Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Gjykata hesht për Radoiçiqin mes raportimeve se ka ikur në Rusi

The Geopost November 16, 2026 4 min read
Share the news

Gjykata e Lartë në Beograd nuk tregoi nëse Millan Radoiçiq e ka përmbushur detyrimin për t’u paraqitur në polici më 15 nëntor.

Radio Evropa e Lirë ia drejtoi këtë pyetje edhe Policisë së Serbisë, por, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk mori përgjigje nga asnjëri institucion.

Radoiçiq, i cili kërkohet nga policia ndërkombëtare, INTERPOL, për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, është nën hetime nga Prokuroria e Lartë Publike në Serbi.

Që nga tetori i vitit 2023, ai është i detyruar të paraqitet në stacionin policor më 1 dhe 15 të çdo muaji, ndërsa pasaporta i është konfiskuar.

Sipas deklarimeve të mëhershme të Gjykatës së Lartë në Beograd, Radoiçiq i ka respektuar këto masa.

Por, më 13 nëntor, në publik qarkulluan raportime të pakonfirmuara se ai është arratisur në Rusi.

Gjykata e Lartë në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se po mbikëqyr zbatimin e masës që e detyron Radoiçiqin të paraqitet në polici dhe se, në bashkëpunim me organet kompetente, po ndërmerr veprimet e nevojshme për të verifikuar respektimin e këtij detyrimi.

“Megjithatë, duke marrë parasysh fazën e procedurës, për momentin nuk jemi në gjendje të japim informacione shtesë për veprimet konkrete të organeve kompetente”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës, më 16 nëntor.

Për sulmin në Banjskë u deklarua edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.

Kryeprokurori Nenad Stefanoviq tha më 16 nëntor se ende nuk është ngritur aktakuzë, pasi Prokuroria nuk i ka marrë provat që i ka kërkuar përmes misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Sipas tij, Prokuroria kishte kërkuar paraburgimin e Radoiçiqit në vitin 2023, për shkak të rrezikut të arratisjes, por gjykata kishte vendosur masa më të lehta: paraqitjen në polici dhe konfiskimin e pasaportës.

Në Serbi, Radoiçiq hetohet për mbajtje dhe tregtim të paligjshëm të armëve, si dhe për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Ai ka pranuar se ka udhëhequr grupin e armatosur të serbëve që ka kryer sulmin në Banjskë, pranë Zveçanit, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023.

Në sulm u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.

Në atë kohë, Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila u formua me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe të ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas sulmit, ai dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Kosova e konsideron sulmin akt terrorist dhe e akuzon Serbinë se qëndron pas tij – gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohon.

Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë.

Tre prej tyre janë dënuar nga gjykatat e Kosovës, ndërsa të tjerët, përfshirë Radoiçiqin, janë në arrati.

Radoiçiq është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara që nga viti 2021, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.

Sanksione ndaj tij ka vendosur edhe Britania e Madhe.

Ai është parë për herë të fundit në publik para zgjedhjeve në Serbi, kur ka marrë pjesë në një tubim elektoral të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit në qytetin e Kragujevcit.

Në zgjedhjet e 25 tetorit, kjo parti pësoi humbje pas 14 vjetësh në pushtet.

Edhe pse qeveria e re, që pritet të udhëhiqet nga Lista Studentore, ende nuk është formuar, policia dhe prokuroritë kanë nisur një sërë arrestimesh për vepra të ndryshme penale.

Në javët pas zgjedhjeve, nga Serbia është larguar edhe Zvonko Vesellinoviq, biznesmen nga veriu i Kosovës dhe deri vonë bashkëpunëtor i Radoiçiqit.

Sipas burimeve të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat e kanë konfirmuar informacionin për Radion Evropa e Lirë, Vesellinoviq ka udhëtuar nga Sarajeva drejt Turqisë më 11 nëntor, duke përdorur pasaportën serbe.

Me të ishte edhe vëllai i tij, Zharko Vesellinoviq.

Të dy ata, sikurse Radoiçiq, janë nën sanksionet amerikane, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.

Arsyet e largimit të vëllezërve Vesellinoviq nga Serbia nuk dihen, ndërsa, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre nuk ka procedura penale në këtë vend.

Tags: Milan Radoiçiq Serbia

Continue Reading

Previous: Eurodeputeti: Kosova meriton respekt të plotë, meloditë nacionaliste në Forumin e Zgjerimit minojnë frymën e pajtimit rajonal
Next: Studentët në Serbi publikojnë programin politik: Kosovën e duan pjesë të Serbisë, kundërshtojnë pavarësinë dhe aspiratat ndërkombëtare

Fetoshi: Dëshpërimi ‘paralajmërues’ i Vuçiqit 3 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Fetoshi: Dëshpërimi ‘paralajmërues’ i Vuçiqit

The Geopost November 17, 2026
Stradner ironizon ashpër Vuçiqin: Do ta çmontoja gjithë strukturën e kalbur të inteligjencës serbe dhe do ta ndërtoja nga fillimi 3 min read
  • Ballkan

Stradner ironizon ashpër Vuçiqin: Do ta çmontoja gjithë strukturën e kalbur të inteligjencës serbe dhe do ta ndërtoja nga fillimi

The Geopost November 17, 2026
Ministri serb në Moskë: Nuk heqim dorë nga Kosova, partneriteti me Rusinë dhe Kinën mbetet strategjik 1 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Ministri serb në Moskë: Nuk heqim dorë nga Kosova, partneriteti me Rusinë dhe Kinën mbetet strategjik

The Geopost November 17, 2026
Bajraktari: BE-ja shpesh aplikon standarde të dyfishta ndaj Kosovës, aleati më i besuar mbetet SHBA-ja 2 min read
  • Ballkan

Bajraktari: BE-ja shpesh aplikon standarde të dyfishta ndaj Kosovës, aleati më i besuar mbetet SHBA-ja

The Geopost November 17, 2026
Spanja thotë se nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me BE-në 3 min read
  • Ballkan

Spanja thotë se nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me BE-në

The Geopost November 17, 2026
Studentët në Serbi publikojnë programin politik: Kosovën e duan pjesë të Serbisë, kundërshtojnë pavarësinë dhe aspiratat ndërkombëtare 4 min read
  • Ballkan

Studentët në Serbi publikojnë programin politik: Kosovën e duan pjesë të Serbisë, kundërshtojnë pavarësinë dhe aspiratat ndërkombëtare

The Geopost November 16, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.