Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Serbia do ta ketë shumë të vështirë të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nëse nuk përafron politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së, përfshirë qëndrimin ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Serbia mund të anëtarësohet në BE pa vendosur sanksione ndaj Rusisë, Kos theksoi se mospërputhja me qëndrimet evropiane për çështjet strategjike do të përbënte pengesë për përparimin e vendit.
“Një vend që nuk përafrohet me ne për çështje me interes strategjik, si politika e jashtme dhe e sigurisë, përfshirë luftën e përbashkët kundër Rusisë, veçanërisht në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë, nuk do të mund të përparojë. Kjo do të jetë shumë, shumë e vështirë”, deklaroi ajo.
Megjithatë, ajo bëri të ditur se Bashkimi Evropian ende nuk ka nisur bisedimet me qeverinë e re të Serbisë.
Sipas saj, fillimisht duhet të formohet qeveria e re në Beograd, pas së cilës do të vlerësohet nëse dhe si mund të vazhdojë bashkëpunimi me Serbinë në këtë drejtim.
Ndryshe, lista e mbështetur nga studentët ka fituar zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke mposhtur bllokun politik të ish-presidentit, Aleksandar Vuçiq.
Sipas rezultateve paraprake, lista studentore ka siguruar 52,71 për qind të votave, ndërsa koalicioni i Vuçiqit 39,17 për qind.
The GeoPost

Stradner: Fitorja e studentëve nuk garanton shkëputjen e Serbisë nga ndikimi rus
“Diçka e pazakontë po ndodh natën”: Dyshime për shkatërrimin e dokumenteve në institucione në Serbi dhe Kosovë
Ish-deputeti serb kërkon dorëheqjen e Petar Petkoviqit dhe hetim për paratë e destinuara për serbët në Kosovë
Lista Studentore kërkon dorëheqjen e krerëve të policisë, shërbimeve sekrete dhe gjyqësorit në Serbi
Gunta Sloga: Bashkëpunimi rajonal është kyç në luftën kundër dezinformimit rus
Dyshime tronditëse për ekonominë serbe: Miliardat nga droga fryjnë PBB-në e Serbisë