Familja Dodik ka ndryshuar dukshëm kursin politik ndaj pushtetit në Serbi.
Pas vitesh të mbështetjes së hapur për Aleksandar Vuçiqin dhe Partinë Përparimtare Serbe (SNS), Milorad Dodik dhe djali i tij, Igor, tashmë po kërkojnë afrim me Listën Studentore, e cila mposhti partinë e presidentit serb në zgjedhjet e 25 tetorit.
Ndryshimi i qëndrimeve të tyre është bërë veçanërisht i dukshëm pas humbjes së SNS-së, të cilën familja Dodik e kishte mbështetur hapur gjatë fushatës zgjedhore. Ata që deri dje i paraqisnin studentët si kërcënim për interesat e Republika Srpska, sot përshëndesin programin e tyre dhe flasin për bashkëpunim të afërt me qeverinë e re në Beograd.
Sinjali më i fundit i këtij afrimi erdhi të dielën, më 22 nëntor, kur Igor Dodik, djali i liderit të SNSD-së, mori mandatin për formimin e Qeverisë së re të Republika Srpska.
Në paraqitjen e tij të parë pas marrjes së mandatit, ai i kushtoi vëmendje të veçantë marrëdhënieve me qeverinë e ardhshme të Serbisë, e cila pritet të udhëhiqet nga përfaqësuesit e Listës Studentore.
“Është veçanërisht e rëndësishme që me Qeverinë e ardhshme të Serbisë të vendosim bashkëpunim të afërt dhe efikas, të vazhdojmë projektet e përbashkëta dhe të krijojmë hapësirë për projekte të reja”, deklaroi Igor Dodik.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur familja e tij po përpiqet të pozicionohet edhe përballë realitetit të ri politik në Serbi, pas përfundimit të dominimit të SNS-së në pushtet.
Nga shtabi i Vuçiqit te përshëndetja e studentëve
Kontrasti mes qëndrimeve të mëparshme dhe atyre aktuale është i dukshëm.
Milorad dhe Igor Dodik e kaluan natën e zgjedhjeve të 25 tetorit në shtabin e SNS-së në Beograd, në krah të Aleksandar Vuçiqit, duke pritur rezultatet e votimit që përfunduan me fitoren e Listës Studentore.
Para zgjedhjeve, Milorad Dodik kishte zhvilluar një fushatë të hapur në mbështetje të Vuçiqit, ndërsa lëvizjen studentore e kishte sulmuar vazhdimisht.
Në një paraqitje në televizionin Prva, vetëm një javë para votimit, ai kishte bërë thirrje që qytetarët e Republika Srpska të mbështesnin presidentin serb, ndërsa kundërshtarët e tij politikë i kishte quajtur “të korruptuar” dhe “mercenarë”.
Dodik kishte pretenduar gjithashtu se mbështetja për studentët nga aktorë politikë në rajon ishte rezultat i financimit të huaj, pa ofruar prova për këto pretendime.
Në një intervistë për gazetën serbe “Alo”, më 15 tetor, ai kishte shkuar edhe më tej, duke paralajmëruar se fitorja e studentëve mund ta rrezikonte Republika Srpska dhe interesat e saj.
Por, sapo u bë e qartë se SNS-ja kishte humbur zgjedhjet, retorika e tij ndryshoi.
Në të njëjtën natë kur kishte qëndruar në shtabin e partisë së Vuçiqit, Milorad Dodik uroi Listën Studentore për fitoren.
“Urime Listës Studentore për fitoren. Qytetarët e Serbisë dhe të gjithë aktorët politikë kanë dëshmuar edhe një herë karakterin demokratik të njërit prej popujve më të vjetër shtetformues në Evropë”, kishte shkruar ai.
Mesazhin e kishte përfunduar me fjalët: “Vazhdojmë përpara, së bashku”.
Më 30 tetor, Dodik kishte deklaruar se Republika Srpska duhet të ndërtojë marrëdhënie të mira me cilëndo qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike në Serbi, pavarësisht përkatësisë politike të saj.
Ai kishte theksuar se marrëdhëniet me pushtetin në Beograd janë prioritet për Banjallukën, duke u distancuar kështu nga mbështetja e tij e mëparshme ekskluzive për Vuçiqin.
Igor Dodik përshëndet programin e atyre që babai i tij i sulmonte
Edhe djali i tij, Igor Dodik, nuk ka pritur gjatë për t’u përshtatur me ndryshimin e skenës politike në Serbi.
Më 16 nëntor, ai publikisht përshëndeti programin e Listës Studentore, duke veçuar qëndrimet e saj për Republika Srpska dhe Marrëveshjen e Dejtonit.
“Përshëndes programin e Listës Studentore në Serbi. Më vjen mirë që e kuptojnë sa e rëndësishme është të ruhet Republika Srpska, pozita e saj kushtetuese dhe Dejtoni”, kishte shkruar ai në rrjetin social X.
Igor Dodik kishte theksuar edhe rëndësinë e lidhjeve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Republika Srpska, duke pretenduar se forcimi i tyre do të sillte më shumë investime dhe mundësi për të rinjtë.
“Republika Srpska dhe Serbia janë një. Së bashku jemi më të fortë”, kishte shkruar ai.
Kjo ishte një tjetër dëshmi e ndryshimit të tonit të familjes Dodik ndaj forcave të reja politike në Serbi, të cilat deri pak javë më parë ishin objekt i sulmeve të tyre politike.
Dodik përgëzon edhe drejtuesit e rinj të institucioneve në Beograd
Milorad Dodik e ka vazhduar këtë qasje edhe pas zgjedhjes së Aleksandar Çupiqit në postin e kryetarit të Kuvendit të Serbisë.
Më 19 nëntor, lideri i SNSD-së e përgëzoi Çupiqin, duke deklaruar se Republika Srpska respekton vullnetin demokratik të qytetarëve të Serbisë.
Ai përshëndeti edhe programin mbi bazën e të cilit ishte zgjedhur kryetari i ri i parlamentit, duke vlerësuar se ai në masë të madhe përputhej me interesat e Republika Srpska.
Në këtë mënyrë, Dodikët po kalojnë nga mbështetja e pakushtëzuar politike për Aleksandar Vuçiqin te kërkimi i marrëdhënieve të afërta me forcat që e zëvendësuan atë.
Ndryshimi i qëndrimeve të tyre brenda pak javësh, nga akuzat ndaj studentëve për të qenë të financuar nga jashtë dhe paraqitja e tyre si kërcënim për Republika Srpska, deri te përshëndetja e programit të tyre dhe zotimi për bashkëpunim, e vendos në pikëpyetje qëndrueshmërinë e deklaratave politike të familjes Dodik.
Në vend të një përballjeje me pushtetin e ri në Beograd, Milorad Dodik dhe djali i tij po zgjedhin afrimin me të, duke dëshmuar se ruajtja e kanaleve të ndikimit dhe e marrëdhënieve me cilindo që kontrollon institucionet në Serbi mbetet një nga prioritetet e tyre politike.
The GeoPost

Bakiqi në Kuvendin e Serbisë akuzon ish-pushtetin për lidhje me krimin e organizuar, përmend Radoiçiqin, Veselinoviqin dhe Belivukun
Lista e Studentëve vazhdon narrativën e Vuçiqit për Kosovën, kundërshton projektligjin për trashëgiminë kulturore
Shqipëria rikthen rezervistët
Paralajmërimi i Joseph: Aparati i Vuçiqit mund ta rrëzojë stabilitetin e Serbisë
Kandiq propozon Kamberin për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë
Lista Studentore synon t’i rishqyrtojë marrëveshjet me Kosovën, BE-ja thotë se Serbia duhet t’i zbatojë