Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) është vënë sërish në qendër të akuzave për keqpërdorim të kompetencave shtetërore dhe përdorim të shërbimit sekret për të ndjekur gazetarë, aktivistë dhe kundërshtarë politikë gjatë pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.
Një hulumtim i revistës serbe “Radar” zbulon se BIA, nën drejtimin e ish-shefit të saj Aleksandar Vulin, kishte vendosur masa të përgjimit dhe mbikëqyrjes sekrete ndaj pesë kritikëve të pushtetit në qytetin e Çaçakut, në Serbinë qendrore.
Mbikëqyrja kishte përfshirë gazetarë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe aktivistë, të cilët ishin vënë nën vëzhgim për shkak të qëndrimeve kritike ndaj regjimit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga “Radar”, bëhet fjalë për pronarin dhe redaktorin e portalit “Ozon Press”, Stojan Markoviq; gazetaren dhe themeluesen e Qendrës për Monitorim dhe Aktivizëm (CEMA), Svetlana Kojanoviq; gazetarin e “Ozon Press” dhe TV Nova, Nebojsha Jovanoviq; kryetaren e shoqatës ekologjike “Suvoborska greda”, Ljiljana Braloviq; si dhe Kristina Millosheviq, drejtuese e shoqatës qytetare “Mladi Milanovac” dhe këshilltare e presidentes së Partisë Demokratike.
Hulumtimi i referohet katër kërkesave të BIA-s dhe urdhrave të Gjykatës së Lartë në Beograd për vendosjen dhe vazhdimin e masave të mbikëqyrjes sekrete ndaj këtyre pesë personave.
Sipas dokumenteve, kërkesa e parë ishte paraqitur më 9 dhjetor 2022, pak kohë pasi Aleksandar Vulin kishte marrë drejtimin e shërbimit sekret.
Më 14 dhjetor 2022, kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Lartë në Beograd, Aleksandar Stepanoviq, kishte nënshkruar urdhrin për zbatimin e masave të mbikëqyrjes.
Në arsyetimin e BIA-s, pesë personat akuzoheshin se po ndërmerrnin aktivitete kundër sigurisë së Serbisë dhe se ishin të përfshirë në veprimtari subversive. Madje, në dokumente thuhej se ata po mblidhnin informacione për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, pa u paraqitur prova për këto pretendime.
Por mbikëqyrja nuk ishte kufizuar vetëm në komunikimet telefonike. Sipas dokumenteve të publikuara nga “Radar”, BIA kishte kërkuar autorizim për vendosjen e pajisjeve teknike në hapësirat e kompanive mediatike dhe organizatave ku punonin të dyshuarit, në lokale, hotele dhe vende të tjera publike në Çaçak, Uzhicë, Kragujevc e Beograd.

Masat përfshinin përgjimin dhe regjistrimin e komunikimeve, mbikëqyrjen e hapësirave dhe ambienteve të punës, si dhe qasjen në pajisjet ku ruheshin të dhënat elektronike.
Këto masa ishin vazhduar edhe tri herë të tjera gjatë vitit 2023. Kërkesat për vazhdimin e mbikëqyrjes ishin paraqitur në mars, qershor dhe shtator, ndërsa ishin miratuar nga drejtuesit e Gjykatës së Lartë në Beograd.
Në njërën prej kërkesave, BIA kishte përfshirë edhe pretendimin se disa prej personave po përpiqeshin të zgjeronin ndikimin e tyre mediatik dhe të shfrytëzonin pakënaqësinë qytetare, me synimin për të krijuar një alternativë politike opozitare në Çaçak dhe për të marrë pushtetin lokal.
“Radar” thekson se të dhënat e mbledhura përmes mbikëqyrjes sekrete më pas ishin përdorur në fushata publike kundër këtyre kritikëve, përmes përfaqësuesve të pushtetit dhe mediave të kontrolluara. Sipas hulumtimit, në këto sulme kishte marrë pjesë edhe vetë Aleksandar Vuçiq, i cili në atë kohë ishte president i Serbisë.
Gazetarët dhe aktivistët: Na trajtuan si armiq të shtetit
Personat që ishin vënë nën mbikëqyrje kanë rrëfyer për “Radar” për përvojën e tyre dhe pasojat që kjo kishte shkaktuar në jetën private e profesionale.
Svetlana Kojanoviq, gazetare dhe drejtoreshë e CEMA-s, tha se dyshimet për përgjim ishin shtuar pas nisjes së projektit “Zëri i Përbashkët”, në të cilin merrnin pjesë media të pavarura, grupe prodhuese dhe organizata të shoqërisë civile nga Serbia perëndimore.
Ajo tha se paralelisht me aktivitetet e tyre kishte nisur një fushatë kundër tyre në mediat pranë pushtetit dhe në rrjetet sociale, ku ishte përfshirë edhe Vuçiqi.
Sipas saj, mbikëqyrja kishte prekur edhe familjarët dhe bashkëpunëtorët e tyre, duke cenuar privatësinë e një numri të madh njerëzish.
Edhe Kristina Millosheviq tha se ishte tronditur kur kishte parë dokumentet që konfirmonin se ishte nën përgjim që nga dhjetori i vitit 2022. Ajo bëri të ditur se në mbikëqyrje ishte përfshirë edhe bashkëshorti i saj.
Ndërkaq, pronari dhe redaktori i “Ozon Press”, Stojan Markoviq, e cilësoi përgjimin e gazetarëve, qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë si praktikë të përsëritur të keqpërdorimit të burimeve shtetërore.
Gazetari Nebojsha Jovanoviq tha se ndonëse kishin dyshuar për mbikëqyrje, dokumentet zyrtare u kishin konfirmuar se shteti i kishte trajtuar si shënjestra.
Ndër deklaratat më të rënda ishte ajo e Ljiljana Braloviqit, e cila tha se nuk ishte befasuar nga zbulimi i përgjimit, por kishte frikë se çfarë mund të ndodhte në një situatë të tillë.
“Çdo gjë që mund të dëgjonin nga unë duke më përgjuar, mund ta dëgjonin edhe në takime publike. Mendoj se ia dolëm mirë, mund të kishim përfunduar në Danub ose diku në Ritopek”, deklaroi ajo për “Radar”.
Hulumtimi ngre gjithashtu pikëpyetje për depërtimin e politikës në strukturat e BIA-s.
Sipas revistës, drejtues të shërbimit sekret të emëruar nga Vuçiqi kishin lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin partiak, ndërsa për të shmangur kufizimet ligjore për angazhimin e politikanëve në BIA ishte përdorur praktika e ashtuquajtur e “ngrirjes së funksioneve partiake”.
Nga përgjimi i kundërshtarëve në Serbi te operacioni i dyshuar në Kosovë
Rastet e zbuluara në Serbi marrin një dimension tjetër nëse vendosen përballë akuzave për veprimtarinë e BIA-s në Kosovë, ku Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh, duke e lidhur atë me një operacion të dyshuar të shërbimit sekret serb kundër zyrtarëve të institucioneve të Kosovës.
Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se kishte bashkëpunuar me zyrtarin e BIA-s, Bojan Dimiq, për sigurimin dhe publikimin e materialeve të përgjimeve ndaj zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të drejtuar nga Nenad Rashiq.
Materialet përmbanin biseda të zyrtarëve të kësaj ministrie dhe, sipas Prokurorisë, ishin siguruar nga BIA për t’u përdorur në një fushatë diskredituese kundër Rashiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Sipas pretendimeve të aktakuzës, Sheholli kishte marrë 5 mijë euro nga BIA për këtë veprimtari, ndërsa kishte përcjellë materialet te gazetari Milaim Zeka, së bashku me 1 mijë euro për publikimin e tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.
Publikimi ishte bërë më 30 shtator 2025, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas Prokurorisë, koha e publikimit dhe përmbajtja e materialeve ishin pjesë e një plani për të dëmtuar politikisht Nenad Rashiqin dhe për të ndikuar në zhvillimet politike në komunat me shumicë serbe.
Në këtë rast, Prokuroria e lidh drejtpërdrejt veprimtarinë e dyshuar me zyrtarin e BIA-s, Bojan Dimiq, i cili, sipas aktakuzës, kishte komunikuar me Shehollin për koordinimin e publikimit dhe shpërndarjen e materialeve.
Një tjetër rast që ilustron mënyrën se si dyshohet se BIA e ka shtrirë ndikimin e saj në Kosovë edhe në proceset zgjedhore është ai i Fehim Salit, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh.
Sipas një audioincizimi të publikuar nga KOHA, Sali, në komunikim me zyrtarin e BIA-s, Zhelimir Matoviq, fliste për listat e votuesve nga komuniteti goran dhe për personat që refuzonin të votonin presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe partinë e tij, SNS.
Në të njëjtën bisedë, ai dëgjohet duke sugjeruar përdorimin e presionit dhe madje të forcës për të siguruar votat.
Sali dyshohet se kishte mbledhur nënshkrime dhe vota për SNS-në përmes organizatës së tij, “Moja Gora”.
Kështu, rasti ngre dyshime se aktiviteti i BIA-s nuk kufizohej vetëm në mbledhjen e informatave, por përfshinte edhe përpjekje për të ndikuar drejtpërdrejt në vullnetin politik të qytetarëve në Kosovë, në funksion të interesave elektorale të pushtetit në Beograd.
Megjithatë, këto raste vendosin në qendër të vëmendjes akuzat për përdorimin e strukturave të BIA-s në veprimtari që prekin kundërshtarët politikë, gazetarët dhe zhvillimet publike.
Në Serbi, dokumentet e publikuara nga “Radar” tregojnë se pesë kritikë të pushtetit ishin vënë nën mbikëqyrje sekrete, ndërsa në Kosovë aktakuza ndaj Shehollit përshkruan një operacion të dyshuar për sigurimin dhe përdorimin e materialeve të përgjimeve në funksion të diskreditimit politik, në prag të zgjedhjeve.
Këto zhvillime rikthejnë debatin për kufijtë e veprimtarisë së shërbimit sekret serb, mbikëqyrjen e tij institucionale dhe pretendimet për përdorimin e kapaciteteve shtetërore në funksion të interesave politike të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.

Policia serbe nuk sqaron nëse Radoiçiq ka kaluar kufirin
FSK-ja merr pjesë në ushtrimin “Golden Sabre” të organizuar nga KFOR-i
Shuarja e institucioneve paralele serbe në Kosovë shkakton përplasje të ashpra në Kuvendin e Serbisë
Raporti i Gallupit për 2025-ën: Kosova, ndër vendet më të sigurta në Evropë
Stojkoviq reagon ndaj drejtësisë serbe për Radoiçiqin: E lanë të lirë terroristin, gjyqtarët dhe prokurorët shkelën ligjin për ta mbrojtur atë
Partia Popullore Evropiane do të propozojë pezullimin e partisë së Vuçiqit