Screenshot
Një shtetas rus është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me një sërë akuzash federale për një skemë të dyshuar kibernetike që synonte rreth 80 mijë përdorues të një platforme të njohur për punësim të profesionistëve të pavarur.
Sipas aktakuzës së ngritur nga një juri federale në SHBA dhe të bërë publike së fundmi, Searzhudin Tamirlanovich Aktulaev, 40 vjeç, dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë për të shfrytëzuar sistemin e mesazheve të platformës së punësimit dhe për të shpërndarë programe keqdashëse te përdoruesit.
Aktakuzat lidhen me periudhën nga qershori i vitit 2016 deri në nëntor të vitit 2017. Sipas autoriteteve amerikane, rreth 255 llogari të rreme janë përdorur për t’u dërguar përdoruesve mesazhe që përmbanin dokumente të dëmshme në formatin Microsoft Excel.
Kur dokumentet hapeshin, përdoruesit nxiteshin të aktivizonin një makro, e cila më pas shkarkonte malware nga interneti dhe mundësonte komprometimin e kompjuterit.
Aktulaev akuzohet se ka përdorur të paktën dy lloje malware-sh: TVRAT, i njohur edhe si TVSPY ose TeamSpy, dhe DarkVNC.
Sipas aktakuzës, TVRAT shfrytëzonte një dobësi në TeamViewer, një program të përdorur për administrim në distancë të kompjuterëve, për t’u dhënë autorëve kontroll të largët mbi pajisjet e infektuara. DarkVNC kishte funksionalitet të ngjashëm, por shfrytëzonte programin VNC Viewer.
Të dy programet dyshohet se dërgonin të dhënat e vjedhura nga kompjuterët e viktimave drejt serverëve të kontrollit, prej nga ato mblidheshin dhe më pas përdoreshin nga Aktulaev dhe bashkëpunëtorët e tij për mashtrime dhe aktivitete të tjera kriminale.
Autoritetet amerikane thonë se domenet e përdorura për kontrollin e malware-ve paguheshin me kriptomonedha. Mijëra kompjuterë të infektuar me TVRAT raportohet se komunikonin me një domen të kontrollit të vendosur në Shtetet e Bashkuara.
Rreth gjysma e viktimave besohet të kenë qenë në SHBA, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre ndodheshin në Distriktin Verior të Kalifornisë.
Hetuesit gjetën gjithashtu një bazë të dhënash në serverin e kontrollit, ku ishin regjistruar mijëra viktima. Në një dokument të përbashkët të lidhur me llogarinë e emailit të përdorur në aktivitetin e dyshuar kriminal, autoritetet gjetën kredenciale për hyrje në platforma të tregtisë elektronike, si dhe të dhëna personale të qindra viktimave.
Aktulaev u arrestua në Qipro në maj të vitit 2025 dhe u ekstradua në SHBA më 28 gusht 2026. Të mërkurën ai u paraqit për herë të parë para një gjykate federale në San Francisko dhe u la në paraburgim federal.
Çështja po ndiqet nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, ndërsa hetimi është zhvilluar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI).
Aktulaev pritet të paraqitet sërish para gjykatës më 5 tetor 2026, për një seancë mbi statusin e çështjes, para gjyqtarit federal James Donato.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me dënime të ndryshme për akuzat, përfshirë deri në 20 vjet burgim për komplot për mashtrim përmes komunikimeve elektronike, deri në 10 vjet për transmetimin e programeve dhe komandave që shkaktojnë dëme ndaj kompjuterëve të mbrojtur, si dhe dënime të tjera për mashtrim kompjuterik dhe vjedhje të identitetit.
The Geo Post

Gjermania heton lidhje me Serbinë dhe Poloninë pas dronit me eksplozivë në Leipzig
Trump: SHBA-ja kontrollon Hormuzin, shumë anije të ngarkuara me naftë po kalojnë
Sulmi ndaj aeroportit të Leipzigut: Gjermania identifikon dy persona të lidhur me Rusinë
Kallas për sulmin e dyshuar rus ndaj aeroportit gjerman: Terrorizëm i sponsorizuar nga shteti
Rutte: NATO në solidaritet të plotë me Gjermaninë pas sulmit hibrid rus në Leipzig
Gjermania akuzon zyrtarisht Rusinë për sabotazhin në Leipzig – mbyllet konsullata ruse në Bon dhe shtrëngohen kontrollet