Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Studentët në Serbi publikojnë programin politik: Kosovën e duan pjesë të Serbisë, kundërshtojnë pavarësinë dhe aspiratat ndërkombëtare

The Geopost November 16, 2026 4 min read
Share the news

Lëvizja studentore në Serbi ka publikuar programin e saj politik, ku ka paraqitur qëndrimet për politikën e jashtme, interesat kombëtare, Kosovën dhe serbët në rajon, duke përfshirë edhe Republikën Srpska.

Në pjesën që i kushtohet Kosovës, studentët kanë bërë të ditur se synojnë të luftojnë për ruajtjen e saj si pjesë të Serbisë, duke u thirrur në Kushtetutën serbe dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në program thuhet se do të kundërshtojnë vazhdimisht pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të lejojnë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

“Ne do të luftojmë për ruajtjen e Kosovës si pjesë e Serbisë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244. Ne do të kundërshtojmë vazhdimisht të ashtuquajturën pavarësi të shpallur njëanshëm të Republikës së Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në program.

Një tjetër zotim i paraqitur në dokument lidhet me marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Studentët kërkojnë që të gjitha marrëveshjet t’i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë në Serbi, ndërsa paralajmërojnë ndjekje penale të përfaqësuesve të institucioneve që, sipas tyre, janë përgjegjës për përfundimin dhe zbatimin e marrëveshjeve që i konsiderojnë jokushtetuese dhe në dëm të Serbisë.

Programi parasheh gjithashtu angazhim për ndryshimin e pozitës së serbëve në Kosovë, si në veri, ashtu edhe në jug të Ibrit.

Në këtë drejtim, dokumenti përmend synimin për lidhjen administrative të vendbanimeve me popullsi serbe dhe përfshirjen e tyre në njësitë e vetëqeverisjes lokale me shumicë serbe, me qëllim që këto njësi të kenë autonomi sa më të madhe në raport me institucionet e Kosovës.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe komunitetit goran, për të cilin propozohet krijimi i kushteve për mbijetesën e tij dhe rithemelimi i një njësie të vetëqeverisjes lokale në zonat ku pjesëtarët e këtij komuniteti përbëjnë shumicën.

Studentët kanë përfshirë në program edhe mbrojtjen e institucioneve arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore serbe në Kosovë. Në mënyrë të veçantë përmendet Universiteti i Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut, si dhe trashëgimia kulturore dhe fetare serbe dhe prona e Kishës Ortodokse Serbe.

Qëndrimi për Republikën Srpska dhe serbët në rajon

Në pjesën që trajton pozitën e serbëve në rajon, programi parasheh vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Republikën Srpska, duke kërkuar ruajtjen e pozitës së saj kushtetuese dhe kompetencave të përcaktuara.

Dokumenti përmend në mënyrë të veçantë të drejtën e vetos së Republikës Srpska në institucionet e përbashkëta të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe mbrojtjen e pronës së saj të luajtshme dhe të paluajtshme.

Po ashtu, studentët kërkojnë rishikimin e praktikës së deritanishme të zbatimit të të ashtuquajturave kompetenca të Bonit nga Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë. Ata insistojnë që zgjedhja e tij të bëhet në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe me pëlqimin e nevojshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në kuadër të marrëdhënieve me Republikën Srpska, programi parasheh forcimin e lidhjeve ekonomike, industriale, infrastrukturore, energjetike, bujqësore, arsimore dhe kulturore, si dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë publike.

Politika e jashtme dhe neutraliteti ushtarak

Sa i përket politikës së jashtme, studentët deklarojnë se synojnë një politikë të bazuar në Kushtetutën e Serbisë, me prioritete që i cilësojnë si parimore, të balancuara dhe pragmatike.

Ata zotohen për ruajtjen e neutralitetit ushtarak të Serbisë, duke iu referuar Rezolutës për Mbrojtjen e Sovranitetit, Integritetit Territorial dhe Rendit Kushtetues të 26 dhjetorit 2007.

Një ndër pikat e tjera të programit është reforma në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në institucionet përgjegjëse për përfaqësimin diplomatik të Serbisë.

Studentët kërkojnë t’i jepet fund emërimeve politike, nepotizmit dhe partokracisë në diplomaci, duke theksuar nevojën për emërimin e personave me kualifikime dhe përvojë profesionale.

Programi përfshin edhe rishikimin e rasteve të dhënies diskrecionale të shtetësisë dhe pasaportave serbe, veçanërisht kur ekzistojnë dyshime të bazuara për korrupsion.

Në fund, dokumenti parasheh forcimin e lidhjeve me diasporën serbe, nxitjen e investimeve të saj dhe krijimin e kushteve për kthimin e profesionistëve të rinj që kanë fituar arsimim dhe përvojë jashtë Serbisë.

Dokumenti në serbisht KËTU.

Tags: Kosova Serbia

Continue Reading

Previous: Gjykata hesht për Radoiçiqin mes raportimeve se ka ikur në Rusi
Next: Spanja thotë se nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me BE-në

Fetoshi: Dëshpërimi ‘paralajmërues’ i Vuçiqit 3 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Fetoshi: Dëshpërimi ‘paralajmërues’ i Vuçiqit

The Geopost November 17, 2026
Stradner ironizon ashpër Vuçiqin: Do ta çmontoja gjithë strukturën e kalbur të inteligjencës serbe dhe do ta ndërtoja nga fillimi 3 min read
  • Ballkan

Stradner ironizon ashpër Vuçiqin: Do ta çmontoja gjithë strukturën e kalbur të inteligjencës serbe dhe do ta ndërtoja nga fillimi

The Geopost November 17, 2026
Ministri serb në Moskë: Nuk heqim dorë nga Kosova, partneriteti me Rusinë dhe Kinën mbetet strategjik 1 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Ministri serb në Moskë: Nuk heqim dorë nga Kosova, partneriteti me Rusinë dhe Kinën mbetet strategjik

The Geopost November 17, 2026
Bajraktari: BE-ja shpesh aplikon standarde të dyfishta ndaj Kosovës, aleati më i besuar mbetet SHBA-ja 2 min read
  • Ballkan

Bajraktari: BE-ja shpesh aplikon standarde të dyfishta ndaj Kosovës, aleati më i besuar mbetet SHBA-ja

The Geopost November 17, 2026
Spanja thotë se nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me BE-në 3 min read
  • Ballkan

Spanja thotë se nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me BE-në

The Geopost November 17, 2026
Gjykata hesht për Radoiçiqin mes raportimeve se ka ikur në Rusi 4 min read
  • Ballkan

Gjykata hesht për Radoiçiqin mes raportimeve se ka ikur në Rusi

The Geopost November 16, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.