Mali i Zi po përballet me shtyrjen e mbylljes së kapitujve të rinj të negociatave me Bashkimin Evropian, pasi disa shtete anëtare ende nuk kanë dhënë pëlqimin për vazhdimin e procesit.
Kjo vë në pikëpyetje planin e Podgoricës për t’i përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit dhe për t’i hapur rrugë anëtarësimit në BE në vitin 2028, raporton N1.
Holanda ka kërkuar pauzë në procesin e mëtejshëm të integrimit të Malit të Zi, duke përmendur nevojën për analiza shtesë dhe zbatim më të qëndrueshëm të standardeve evropiane. Kërkesës së saj i janë bashkuar Kroacia, Estonia, Lituania dhe Letonia, sipas burimeve diplomatike jozyrtare në Bruksel. Një zyrtar i Këshillit të BE-së tha se shtyrja lidhet kryesisht me mungesën e kohës për përfundimin e procedurave kombëtare.
Megjithatë, burime diplomatike të Radio Evropës së Lirë thonë se arsyet nuk janë vetëm teknike. Sipas tyre, reagimet e disa politikanëve malazezë pas vdekjes dhe gjatë varrimit të Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid, kanë ndikuar në qëndrimin e disa vendeve anëtare ndaj avancimit të mëtejshëm të Malit të Zi. Qeveria kroate dënoi ngushëllimet e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, për vdekjen e Mlladiqit.
Sipas burimeve diplomatike, disa shtete anëtare kërkojnë verifikime shtesë për përmbushjen e kritereve kryesore, ndërsa mes vendeve të BE-së ka dallime rreth vazhdimit të negociatave. Megjithatë, ekziston mundësia që kapituj të rinj të mbyllen në fund të javës së ardhshme, ndonëse data zyrtare e konferencës ndërqeveritare dhe pëlqimi i të gjitha 27 shteteve anëtare ende nuk janë konfirmuar. Nëse nuk arrihet marrëveshje, mundësia e radhës mund të jetë në tetor.
Shtyrja vjen në një kohë kur Mali i Zi po përpiqet të zgjidhë çështjet dypalëshe me Kroacinë, përfshirë kufirin detar, pronësinë mbi anijen shkollore “Jadran”, çështjet e dëmshpërblimeve të luftës dhe personave të zhdukur, si dhe pozitën e komunitetit kroat në Mal të Zi. Marrëdhëniet janë tensionuar edhe nga rezoluta për gjenocidin në kampet e Jasenovacit, Dahaut dhe Mauthauzenit, të miratuar nga parlamenti malazez në vitin 2024.
Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave, përfshirë gjashtë gjatë këtij viti. Qeveria e kryeministrit Milojko Spajiq planifikon t’i mbyllë 15 kapitujt e mbetur deri në fund të dhjetorit, ndërsa gjatë vitit 2027 të përfundojë procedurat për nënshkrimin dhe ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit, me synimin që Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028.

Prokuroria në Serbi hap çështje kundër shefit të BIA-s bazuar në një raport nga avokati Niniq
KE-ja ngre alarmin për Serbinë: Korrupsioni, kapja e shtetit, frikësimi dhe sulmet ndaj gazetarëve mbeten probleme serioze
Hungaria ndalon programin shumëmilionësh të Orbanit dhe Dodikut për Republikën Srpska
Shtetet kërcënojnë me bojkot për shkak të rikthimit të Rusisë në garat e hokejit
Raporti i KE-së për Bosnjën, Çerimagiq: Dodiku po thellon lidhjet me Moskën dhe po sfidon institucionet shtetërore
Picula ngre çështjen e Serbisë në Parlamentin Evropian: A do të sjellë ndryshimi i pushtetit orientim të ri në politikën e jashtme?