Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Wikoff: KFOR-i s’ka mandat për të përcaktuar nëse ura mbi Ibër hapet, vendimi u takon BE-së dhe Kosovës

The Geopost August 26, 2026 4 min read
Share the news

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali George Wikoff, ka deklaruar se KFOR-i nuk ka mandat të vendosë nëse Ura kryesore mbi lumin Ibër duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve, duke theksuar se një vendim i tillë u takon Bashkimit Evropian dhe institucioneve përkatëse të Kosovës.

Wikoff ka sqaruar se vendimet për praninë e trupave të KFOR-it në urë bazohen ekskluzivisht në vlerësimet e NATO-s për situatën e sigurisë në terren.

“Vendimet sa i përket prezencës së KFOR-it në Urën e Mitrovicës janë të bazuara në vlerësimin tonë të situatës së sigurisë. KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo u takon BE-së dhe institucioneve përkatëse të Kosovës për të përcaktuar pasi KFOR-i ta përfundojë praninë e saj të përhershme në urë”, ka thënë Wikoff.

Ai ka bërë të ditur se, edhe pas përfundimit të pranisë së përhershme në urë, personeli i KFOR-it do të vazhdojë të jetë i pranishëm në zonat përreth.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur KFOR-i ka nisur një proces gradual të tërheqjes së pranisë së përhershme nga Ura e Ibrit, pjesë e një procesi më të gjerë që misioni i NATO-s e quan “optimizim të dislokimit”.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka bërë të ditur se procesi ka për qëllim përshtatjen e pranisë së misionit me situatën aktuale të sigurisë në Kosovë.

“KFOR-i aktualisht është duke kaluar nëpër një proces të optimizimit të dislokimit të tij, siç u njoftua më 12 qershor 2026. Kjo bëhet për të siguruar që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij”, thuhet në njoftim.

Sipas KFOR-it, procesi po zhvillohet në mënyrë graduale dhe në koordinim me institucionet e Kosovës, Bashkimin Evropian, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Në këtë proces, KFOR-i ka deklaruar se angazhon edhe aktorët vendorë dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.

Megjithatë, NATO ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të këtij procesi.

“Procesi mund të përmbyset, nëse kjo kërkohet nga zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka deklaruar se misioni i NATO-s mbetet i përkushtuar për garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

“Përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë është i palëkundur, siç dëshmohet nga prania e vazhdueshme dhe e dukshme e personelit tonë në terren, përfshirë përmes patrullimeve të rregullta, pikave të vëzhgimit dhe angazhimeve me komunitetet lokale”, ka thënë Ulutash.

Ai ka shtuar se aktivitetet e përditshme të KFOR-it do të zhvillohen duke marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve.

KFOR-i ka bërë të ditur se, ndërsa po redukton gradualisht praninë e përhershme në Urën e Ibrit, mund të rrisë praninë e tij në zona të tjera, pa e kufizuar këtë vetëm në Mitrovicën e Veriut apo në veriun e Kosovës.

Sipas misionit të NATO-s, largimi gradual nga prania e përhershme në urë është pjesë e vlerësimit të situatës së sigurisë dhe pasqyron, sipas KFOR-it, përmirësimin e gjendjes në terren.

“KFOR-i do të vazhdojë të vlerësojë rregullisht situatën në terren dhe të mbajë një dislokim të përshtatur për të kontribuar në sigurinë afatgjatë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

KFOR-i më 10 gusht kishte njoftuar për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga Ura e Ibrit. Paralelisht, misioni ka nisur edhe integrimin gradual të Policisë së Kosovës në strukturën e sigurisë së Manastirit të Deçanit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar të dielën se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in lidhur me hapjen e plotë të urës kryesore mbi Ibër dhe kalimin e kontrollit të saj në duart e Policisë së Kosovës.

Sipas tij, pas ndërtimit të urave të reja mbi lumin Ibër, mbajtja e urës kryesore të mbyllur për qarkullimin e automjeteve është bërë e pakuptimtë.

“Pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur”, ka thënë Kurti, duke argumentuar se qarkullimi në urat e reja nuk ka prodhuar rritje të incidenteve apo tensioneve.

Ai ka vlerësuar se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave ndikon pozitivisht jo vetëm në ekonomi, por edhe në paqe dhe siguri.

The GeoPost

Tags: George Wikoff KFOR Kosova NATO

Continue Reading

Previous: AKTAKUZA E PLOTË: Fatmir Sheholli zbatoi planin e përgatitur nga zyrtari i BIA-s me synim dëmtimin e interesave të Kosovës
Next: Thirrja që SHBA-ja ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe, reagon Murphy: Çmenduria më e madhe e shkruar për Bosnjën

Çerimagiq: Përmes Vulinit, Serbia promovon mbështetjen ruse për Vuçiqin dhe projektin e “Botës Serbe” 3 min read
  • Ballkan
  • News

Çerimagiq: Përmes Vulinit, Serbia promovon mbështetjen ruse për Vuçiqin dhe projektin e “Botës Serbe”

The Geopost October 11, 2026
Rusia, BE-ja, Kina, SHBA-ja: Kah cili vend anojnë 18 listat zgjedhore në Serbi? 15 min read
  • Ballkan
  • News

Rusia, BE-ja, Kina, SHBA-ja: Kah cili vend anojnë 18 listat zgjedhore në Serbi?

The Geopost October 11, 2026
Nga Banjska deri te “Bota Serbe”, zbulohet plani i Vuçiqit dhe Vulinit për destabilizimin e Ballkanit! 2 min read
  • Ballkan
  • News

Nga Banjska deri te “Bota Serbe”, zbulohet plani i Vuçiqit dhe Vulinit për destabilizimin e Ballkanit!

The Geopost October 11, 2026
Bosnje dhe Hercegovina pas zgjedhjeve: Mes Rusisë dhe Perëndimit 9 min read
  • Ballkan
  • News

Bosnje dhe Hercegovina pas zgjedhjeve: Mes Rusisë dhe Perëndimit

The Geopost October 11, 2026
Ish-ministri gjerman për deklaratën e Daçiç-it: Kjo rrugë çon drejt luftës, jo BE-së 1 min read
  • Ballkan
  • News

Ish-ministri gjerman për deklaratën e Daçiç-it: Kjo rrugë çon drejt luftës, jo BE-së

The Geopost October 11, 2026
Studentët në protestë në Nish, Demokratët Evropianë: Vuçiqi po ndjek gjurmët e Orbanit 1 min read
  • Ballkan
  • News

Studentët në protestë në Nish, Demokratët Evropianë: Vuçiqi po ndjek gjurmët e Orbanit

The Geopost October 11, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.