Kryetari i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, është marrë në pyetje nga policia në Beograd, katër vjet pasi në një emision televiziv kishte folur për mundësinë e likuidimit të politikanes serbe Rada Trajkoviq.
Sheshel u paraqit mëngjesin e së premtes, më 20 nëntor, në Departamentin e Policisë në Beograd, me ftesë të Prokurorisë së Parë Themelore Publike. Rasti lidhet me deklaratat e tij në emisionin “Novo jutro” të televizionit Pink, më 12 nëntor 2022.
Lajmin e bëri të ditur vetë Sheshel gjatë një paraqitjeje në televizionin Informer, raportoi agjencia Beta.
Gjatë emisionit në fjalë, Sheshel kishte folur edhe për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, duke pretenduar se ai ishte vrarë nga shqiptarët me qëllim që përgjegjësia të binte mbi serbët.
Ai kishte përmendur edhe Rada Trajkoviqin, duke thënë se asaj mund t’i ndodhte e njëjta gjë: fillimisht të emërohej ministre dhe më pas të likuidohej, në mënyrë që për vrasjen të akuzohej Beogradi.
Sheshel tani pretendon se nuk kishte pasur për qëllim ta kërcënonte Trajkoviqin. Sipas tij, deklarata e tij duhet të kuptohet si paralajmërim që ajo të ndërpriste bashkëpunimin me autoritetet në Prishtinë dhe të afrohej me Beogradin.
Ai tha se kishte “mendimin më të keq të mundshëm” për Trajkoviqin, por mohoi se ia kishte dëshiruar vdekjen.
Ankesa e Trajkoviqit mbeti për vite pa përgjigje publike
Pas paraqitjes së Sheshelit në polici, Rada Trajkoviq rikujtoi në rrjetet sociale ankesën që më 14 nëntor 2022 ua kishte dërguar Prokurorisë Publike të Republikës dhe Organit Rregullator për Mediat Elektronike (REM).
Ankesa ishte dërguar dy ditë pas deklaratave të Sheshelit dhe ishte raportuar fillimisht nga portali KoSSev.
Në atë kohë, Trajkoviq kishte vlerësuar se deklaratat e bëra në një televizion me mbulim kombëtar përbënin kërcënim për sigurinë e saj dhe kishte kërkuar reagim nga institucionet përkatëse.
Përveç kërkesës për mbrojtje, ajo i kishte kërkuar prokurorisë të hetonte edhe se çfarë dinte Sheshel për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Kam mbijetuar aq shumë gjëra në 14 vitet e fundit nën regjimin e SNS-së saqë ndonjëherë harroj të gjitha persekutimet që kam përjetuar”, kishte shkruar Trajkoviq.
Ajo kishte treguar gjithashtu se më 18 dhjetor 2022, pasi radikalët publikuan një video kundër saj dhe familjes së saj, kishte filluar ngacmimi shumëvjeçar i fëmijëve të saj në pikat kufitare.
Megjithatë, nuk dihet nëse prokuroria i ka verifikuar ndonjëherë pretendimet e Sheshelit lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.
Serbia ende nuk ka nisur hetim për vrasjen e Ivanoviqit
Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka konfirmuar se ende nuk është nxjerrë urdhër për hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Rasti vazhdon të jetë në fazën e parahetimit kundër një personi të panjohur. Për shkak se që nga fillimi është klasifikuar si “rreptësisht konfidencial”, prokuroria nuk ka bërë të ditura veprimet konkrete hetimore që janë ndërmarrë.
Sheshel nuk është i vetmi zyrtar serb që ka folur publikisht për njohuritë e supozuara të autoriteteve rreth vrasjes.
Në vitin 2023, ministri i atëhershëm i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gashiq, kishte deklaruar në Kuvend se autoritetet serbe e dinin identitetin e vrasësit dhe se Gjermania po e mbronte atë. Berlini i kishte mohuar këto pretendime, të cilat nuk u përfshinë në aktakuzë.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Në qershor të vitit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër të akuzuarve për përfshirje në rastin e vrasjes së tij.
Marko Rošić u dënua me dhjetë vjet burgim, Nedeljko Spasojeviq me katër vjet e gjysmë, ndërsa Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq me nga katër vjet burgim. Silvana Arsoviq u lirua nga akuzat, ndërsa prokuroria hoqi dorë nga ndjekja penale ndaj Rade Basarës.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari Valjon Kurtaj deklaroi se, bazuar në dëshmitë e administruara, gjykata kishte vërtetuar ekzistencën e një grupi kriminal që vepronte në veri të Mitrovicës, të udhëhequr nga Milan Radoiçiq.
Sipas gjyqtarit, në këtë grup bënin pjesë edhe Zheljko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe persona të tjerë, përfshirë të dënuarin Marko Roshiq. Ai tha se vrasja e Ivanoviqit ishte rezultat i veprimeve të këtij grupi.
Megjithatë, në aktgjykimin prej më shumë se 70 faqesh nuk përmendet identiteti i personit që kreu drejtpërdrejt ekzekutimin apo i organizatorit kryesor të vrasjes.
Pothuajse nëntë vjet pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, autoritetet serbe ende nuk kanë nisur zyrtarisht një hetim për këtë rast.
The GeoPost

Kandiq propozon Kamberin për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë
Lista Studentore synon t’i rishqyrtojë marrëveshjet me Kosovën, BE-ja thotë se Serbia duhet t’i zbatojë
Natasha Kandiq vë në pikëpyetje kredibilitetin e Konventës Kombëtare për BE-në pas skandalit të melodisë nacionaliste kundër Kosovës
Policia serbe nuk sqaron nëse Radoiçiq ka kaluar kufirin
Regjimi i Vuçiqit nën akuza të reja: BIA përdorej për të ndjekur kundërshtarët politikë
FSK-ja merr pjesë në ushtrimin “Golden Sabre” të organizuar nga KFOR-i