Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Eksperti amerikan paralajmëron për rrezikun e krizës në Bosnjë: Rusia shfrytëzon veprimet destabilizuese të Dodikut

The Geopost November 12, 2026 3 min read
Share the news

Bashkëpunëtori i Lartë në Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Politikës Ndërkombëtare në Qendrën për Progresin Amerikan në Uashington, Luke Zahner, ka paralajmëruar se tensionet e pazgjidhura politike në Ballkanin Perëndimor mund të shndërrohen në kriza më të gjera të sigurisë, duke veçuar rrezikun e një përballjeje kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë dhe mundësinë e dhunës së lokalizuar në veri të Kosovës.

Në një intervistë për Telegrafin, ish-zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se këto rreziqe nuk duhet të nënvlerësohen, pasi mosmarrëveshjet e pazgjidhura krijojnë hapësirë për ndërhyrjen e aktorëve të jashtëm, veçanërisht të Rusisë.

“Nuk duhet ta nënvlerësojmë kurrë mundësinë që tensionet e pazgjidhura të shndërrohen në një krizë më të gjerë të sigurisë. Të supozosh të kundërtën do të ishte marrëzi”, ka deklaruar Zahner.

Ai ka theksuar se “rreziku i dhunës së lokalizuar, veçanërisht në veri të Kosovës, apo i një përballjeje kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë, mbetet një shqetësim serioz”.

Sipas tij, prania e forcave të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe NATO-s në rajon përbën një faktor të rëndësishëm parandalues, por menaxhimi i vazhdueshëm i krizave mund të krijojë ndjenjën e rreme të sigurisë.

“Prania relativisht e kufizuar e forcave të sigurisë së BE-së dhe NATO-s në rajon përbën një faktor të rëndësishëm parandalues, por menaxhimi i përsëritur dhe i suksesshëm i krizave mund të krijojë vetëkënaqësi dhe pakujdesi”, ka thënë ai.

Zahner ka tërhequr paralele edhe me fillimin e viteve 1990, duke paralajmëruar se supozimi se dhuna nuk mund të ndodhë mund të ketë pasoja të rënda.

Ai ka vlerësuar se Rusia përpiqet të shfrytëzojë mosmarrëveshjet në rajon për të thelluar ndarjet dhe për të dobësuar unitetin e vendeve perëndimore.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe veprimet e liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, të cilat i ka cilësuar si destabilizuese.

“Qoftë mosmarrëveshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, procesi i anëtarësimit të Malit të Zi, raportet Kosovë-Serbi apo veprimet destabilizuese të Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë, Rusia synon të shkaktojë përçarje. Ne duhet të sigurohemi që këto përpjekje të mos kenë sukses”, ka deklaruar Zahner.

Ai ka shtuar se konfliktet e pazgjidhura në Ballkan mund të shfrytëzohen nga Moska edhe përmes kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit.

“Këto konflikte paraqesin dobësi që Rusia mund t’i shfrytëzojë, në shumë raste përmes kërcënimeve hibride, sulmeve agresive kibernetike dhe taktikave të dezinformimit”, ka theksuar ai.

Duke folur për zgjidhjen e situatës në Bosnjë e Hercegovinë, Zahner ka vlerësuar se përparimi në proceset e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit mund të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që vazhdojnë ta mbajnë rajonin të paqëndrueshëm.

Sipas tij, zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të mund ta rikthente besueshmërinë e Bashkimit Evropian dhe të krijonte kushte më të mira për përparimin e procesit Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se një përparim i tillë do të mund të ndihmonte edhe në adresimin e çështjeve kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë.

“Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë krijimin e një vrime të zezë në Evropë dhe as t’i lërë këto konflikte të pazgjidhura të vazhdojnë të acarohen, sepse ato kanë një prirje të keqe që të kalojnë shumë shpejt nga çështje dytësore në çështje urgjente”, ka deklaruar Zahner.

Në fund, ai ka kërkuar angazhim më të koordinuar të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e konflikteve të hapura në rajon.

Si tri prioritete të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, Zahner ka renditur zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, avancimin e normalizimit Kosovë-Serbi me njohjen e ndërsjellë si synim përfundimtar dhe zgjidhjen e çështjeve kushtetuese të pazgjidhura në Bosnjë e Hercegovinë.

Tags: Bosnje dhe Hercegovina Milorad Dodik Rusia

Continue Reading

Previous: “Rusia do t’i mbijetojë Vuçiqit” – zyrtari amerikan paralajmëron për rrjetet e Moskës në Serbi

“Rusia do t’i mbijetojë Vuçiqit” – zyrtari amerikan paralajmëron për rrjetet e Moskës në Serbi 3 min read
  • Ballkan

“Rusia do t’i mbijetojë Vuçiqit” – zyrtari amerikan paralajmëron për rrjetet e Moskës në Serbi

The Geopost November 12, 2026
Lavrov pret vazhdimësinë e partneritetit strategjik me Serbinë: Rusia mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjeve 1 min read
  • Ballkan

Lavrov pret vazhdimësinë e partneritetit strategjik me Serbinë: Rusia mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjeve

The Geopost November 12, 2026
Njeriu i afërt i Vuçiqit dhe Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviq, largohet drejt Turqisë në kohën e arrestimeve në Serbi 3 min read
  • Ballkan

Njeriu i afërt i Vuçiqit dhe Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviq, largohet drejt Turqisë në kohën e arrestimeve në Serbi

The Geopost November 11, 2026
Çanak: Vuçiqi do të vazhdojë të ketë ndikim në Serbi edhe pas largimit nga pushteti 2 min read
  • Ballkan

Çanak: Vuçiqi do të vazhdojë të ketë ndikim në Serbi edhe pas largimit nga pushteti

The Geopost November 11, 2026
Aksion i madh policor në aeroportin e Beogradit, arrestohet ish-ministri i Vuçiqit 2 min read
  • Ballkan

Aksion i madh policor në aeroportin e Beogradit, arrestohet ish-ministri i Vuçiqit

The Geopost November 11, 2026
Mikhail Bogachek propozohet për ambasador të ri amerikan në Kosovë 2 min read
  • Ballkan

Mikhail Bogachek propozohet për ambasador të ri amerikan në Kosovë

The Geopost November 11, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.