Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Rusia përdori dezinformimin për të ndikuar në negociatat e paqes me Ukrainën, synonte përjashtimin e Evropës nga bisedimet

The Geopost November 16, 2026 6 min read
Share the news

Rusia ka përdorur fushatën e saj të manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjes së huaj (FIMI) për të ndikuar në negociatat e paqes me Ukrainën, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor.

Përmes narrativave dezinformuese, Kremlini synoi ta paraqiste Evropën si pengesë për paqen, të dobësonte pozicionin negociues të Kievit dhe të nxiste përçarje mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve evropiane.

Sipas një analize të publikuar nga platforma evropiane EUvsDisinfo, makineria ruse e dezinformimit ishte aktivizuar përpara nisjes së negociatave, duke u përpjekur të ndikonte në mënyrën se si do të perceptohej procesi i paqes dhe cilat do të ishin kushtet e tij.

Në këtë strategji, Moska u përpoq ta paraqiste veten si palë të gatshme për negociata, ndërsa Evropën si faktor që pengon përfundimin e luftës. Njëkohësisht, kërkesat ruse u paraqitën si kushte të panegociueshme, me synimin për të kufizuar hapësirën e kompromisit për Ukrainën.

Sipas analizës, për Kremlinin dezinformimi nuk është thjesht koment mbi procesin diplomatik, por pjesë përbërëse e strategjisë së tij negociuese.

Përpara takimit në Abu Dhabi, zyrtarë të lartë rusë dhe komentues pro-Kremlinit përhapën mesazhin se vendet evropiane nuk duhet të jenë pjesë e negociatave ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, këmbënguli se në bisedime duhet të marrin pjesë vetëm Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara si ndërmjetës. Ai i cilësoi qëndrimet e qeverive evropiane si provokuese dhe me synim zgjatjen e luftës.

Në të njëjtën linjë u deklarua edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila tha se vendet evropiane nuk kanë vend në tryezën e negociatave.

Ndërkaq, senatori rus Alexei Pushkov pretendoi se udhëheqësit evropianë nuk po bëjnë asgjë për të mundësuar negociatat, ndërsa komentues të tjerë pro-Kremlinit i paraqitën vendet e BE-së si faktorë që do të pengonin arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Sipas EUvsDisinfo, përmes këtyre deklaratave Moska synonte të dobësonte ndikimin e Evropës në negociatat që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e saj, si dhe të krijonte përçarje ndërmjet Uashingtonit dhe partnerëve të tij evropianë.

Një rezultat i tillë do ta linte Ukrainën në pozitë më të dobët negociuese dhe do t’i jepte Rusisë më shumë hapësirë për të imponuar kërkesat e saj.

Rusia e paraqet Evropën si palë që dëshiron vazhdimin e luftës

Një tjetër element i fushatës ruse të dezinformimit ishte përpjekja për ta portretizuar Evropën si palë që nuk dëshiron paqe, por synon vazhdimin e luftës kundër Rusisë.

Në këtë narrativë, lufta e Moskës kundër Ukrainës paraqitet si një përballje më e gjerë me Evropën dhe Perëndimin, ndërsa mbështetja evropiane për Kievin interpretohet si agresion ndaj Rusisë.

Burimet pro-Kremlinit kanë përhapur pretendimin se Ukraina është vetëm një përfaqësuese e Evropës, e cila synon ta luftojë Rusinë “deri në ukrainasin e fundit”.

Po ashtu, janë promovuar pretendime se përpjekjet evropiane për armëpushim kanë një qëllim tjetër: t’i sigurojnë Ukrainës kohë për t’u riarmatosur ose për të mundësuar dërgimin e trupave perëndimore në territorin e saj.

Edhe diskutimet për krijimin e një force shumëkombëshe për garantimin e sigurisë së Ukrainës janë paraqitur nga propaganda ruse si përpjekje për pushtimin e vendit dhe cenimin e sovranitetit të tij.

Sipas analizës, këto narrativa synojnë të minojnë garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën dhe të dobësojnë mbështetjen evropiane për të.

Historia e refuzimit të propozimeve për armëpushim

Përkundër deklaratave publike të Kremlinit për gatishmërinë për paqe, EUvsDisinfo vë në pah një histori të refuzimit të propozimeve për armëpushim ose të vendosjes së kushteve shtesë nga ana e Rusisë.

Në mars të vitit 2025, Ukraina pranoi propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor, por Rusia refuzoi ta pranonte atë pa kushte shtesë.

Në maj të po atij viti, udhëheqësit evropianë kërkuan një armëpushim të plotë dhe pa kushte për 30 ditë. Presidenti rus, Vladimir Putin, e refuzoi propozimin dhe në vend të tij sugjeroi zhvillimin e bisedimeve në Stamboll, të cilat nuk sollën përparim të rëndësishëm.

Në nëntor 2025, përfaqësues të Ukrainës, SHBA-së dhe vendeve evropiane u takuan në Gjenevë për të shqyrtuar planin amerikan të paqes prej 28 pikash, por Rusia hodhi poshtë propozimet e rishikuara.

Në dhjetor të vitit 2025, Moska refuzoi edhe propozimin për armëpushim gjatë festave të fundvitit, të mbështetur nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, në mars dhe prill të vitit 2026, Ukraina propozoi armëpushim për festën e Pashkëve dhe ndalimin reciprok të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. As këto propozime nuk u pranuan nga pala ruse.

Edhe në tetor të vitit 2026, Rusia refuzoi propozimin e Ukrainës për një armëpushim 60-ditor, i cili do të mundësonte organizimin e zgjedhjeve presidenciale në vend.

Kremlini këmbënguli se synonte një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë të paqes, në vend të një ndërprerjeje të përkohshme të luftimeve.

Paqe sipas kushteve të Moskës: Territore dhe largim nga NATO

Një tjetër çështje e theksuar në analizën e EUvsDisinfo janë kushtet që Rusia i lidh me çdo proces të mundshëm paqeje.

Sa herë që Kremlini deklaron gatishmëri për negociata, ai kërkon që ato të trajtojnë atë që zyrtarët rusë e quajnë “shkaqet rrënjësore të konfliktit” dhe “interesat e sigurisë së Rusisë”.

Pas këtyre formulimeve, sipas analizës, qëndrojnë kërkesa që Ukraina të heqë dorë nga territoret, të braktisë synimin për anëtarësim në NATO dhe të pranojë kufizime të konsiderueshme në kapacitetet e saj ushtarake.

Rusia vazhdon të pretendojë sovranitet mbi katër rajone ukrainase – Donetskun, Luhanskun, Khersonin dhe Zaporizhzhjan – të cilat i shpalli të aneksuara në mënyrë të paligjshme në vitin 2022, pavarësisht se nuk i kontrollonte plotësisht.

Këto aneksime janë dënuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe nuk njihen si të ligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Sipas EUvsDisinfo, përmes fushatës së dezinformimit Rusia synon ta largojë përgjegjësinë nga vetja për luftën, të paraqesë kërkesat e saj si të domosdoshme për paqen dhe të sigurojë lëshime të mëtejshme nga Ukraina.

Në të njëjtën kohë, përpjekjet për të krijuar përçarje ndërmjet SHBA-së dhe Evropës synojnë të dobësojnë unitetin perëndimor dhe mbështetjen për Kievin.

Analiza përfundon se, për sa kohë Moska nuk tregon gatishmëri për kompromis lidhur me kërkesat e saj territoriale dhe të sigurisë, deklaratat për paqe rrezikojnë të mbeten pjesë e një strategjie komunikimi dhe presioni politik, e jo dëshmi e një vullneti real për t’i dhënë fund luftës.

The GeoPost

Tags: Evropa Rusia SHBA Ukraina

Continue Reading

Previous: Propaganda ruse përmes muzikës së gjeneruar nga AI: Mbi 86 milionë dëgjime në platformat perëndimore
Next: Ministrat e BE-së kërkojnë reagim të përbashkët ndaj sulmeve ruse që po shtrihen përtej Ukrainës

Ministrat e BE-së kërkojnë reagim të përbashkët ndaj sulmeve ruse që po shtrihen përtej Ukrainës 4 min read
  • Botë

Ministrat e BE-së kërkojnë reagim të përbashkët ndaj sulmeve ruse që po shtrihen përtej Ukrainës

The Geopost November 17, 2026
Propaganda ruse përmes muzikës së gjeneruar nga AI: Mbi 86 milionë dëgjime në platformat perëndimore 2 min read
  • Botë
  • News

Propaganda ruse përmes muzikës së gjeneruar nga AI: Mbi 86 milionë dëgjime në platformat perëndimore

The Geopost November 16, 2026
BE zbarkoi në cisternën e “flotës në hije ruse”, ajo lundronte nën flamur të rremë 2 min read
  • Botë

BE zbarkoi në cisternën e “flotës në hije ruse”, ajo lundronte nën flamur të rremë

The Geopost November 16, 2026
Bloomberg: SHBA ndryshon planet për Evropën, nuk do të tërheqë 25 mijë ushtarë 2 min read
  • Botë

Bloomberg: SHBA ndryshon planet për Evropën, nuk do të tërheqë 25 mijë ushtarë

The Geopost November 16, 2026
Rreth 350 mijë qytetarë protestojnë në Pragë kundër qeverisë së Babišit, frikë për pavarësinë e mediave publike 2 min read
  • Botë

Rreth 350 mijë qytetarë protestojnë në Pragë kundër qeverisë së Babišit, frikë për pavarësinë e mediave publike

The Geopost November 16, 2026
Estonia mbyll të gjitha pikat kufitare me Rusinë, zbulon arsyen 1 min read
  • Botë
  • News

Estonia mbyll të gjitha pikat kufitare me Rusinë, zbulon arsyen

The Geopost November 15, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.