Rektori i Universitetit të Beogradit, Vladan Dokiq, ka bërë të ditur se në telefonin e tij është zbuluar programi spiun Pegasus, duke e cilësuar rastin si përpjekje për frikësim dhe pengim të qëndrimeve kritike ndaj autoriteteve në Serbi.
“Programi spiun ‘Pegasus’ në telefonin tim është një tjetër përpjekje për frikësim, me synimin për të parandaluar çdo qëndrim kritik dhe veprim publik”, ka deklaruar Dokiq në një reagim me shkrim, duke kërkuar nga autoritetet një hetim urgjent.
Prania e programit spiun në telefonin e rektorit është konfirmuar nga një analizë e përbashkët mjeko-ligjore e organizatës kanadeze Citizen Lab dhe Fondacionit SHARE nga Serbia.
Dokiq kishte mbështetur protestat studentore në Serbi dhe më pas përfshirjen e lëvizjes studentore në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.
Rektori ka theksuar se rasti nuk përbën vetëm një sulm ndaj tij personalisht, por ngre shqetësime më të gjera për privatësinë dhe sigurinë e komunikimeve të tij.
“Kjo i bën të gjithë ata gjithashtu objektiva të keqpërdorimit të teknologjive të mbikëqyrjes”, ka thënë ai, duke iu referuar personave me të cilët komunikon.
Dyshime për përgjim edhe ndaj një prokurori
Sipas raportimit të shërbimit serb të BBC-së më 19 tetor, edhe prokurori i lartë Rade Bajić, i cili ka punuar në rastin e njohur si “Shtabi i Përgjithshëm”, kishte marrë gjatë gushtit njoftime nga kompania Apple për sulme të mundshme ndaj pajisjes së tij.
Analizat mjeko-ligjore për rastin e Bajićit janë ende në zhvillim, por raportet, sipas BBC-së, tregojnë me një shkallë të lartë besueshmërie se edhe telefoni i tij mund të jetë infektuar me programe spiune.
Ndërkohë, Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Serbisë (BIA) dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk iu përgjigjën kërkesës urgjente të Radio Evropa e Lirë për koment lidhur me akuzat për përgjime të paligjshme.
Të paktën 14 raste të konfirmuara gjatë vitit 2026
Rasti i Dokiqit nuk është i pari në Serbi ku përfaqësues të opozitës, aktivistë, gazetarë dhe kritikë të pushtetit pretendojnë se janë vënë nën mbikëqyrje.
Në fillim të shtatorit, një analizë e pavarur mjeko-ligjore, e realizuar nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, konfirmoi se politikanë të opozitës dhe përfaqësues të lëvizjes studentore ishin shënjestruar me programe spiune.
Sipas të dhënave të raportuara, që nga fillimi i vitit 2026 janë konfirmuar të paktën 14 raste të përdorimit të programeve të përgjimit të paligjshëm.
Opozita dhe studentët kanë akuzuar autoritetet serbe për përgjim të kundërshtarëve politikë. Zyrtarët shtetërorë i kanë mohuar këto akuza, ndërsa BIA i ka cilësuar pretendimet për spiunazh si “sensacionalizëm të thjeshtë”.
Deri më tani, akuzat nuk përbëjnë në vetvete provë se kush qëndron pas rasteve të identifikuara.
Çfarë është Pegasus?
Pegasus është një program i avancuar spiunazhi, i zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group, i cili mund të depërtojë në telefona pa qenë e nevojshme që përdoruesi të klikojë në ndonjë lidhje apo të kryejë ndonjë veprim.
Pas instalimit, programi mund të sigurojë qasje në mesazhe, kontakte, fotografi dhe të dhëna nga aplikacionet. Në varësi të mënyrës së infektimit dhe pajisjes, ai mund të mundësojë edhe aktivizimin e fshehtë të mikrofonit ose kamerës.
Sipas modelit të deklaruar të biznesit të NSO Group, klientët e saj janë shtete dhe institucione shtetërore të sigurisë, jo individë privatë. Kompania ende nuk ka komentuar akuzat e fundit për përgjime në Serbi.
Në mesin e vitit 2025, pas një hetimi të Amnesty International, NSO Group nuk konfirmoi nëse Serbia ishte ose kishte qenë klient i saj, apo nëse Pegasus ishte përdorur për përgjime të paligjshme në vend. Kompania deklaroi se nuk komentonte për klientë specifikë apo të mëparshëm, duke iu referuar detyrimeve të konfidencialitetit.
Zbulimi i Pegasusit në telefonin e rektorit të Universitetit të Beogradit dhe dyshimet për përgjimin e një prokurori vijnë në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, kur lëvizja studentore dhe opozita po sfidojnë pushtetin.
Rasti ka shtuar shqetësimet për privatësinë, lirinë e shprehjes dhe mundësinë e përdorimit të teknologjive të mbikëqyrjes kundër personave të përfshirë në jetën publike.
The GeoPost

Demokratët Evropianë alarmohen për Pegasusin në Serbi: Përgjimet kërcënojnë demokracinë
Kompania serbe që dërgoi ekskavatorë në “Çaciland” fitoi kontratë 1.1 milion euro nga NIS-i
Kur mbushet kupa: Përulja e Vuçiqit para Mladiqit e parkoi Serbinë pranë rrugës evropiane
Tragjedia e shqiptarëve të vrarë përdoret në përplasjet politike në Serbi
A do të ketë zgjedhje të drejta në Serbi fundjavën e ardhshme?
“Njeriu i fortë i Putinit që kapet pas pushtetit”, “The Times”: Vuçiqi po lufton për të ruajtur kontrollin