Rusia ka intensifikuar retorikën kundër bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke iu bashkuar narrativës së Serbisë, e cila prej muajsh e ka cilësuar këtë iniciativë si një kërcënim për sigurinë rajonale.
Në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse TASS, drejtori i Departamentit të Dytë Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, Yuri Pilipson, e përshkroi deklaratën trepalëshe të nënshkruar në mars të vitit 2025 si një përpjekje për krijimin e një “kuazi-blloku ushtarak” në Ballkan.
Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës përfaqëson një vazhdim të politikës së NATO-s për militarizimin e rajonit.
“Krijimi i një kuazi-blloku ushtarak të përbërë nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova e vetëshpallur është një tjetër shembull i zbatimit të politikës së NATO-s për militarizim të përshpejtuar”, deklaroi Pilipson.
Diplomati rus përsëriti pothuajse të njëjtin qëndrim që autoritetet serbe kanë shprehur që nga nënshkrimi i deklaratës, duke pretenduar se bashkëpunimi ushtarak ndërmjet tri vendeve ka karakter të theksuar anti-serb.
Sipas tij, krijimi i një boshti Zagreb-Tiranë-Prishtinë përbën një faktor destabilizues për rajonin.
“Kjo çon në mënyrë të pashmangshme në përshkallëzim në Ballkan, sepse krijimi i një boshti të mbyllur Zagreb-Tiranë-Prishtinë, në rrethana kur aleatët e sapokrijuar nuk kanë marrëdhënie harmonike me fqinjët e tyre, është një faktor që i tensionon më tej marrëdhëniet në rajon”, tha ai.
Pilipson shprehu kundërshtimin edhe ndaj forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke pretenduar se zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës bie ndesh me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ai paralajmëroi gjithashtu kundër përpjekjeve për ta afruar Kosovën me strukturat euroatlantike, duke theksuar se anëtarësimi në NATO kërkon pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare.
Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë u nënshkrua më 18 mars 2025 në Tiranë nga ministrat e mbrojtjes të tri vendeve.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë, dokumenti synon forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore, mbështetjen e integrimit euroatlantik, zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, organizimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, si dhe luftimin e kërcënimeve hibride.
Megjithatë, deklarata nuk parashikon krijimin e një aleance të re ushtarake dhe as nuk përmban klauzola për mbrojtje të përbashkët ose ndërhyrje automatike ushtarake.
Që nga nënshkrimi i saj, Serbia e ka kundërshtuar vazhdimisht këtë iniciativë, ndërsa deklaratat e fundit të diplomacisë ruse tregojnë një përafrim të qartë me narrativën e Beogradit, duke e paraqitur bashkëpunimin ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si një kërcënim për stabilitetin në Ballkan.
The GeoPost

Dy të arrestuarit në Serbi dhe gjurmët që çojnë te sabotazhet ruse në Gjermani
Stradner paralajmëron: Shërbimi rus i inteligjencës po përgatit “ferr” më 25 tetor në Serbi
Vuçiq, Moska dhe zgjedhjet në Serbi: Si po përdoret ndikimi rus në betejën për pushtet
“Gjenerali Mlladiq është në zemrën time”, deklarata skandaloze e Knezheviqit – përmend Adem Jasharin për të mbrojtur këngët për gjeneralët kriminelë
Ish-drejtori i Inteligjencës Ushtarake të Serbisë emërohet ambasador në Rusi
Partitë ruse në Serbi: Statusi i pakicës, ndjenjat pro-ruse dhe llogaritjet politike