Forcat e Bashkimit Evropian kanë hipur në bordin e një cisterne të dyshuar se i përket flotës së fshehtë ruse në Detin Mesdhe, bëri të ditur shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Sipas Kallas, pjesëtarët e misionit evropian “Operation Irini” hipën të premten në bordin e cisternës MV Midag dhe konfirmuan se anija po lundronte nën një flamur të rremë.
“BE-ja do të vazhdojë të pengojë veprimtarinë e flotës së fshehtë ruse në det dhe përmes mjeteve diplomatike”, shkroi Kallas në një postim në rrjetet sociale të dielën.
Ajo shtoi se ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së pritet të miratojnë të hënën sanksione të reja ndaj Rusisë, të cilat do të synojnë “bankat, blerësit dhe kompanitë që mbështesin flotën e fshehtë”.
Kallas publikoi gjithashtu disa fotografi që duket se tregojnë momentin e hipjes së forcave evropiane në anije.
Rusia përdor flotën e saj të fshehtë për të shmangur sanksionet perëndimore ndaj industrisë së naftës. Këto anije shfrytëzojnë struktura të ndërlikuara pronësie, flamuj të shteteve të tjera dhe metoda të ndryshme për të fshehur origjinën e ngarkesave.
Në gusht, forcat e “Operation Irini” kryen një kontroll për verifikimin e flamurit në bordin e cisternës së naftës MV Sun. Një mision i ngjashëm ishte zhvilluar edhe më herët gjatë atij muaji, duke synuar anijen MV Toa Payoh.
“Operation Irini” u krijua në mars të vitit 2020, me detyrën kryesore të zbatimit të embargos së armëve të vendosur nga Kombet e Bashkuara ndaj Libisë, gjatë Luftës së Dytë Civile në këtë vend.
Mandati fillestar i misionit përfshinte luftimin e trafikimit të paligjshëm të armëve, mbledhjen e informacioneve për kontrabandën e naftës, ndihmën në pengimin e trafikimit të migrantëve, si dhe trajnimin e institucioneve libiane përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.
Në tetor, mandati i “Operation Irini” u vazhdua deri më 31 mars 2029. Objektivat e tij përfshijnë tashmë edhe mbrojtjen e interesave të BE-së në Mesdhe dhe kontributin e mëtejshëm në paqen dhe stabilitetin në Libi.
Një nga përgjegjësitë e reja të misionit është edhe ndihma për kufizimin e veprimtarisë së flotës së fshehtë ruse, për të cilën BE-ja thotë se përdor Mesdheun si një “zonë kryesore tranziti dhe transferimi”.

Propaganda ruse përmes muzikës së gjeneruar nga AI: Mbi 86 milionë dëgjime në platformat perëndimore
BE zbarkoi në cisternën e “flotës në hije ruse”, ajo lundronte nën flamur të rremë
Bloomberg: SHBA ndryshon planet për Evropën, nuk do të tërheqë 25 mijë ushtarë
Rreth 350 mijë qytetarë protestojnë në Pragë kundër qeverisë së Babišit, frikë për pavarësinë e mediave publike
Estonia mbyll të gjitha pikat kufitare me Rusinë, zbulon arsyen
Tri organizata serbe ngrenë padi penale ndaj Vuçiqit, Daçiqit dhe Brnabiqit për Kosovën