Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka reaguar pas lëshimit të urdhërarrestit për Milan Radoiçiqin, duke akuzuar gjyqtarët dhe prokurorët që janë marrë me rastin e tij se kanë shkelur rëndë ligjin nën urdhrat e pushtetit në Serbi.
Përmes një postimi, Stojkoviq ka kërkuar që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e përfshirë në këtë rast të thirren për përgjegjësi dhe të shkarkohen nga pozitat e tyre.
Sipas tij, vetë lëshimi i urdhërarrestit për Radoiçiqin dëshmon se drejtësia serbe nuk ka vepruar në mënyrë të ligjshme gjatë trajtimit të rastit të tij.
Stojkoviq ka rikujtuar se Radoiçiqi akuzohet për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë dhe për armatosjen ilegale në shkallë të gjerë, ndërsa ka kritikuar faktin se ndaj tij nuk ishte caktuar masa e paraburgimit, pavarësisht se gjatë sulmit humbën jetën njerëz.
“Milano Radoiçiqi ka kryer vepra të terrorizmit dhe armatosjes ilegale në shkallë të gjerë, por nuk iu caktua paraburgimi, edhe pse njerëz humbën jetën për shkak të kësaj”, ka shkruar ai.
Avokati serb ka bërë edhe një krahasim me rastin e tij personal, duke thënë se i njëjti gjykatë dhe e njëjta prokurori kishin vendosur paraburgimin ndaj tij, me arsyetimin se kishte publikuar postime në rrjetet sociale për mundësinë e rrëzimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka pretenduar se, ndërsa Radoiçiqi ishte lënë i lirë pavarësisht akuzave të rënda, ndaj tij dhe qytetarëve të tjerë serbë ishin marrë masa të rënda për shkak të kritikave ndaj pushtetit.
Stojkoviq ka përmendur gjithashtu edhe rastin e dy shtetasve kinezë, të cilët i identifikon si spiunë, duke pretenduar se gjykata i kishte liruar nga paraburgimi në arrest shtëpiak, nga i cili më pas ishin arratisur.
Në reagimin e tij, ai ka kërkuar që përgjegjësia të nisë nga gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët, sipas tij, në vend se të mbronin qytetarët përmes ligjit, kishin vepruar në favor të pushtetit.
“Qëndrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në pozitat e tyre pas gjithë kësaj është TEST nëse Serbia ka ligje. Zbatimi i ligjit duhet të fillojë nga maja e gjarprit – nga gjyqtarët dhe prokurorët, sepse ne i kemi paguar që të na mbrojnë si qytetarë përmes ligjit. Në vend të kësaj, ata e kanë shkelur ligjin mbi shpinën tonë, na kanë arrestuar dhe paraburgosur, ndërsa vrasësit dhe terroristët i kanë lënë të lirë”, ka shkruar Stojkoviq.
Ai ka përfunduar reagimin duke kërkuar shkarkimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë nënshkruar vendimet përkatëse, duke thënë se, sipas tij, nuk ka asnjë mënyrë për t’i arsyetuar veprimet e tyre.
“Nuk ka falje. Nuk do të ketë. Emrat e të gjithë atyre që kanë nënshkruar vendime të tilla nuk kanë çfarë të kërkojnë në sistemin e drejtësisë”, ka përfunduar avokati serb.

Partia Popullore Evropiane do të propozojë pezullimin e partisë së Vuçiqit
Kënga nacionaliste serbe në Bruksel, eurodeputeti belg ia kujton Marta Kos-it krimet e Millosheviqit në Kosovë
“Serbia nuk i sanksionon rusët dhe vazhdon linjën nacionaliste ndaj Kosovës”, Martens kërkon distancim nga Beogradi
SHBA-ja miraton shitjen e dy sistemeve HIMARS për Shqipërinë
Mujanoviq ngre shqetësime për ndeshjet e mundshme Bosnjë-Serbi: Fëmijët boshnjakë mund të vuajnë pasojat
Sasha Raduloviq: Ky është cirku i fundit i SNS-së së Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë