Politikani rus kundër luftës, Boris Nadezhdin, ka bërë të ditur të hënën se është larguar përkohësisht nga Rusia, disa javë pasi Moska e shpalli atë “agjent të huaj” dhe e përjashtoi nga gara për zgjedhjet parlamentare.
“Përshëndetje të gjithëve! Kam disa lajme të mira. Jam gjallë dhe i lirë. Fatkeqësisht, në këtë moment nuk jam në Rusi”, tha Nadezhdin në një video të shkurtër të publikuar në platformën Telegram, teksa qëndronte para Kullës së Ajfelit në Paris.
“Për momentin më duhet të kuptoj situatën dhe të vendos se çfarë do të bëj më tej. Do të shkruaj për planet e mia më vonë”, shtoi ai.
Nadezhdin, 63-vjeçar dhe ish-deputet liberal, ka qenë një kritik i hapur i luftës së Moskës në Ukrainë. Megjithatë, si disa politikanë të tjerë opozitarë, ai kishte tentuar të vepronte brenda rregullave të sistemit politik të kontrolluar rreptësisht nga Rusia, në mënyrë që të vazhdonte të shprehte publikisht qëndrimet e tij.
Largimi i tij shënon humbjen e një tjetër zëri të njohur opozitar që ishte i gatshëm të sfidonte Kremlinin nga brenda Rusisë, ndërsa shumica e kritikëve të presidentit rus, Vladimir Putin, aktualisht ndodhen në burg ose në ekzil.
Shpresat e Nadezhdinit për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të shtatorit u shuan pasi Ministria e Drejtësisë e Rusisë e përfshiu atë më 10 korrik në listën e “agjentëve të huaj” – një etiketim që autoritetet ruse ua vendosin gjerësisht personave të cilët i konsiderojnë të përfshirë në aktivitete kundër Rusisë, me mbështetje të pretenduar nga jashtë.
Një javë më vonë, ai u mor në pyetje nga policia dhe u gjobit me një shumë të vogël nga gjykata për publikimin e të ashtuquajturave “simbole ekstremiste” në rrjetet sociale. Nadezhdin e cilësoi akuzën si absurde, shkruan Reuters, transmeton The Geopost.
Në atë kohë, ai u ankua se autoritetet po “më heshtin, po më largojnë nga politika dhe po ma bëjnë jetën jashtëzakonisht të vështirë”.
Rusia ka ndërmarrë një goditje të fortë ndaj zërave kundërshtues që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022.
Politikanët pro-Kremlinit akuzojnë Perëndimin se po përpiqet të destabilizojë Rusinë dhe thonë se një pjesë e censurës është e nevojshme për të mbrojtur unitetin kombëtar në një kohë kur Moska pretendon se ndodhet në një përballje ekzistenciale me Ukrainën dhe Perëndimin.
Nadezhdin tentoi të kandidonte kundër Putinit në
zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, por kandidatura e tij u rrëzua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për arsye teknike.

Në vend të punës humanitare, vëllazëritë ortodokse po merren me Mlladiqin, Jadranin, Prevlakën, Srebrenicën…
Dezinformim në Instagram: Pamjet nga Prishtina u paraqitën në mënyrë të rreme si lëvizje drejt Mitrovicës së Veriu
Propaganda nga Moska: Si i përdorën mediat ruse aktgjykimet e Hagës ndaj drejtuesve të UÇK-së për sulm ndaj Perëndimit
Si e deformuan mediat serbe protestën në Prishtinë
ISW paralajmëron për fushatë të koordinuar ruse kundër Evropës: NATO duhet të përgatitet për sulme të mundshme
Serbia dhe Uzbekistani paralajmërojnë bashkëpunim për raketa, analisti ngre pikëpyetje për interesat ruse