para. Titujt “clickbait”, informacionet e pakonfirmuara dhe mungesa e burimit të dytë janë bërë të zakonshme. Në rrethana të tilla, dezinformimi dhe fushatat hibride bëhen rreziku më i madh për demokracinë, e cila është tashmë e brishtë në Serbi.

Dezorientimi vleror dhe anakronizmi

Edhe pse dy grupet e mediave janë të ashpër në kundërshtimin e ndërsjellë, në aspektin e vlerave nuk ka pothuajse asnjë ndryshim mes tyre. Duke u përshtatur me ndjenjat dominuese të publikut, si mediat pro-regjim ashtu edhe ato opozitare janë të një mendimi kur raportojnë për situatën në Kosovë, luftën në Ukrainë, trashëgiminë e luftës në ish-Jugosllavi dhe orientimin gjeopolitik të vendit. Kjo tregon se në hapësirën mediatike ekzistojnë tema tërësisht të tabuizuara, gjë që e bën publikun në Serbi një ishull të izoluar dhe të helmuar etikisht në krahasim me shoqëritë e tjera të rajonit. Një pamje e tillë e skenës mediatike dhe e opinionit publik në Serbi mund të bëhet pengesa kyçe për procesin e integrimit evropian të vendit, që tashmë është më e vonuara ndër shtetet kandidate.

Ndikimi rus

Përveç ndarjes diametralisht të kundërt të interesave brenda hapësirës mediatike serbe, shfaqet edhe një ndikim i fuqishëm rus, që manifestohet si përmes veprimit të mediave në pronësi direkte të shtetit rus, ashtu edhe përmes ndikimit të fshehtë të shërbimeve ruse në politikat redaksionale të mediave në Serbi. Në pothuajse të gjitha mediat në Serbi, veçanërisht në raportimin për agresionin rus në Ukrainë, vërehet qartë dominimi i narrativës së Kremlinit: përdoren pothuajse ekskluzivisht burime ruse, ndërsa burimet ukrainase përdoren vetëm kur duhen theksuar humbjet e palës ukrainase apo problemet e brendshme në atë vend. Kjo narrativë promovohet më shumë nga Shërbimi Publik RTS, që është shndërruar në një platformë për arsyetimin dhe legjitimimin e agresionit rus.

Është interesante se vetë kreu i regjimit, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar publikisht se një televizion në Serbi me frekuencë kombëtare redaktohet drejtpërdrejt nga shërbimi rus i inteligjencës ushtarake, GRU! Edhe pse ndoshta nuk ishte i vetëdijshëm për peshën e deklaratës së tij, fakti mbetet se ndaj këtij televizioni nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga ana e shtetit, ndërkohë që të gjitha mediat e tjera nën kontrollin e regjimit i janë afruar standardeve të këtij televizioni në raportimin e tyre.
Fatkeqësisht, as kampi tjetër mediatik nuk është shumë më objektiv në raportimin për politikën e Rusisë – edhe në pjesën opozitare të skenës mediatike kryesisht dëgjohet versioni rus i “së vërtetës”. Një veprimtari kaq intensive e propagandës ruse dhe ndikimi i shërbimeve ruse në mediat serbe ka sjellë një mbështetje të madhe publike për luftën agresive të Rusisë, duke e ngushtuar në mënyrë ekstreme hapësirën për formulimin e një politike që do të ishte në përputhje me interesat kombëtare të Serbisë. Rasti i dështimit të Serbisë për të zgjidhur problemin e kompanisë NIS, e cila është nën sanksione amerikane për shkak se është në pronësi shumicë ruse, dëshmon se politika e regjimit në Beograd është kthyer në peng të regjimit të Moskës – një gjendje në të cilën ka kontribuar ndjeshëm ndikimi i Kremlinit në mediat serbe. Kjo është arsyeja pse ky ndikim ruhet me çdo kusht, zakonisht përmes ndalimeve dhe përjashtimeve nga hapësira mediatike të të gjithë atyre formuesve të opinionit që nuk janë të pëlqyer nga zyrat përfaqësuese të Kremlinit në Serbi – shtëpia ruse (Ruski dom) dhe ambasada në rrugën Deligradska. Në periudhën menjëherë pas shpërthimit të luftës, mediat elektronike ftonin në emisione ata që mbështesnin agresorin, por edhe disa prej nesh që shpjegonim pozitën e viktimës dhe ishim të vetmit që flisnim për mizoritë ruse në Ukrainë.

Rezultatet e para të sondazheve të opinionit publik treguan se, pas vetëm disa muajsh, mbështetja për anëtarësimin e Serbisë në NATO u rrit nga 10% në 14%! Pas kësaj, ftesat për pjesëmarrjen time në emisione u ndaluan plotësisht nga televizionet në Serbi – për çka më kanë dëshmuar vetë disa moderatorë – ndërsa mbështetësit e tjerë të Ukrainës u ftuan gjithnjë e më rrallë.

Kjo pamje e mediave në Serbi është pjesë e strategjisë së ‘botës serbe’, e cila sot quhet me terma të rinj ‘integralizëm serb’, dhe situata të ngjashme i kemi edhe në veri të Kosovës, në Mal të Zi dhe në Republikën Srpska! Prandaj problemi i mediave në Serbi duhet të aktualizohet edhe në mënyrë rajonale, sepse ato janë një mjet për destabilizim. Bashkimi Evropian duhet të ‘bombardohet’ përditë me kërkesa që pamja mediatike e Serbisë të rregullohet përpara se të hapet ndonjë klaster i ri apo të vazhdojnë negociatat e anëtarësimit me Serbinë!/The Geopost/

Continue Reading

Previous: Shkollë kineze në Ukrainën e pushtuar? Analistët shohin propagandën e Kremlinit në veprim
Next: Sulmet ruse vrasin 25 persona në Ukrainë, ndërsa Trump konfirmon afatin e fundit për bisedime

A është lista studentore një alternativë apo thjesht një zëvendësim për Vuçiqin? 5 min read
  • Analiza

A është lista studentore një alternativë apo thjesht një zëvendësim për Vuçiqin?

The Geopost February 2, 2026
Dosjet e Epstein përfshijnë ish-sekretarin e KiE-së dhe ish-emisarin e BE-së për Kosovën 4 min read
  • Analiza

Dosjet e Epstein përfshijnë ish-sekretarin e KiE-së dhe ish-emisarin e BE-së për Kosovën

The Geopost February 2, 2026
Çfarë mësoi Kremlini nga protestat në Iran: Inflacioni, shtypja dhe frika nga sanksionet 9 min read
  • Analiza

Çfarë mësoi Kremlini nga protestat në Iran: Inflacioni, shtypja dhe frika nga sanksionet

The Geopost February 1, 2026
Abraham Lincoln kundër Ajatollahëve: A mund ta rrëzojnë Shtetet e Bashkuara regjimin e Iranit? 10 min read
  • Analiza

Abraham Lincoln kundër Ajatollahëve: A mund ta rrëzojnë Shtetet e Bashkuara regjimin e Iranit?

The Geopost January 31, 2026
Si i marrin vendimet BE-ja dhe NATO-ja mbi mbrojtjen? 13 min read
  • Analiza

Si i marrin vendimet BE-ja dhe NATO-ja mbi mbrojtjen?

The Geopost January 28, 2026
Telegrami mbetet kanal kyç për propagandën ruse në BE, pavarësisht kufizimeve 3 min read
  • Analiza
  • Botë

Telegrami mbetet kanal kyç për propagandën ruse në BE, pavarësisht kufizimeve

The Geopost January 27, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.