Gjykata e Lartë në Suboticë e ka dënuar me vetëm një vit burgim, të cilin do ta vuajë në shtëpi, një anëtar të një grupi prej shtatë personash që dyshohet se siguronte dhe transportonte eksplozivë, pajisje shpërthyese dhe dronë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Personi me inicialet D.A. është dënuar pasi pranoi se, kundrejt 500 eurove, kishte transportuar një dron luftarak me rreze të gjatë veprimi, të pajisur me mekanizma shpërthyes.
Vendimi, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, tregon se D.A. kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Lartë Publike në Suboticë më 8 shtator, ndërsa gjykata e kishte dënuar tri ditë më vonë.
Ai u shpall fajtor për prodhim, mbajtje, bartje dhe trafikim të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Sipas aktgjykimit, D.A. kishte transportuar mjetin shpërthyes gjatë muajit maj dhe më 29 maj e kishte dorëzuar në destinacionin e përcaktuar. Destinacioni është fshehur në versionin e anonimizuar të vendimit.
Dënimi prej një viti do të vuhet në shtëpi, ndërsa në të është llogaritur edhe koha që D.A. kishte kaluar në paraburgim që nga 6 gushti. Ai, sipas të dhënave të publikuara në vendim, nuk ishte dënuar më parë.
Rasti merr rëndësi për shkak të dyshimeve që autoritetet serbe kanë ngritur ndaj grupit në tërësi.
Prokuroria në Suboticë ka thënë se gjatë hetimit kishte zbuluar një grup të organizuar që “siguronte dhe magazinonte eksploziv, pajisje shpërthyese dhe dronë në territorin e Serbisë”, për t’i transportuar më pas drejt vendeve të BE-së.
Në mesin e të hetuarve janë edhe shtetasit serbë Danilo B. dhe Sllobodan Gj., për të cilët mediat gjermane kanë raportuar se dyshohet se ishin rekrutuar nga shërbimet ruse dhe kishin planifikuar vendosjen e eksplozivit në Gjermani.
Hetuesit gjermanë po shqyrtojnë gjithashtu lidhjet e mundshme të tyre me një rast të tentativës së sabotimit në aeroportin Lajpcig/Hale, ku në gusht u gjet një dron pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave.
Hetimi në Serbi lidhet edhe me eksplozivin e gjetur në prill pranë kufirit serbo-hungarez, në afërsi të gazsjellësit përmes të cilit transportohet gazi rus drejt Hungarisë. Autoritetet serbe kishin njoftuar atëherë për një tentativë të dyshuar sabotimi, ndërsa më vonë prokuroria e Suboticës e zgjeroi hetimin në shtatë persona.
Pavarësisht këtyre dyshimeve dhe përfshirjes së D.A. në transportin e një mjeti shpërthyes, gjykata në Suboticë i ka shqiptuar atij vetëm një vit burgim në shtëpi.
Rasti mbetet pjesë e një hetimi më të gjerë, ndërsa lidhjet e pretenduara me operacionet ruse në Evropë janë raportuar kryesisht nga mediat gjermane dhe nuk janë konfirmuar publikisht nga autoritetet gjermane.
The GeoPost

Vulin paralajmëron kandidaturën për president të Serbisë – “Bota Serbe” dhe Rusia në qendër të platformës
Diaspora serbe përballë Vuçiqit: Letër kongresistit amerikan Joe Wilson për pengesat në votim
Nga Biljana Plavshiq te Ratko Mlladiqi: Kisha Serbe mbron krimet e luftës dhe nderon të dënuarit për krime
BE-ja përgatitet për zgjerim: Integrim më i hershëm, por edhe masa më të ashpra pas anëtarësimit
“29 nga 72 diplomatët rusë janë të lidhur me inteligjencën – politologu zbulon rrjetin e ndikimit të Moskës në Serbi
BE-ja kërkon distancim nga Moska, Vuçiq i premton Putinit më shumë bashkëpunim