Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Kompania serbe që dërgoi ekskavatorë në “Çaciland” fitoi kontratë 1.1 milion euro nga NIS-i

The Geopost October 19, 2026 4 min read
Share the news

Kompania serbe e ndërtimit “Dzhimi Komerc”, e cila dërgoi ekskavatorë përreth kampit të mbështetësve të pushtetit në Serbi, të njohur si “Çaciland”, ka nënshkruar kontratë me vlerë 1.1 milion euro me kompaninë Naftagas, në pronësi të NIS-it. 

Sipas një hulumtimi të BIRN-it, ekzistojnë dëshmi se kompania ka faturuar orë pune gjatë të cilave makineritë nuk ishin të angazhuara, ndërsa bashkëpronësja e saj ka denoncuar drejtorin për kërcënime.

Kompania, me seli në Sombor, u përfshi në mobilizimin e mbështetësve të Partisë Progresive Serbe (SNS) përpara protestës së madhe të 15 marsit 2025 në Beograd, e organizuar nga lëvizja studentore pas tragjedisë në Novi Sad, ku 16 persona humbën jetën nga shembja e një tende në stacionin hekurudhor.

Sipas BIRN-it, ekskavatorët dhe traktorët u vendosën përreth kampit në Parkun Pionirski, të njohur si “Çaciland”, i cili shërbeu si zonë tampon ndërmjet protestuesve dhe ndërtesës së Presidencës së Serbisë.

Në këtë mobilizim u përfshi edhe kompania “Dzhimi Komerc”, e drejtuar nga Mile Samardzhija, 63 vjeç, i cili për vite me radhë ka mbështetur hapur SNS-në në pushtet.

Hulumtimi i BIRN-it zbulon se në janar të vitit 2026, kompania nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Naftagas, me vlerë maksimale prej 130 milionë dinarësh, apo rreth 1.1 milion euro, pa TVSH, për dhënien me qira të makinerive të punës dhe ofrimin e shërbimeve të transportit.

Megjithëse kontrata është e vlefshme deri në fund të vitit 2027, dokumentacioni i siguruar nga BIRN-i tregon se nga janari deri në shtator të vitit 2026, kompanisë i janë faturuar afro 92 milionë dinarë, rreth 70 për qind e vlerës së përgjithshme të kontratës.

Sipas një punonjësi të kompanisë, i cili ka folur në kushte anonimiteti, në disa raste janë regjistruar dhe faturuar më shumë orë pune sesa makineritë kanë punuar në të vërtetë.

BIRN-i ka siguruar regjistra ditorë ku figurojnë ditë pune prej 21 apo 22 orësh, ndërsa në një rast, më 31 mars 2026, janë faturuar 24 orë pune për një ditë.

“Ka pasur ditë kur asnjë makinë nuk ishte e angazhuar, ose angazhimi ishte shumë i vogël, por ne regjistronim pesë orë pune pavarësisht kësaj”, ka deklaruar punonjësi për BIRN-in.

Një burim tjetër i njohur me veprimtarinë e kompanisë ka thënë se synimi ishte të nxirreshin sa më shumë para nga kontrata përpara shitjes së mundshme të NIS-it.

Bozho Drashkoviq, ish-anëtar i Bordit të Agjencisë Kundër Korrupsionit në Serbi, e ka cilësuar këtë rast si shembull të një aleance ndërmjet bizneseve të caktuara dhe partisë në pushtet, ku lidhjet politike mundësojnë përfitime ekonomike.

Sipas tij, disa kompani vënë në dispozicion të partive në pushtet makineri, automjete dhe punëtorë, duke e shndërruar aktivitetin ekonomik në një biznes të favorizuar nga lidhjet politike.

Kërcënimet ndaj bashkëpronares

Hulumtimi i BIRN-it trajton edhe konfliktin ndërmjet Samardžijas dhe bashkëpronares së kompanisë, Ljiljana Tesliq, e cila e ka denoncuar drejtorin në polici për kërcënime.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga BIRN-i, Teslić ka raportuar dy incidente, më 25 shtator 2025 dhe më 21 janar 2026. Ajo ka pretenduar se Samardžija e kishte kërcënuar, ndërsa një punonjës tjetër i kompanisë ka konfirmuar në polici një pjesë të pretendimeve të saj.

Në një letër drejtuar Departamentit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, avokatja e Tesliq ka shkruar se Samardžija, me mbështetjen dhe ndihmën e përfaqësuesve të SNS-së, po përpiqej ta largonte bashkëpronaren nga kompania dhe t’i merrte pjesën e saj të pronësisë.

Policia ngriti një kallëzim penal ndaj Samardžijas, por Prokuroria Themelore Publike në Sombor e hodhi poshtë atë. Në vendimin e prillit 2026, prokurori vlerësoi se nuk bëhej fjalë për veprën penale të rrezikimit të sigurisë, pasi kërcënimet e pretenduara ishin bërë në kuadër të një mosmarrëveshjeje për blerjen e një parcele toke.

Tesliq nuk pranoi të komentonte hollësisht për BIRN-in, duke deklaruar se dokumentacionin dhe informacionet përkatëse ua kishte dorëzuar institucioneve kompetente.

Ndërkohë, sipas BIRN-it, Samardžija nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara me mesazhe dhe përmes adresës elektronike të kompanisë. As NIS-i nuk iu përgjigj pyetjeve deri në publikimin e hulumtimit.

Raporti ngre pikëpyetje për lidhjet ndërmjet biznesit dhe pushtetit në Serbi, përdorimin e burimeve të kompanive private në aktivitetet partiake dhe mënyrën e faturimit të kontratave me ndërmarrjet e lidhura me sektorin shtetëror.

Continue Reading

Previous: Kur mbushet kupa: Përulja e Vuçiqit para Mladiqit e parkoi Serbinë pranë rrugës evropiane

Kur mbushet kupa: Përulja e Vuçiqit para Mladiqit e parkoi Serbinë pranë rrugës evropiane 12 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Kur mbushet kupa: Përulja e Vuçiqit para Mladiqit e parkoi Serbinë pranë rrugës evropiane

The Geopost October 19, 2026
Tragjedia e shqiptarëve të vrarë përdoret në përplasjet politike në Serbi 3 min read
  • Ballkan
  • News

Tragjedia e shqiptarëve të vrarë përdoret në përplasjet politike në Serbi

The Geopost October 18, 2026
A do të ketë zgjedhje të drejta në Serbi fundjavën e ardhshme? 9 min read
  • Ballkan
  • News

A do të ketë zgjedhje të drejta në Serbi fundjavën e ardhshme?

The Geopost October 18, 2026
“Njeriu i fortë i Putinit që kapet pas pushtetit”, “The Times”: Vuçiqi po lufton për të ruajtur kontrollin 3 min read
  • Ballkan
  • News

“Njeriu i fortë i Putinit që kapet pas pushtetit”, “The Times”: Vuçiqi po lufton për të ruajtur kontrollin

The Geopost October 18, 2026
Si po ndryshon peizazhi mediatik në Serbi: Ndikimi i Vuçiqit dhe lufta për kontrollin e mediave 4 min read
  • Ballkan
  • News

Si po ndryshon peizazhi mediatik në Serbi: Ndikimi i Vuçiqit dhe lufta për kontrollin e mediave

The Geopost October 18, 2026
Pesë luftanije të NATO-s zbarkojnë në Orikum, gati për stërvitjen e përbashkët ushtarake 1 min read
  • Ballkan
  • News

Pesë luftanije të NATO-s zbarkojnë në Orikum, gati për stërvitjen e përbashkët ushtarake

The Geopost October 18, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.