Ambasada e Gjermanisë në Kosovës, duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për integritetin territorial të Kosovës ka thënë se Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur sovranitetin e Kosovës dhe integrimin e saj evropian.
Vuçiq në një ceremoni ushtarake ka thënë se Kosova është pjesë e Serbisë ndërsa ushtarakët kanë për detyrë kushtetuese ta mbrojnë integritetin territorial të Serbisë.
“Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur që nga viti 2008 dhe se mbetet e përkushtuar për të mbështetur sovranitetin e Kosovës dhe integrimin e saj evropian”, thuhet në një përgjigje të Ambasadës së Gjermanisë për KOHËN, ku i është kërkuar një koment lidhur me deklaratat e Vuçiqit.
Për të bërë përparim në rrugëtimin evropian, në përgjigjen e Ambasadës gjermane thuhet se, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut.
“U bëjmë thirrje të gjithë akterëve të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që e pengojnë arritjen e këtij objektivi. Ritheksojmë qëndrimin tonë të qartë dhe të palëkundur se në Evropë nuk ka vend për retorikë, justifikim apo promovim të spastrimit etnik”, thuhet në përgjigje.
Javë më parë ministrja në qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, tha se po të ishte në vend të Millosheviqit, do të kryente spastrim etnik në Kosovë.
Këtë javë edhe Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen për përmbajtje nga deklaratat nxitëse të cilat nuk ndihmojnë arritjen e qëllimit për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së të mërkurën si reagim në pyetjet lidhur me deklaratat e Vuçiqit, që në Kosovë u kritikuan si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Kosovës.
Në reagimet në BE kanë bërë ftesë që normalizimi të arrihet përmes dialogut duke përkujtuar edhe një herë se ky normalizim është kusht për avancim në procesin e integrimeve evropiane.
“Vetëm përmes dialogut progresi mund të arrihet në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Deklaratat dhe veprimet që nuk janë në përputhje me këtë qëllim duhet të evitohen”, thotë një zëdhënës i BE-së në Bruksel.
“Progresi në dialog mes Beogradit dhe Prishtinës është parakusht për secilën palë për progresin e tyre në rrugëtimin evropian”, ka thënë më tej ky zëdhënës.
BE-ja më herët ka kritikuar si të papranueshme edhe një deklaratë të një ministreje të qeverisë së Serbisë se ajo do të kryente spastrim etnik të Kosovës në fundvitet nëntëdhjetë.
Nga BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar nga palët, jo vetëm në Kosovë e Serbi, por në tërë rajonin që të përmbahen nga deklaratat nxitëse, mohimi i krimeve të luftës apo glorifikimi i përgjegjësve për këto krime, dhe të punojnë për një normalizim të vërtetë të raporteve mes fqinjëve.

SHBA nis zhvillimin e F-47, aeroplani luftarak do të fluturojë për herë të parë në vitin 2028
Turqia teston me sukses dronët kamikazë me rreze veprimi mbi 2000 kilometra
Shqipëria mbështet Kosovën për zbardhjen e fatit të të zhdukurve: Pa të vërtetën, nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm
I mbijetuari i Masakrës së Reçakut: Pa autorët, s’ka drejtësi
Policia: Janë gjetur dëshmi se një nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave
Ukraina godet objektiva ruse të energjisë dhe logjistikës