Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Autoritetet thonë se gërmimet në Zubin Potok mund të zgjasin, bëjnë thirrje që të mos dëmtohen hetimet

The Geopost July 31, 2026 5 min read
Share the news

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, konfirmoi se mbetjet mortore në varrezën e dyshuar masive në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut janë me origjinë njerëzore, teksa bëri thirrje që komuniteti të mos deklarohet shumë për rastin me qëllim që të mos dëmtohen hetimet.

Thirrje për ruajtjen e integritetit të hetimeve bëri edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

“Nga mbetjet mortore deri tash është vërtetuar se janë me origjinë njerëzore. Ky proces mund të zgjasë, nuk mund të themi se kur mund të përfundojë”, tha Isufaj teksa vizitoi vendin ku po zhvillohen gërmimet që nga e marta.

Sipas tij, identifikimi i viktimave do të marrë kohë, pasi eshtrat do t’iu nënshtrohen identifikimit përmes ADN-së.

Ai u zotua se institucioni që udhëheq do të zbatojë procedura profesionale, të paanshme dhe të pavarura me qëllim respektin ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre.

“I bëj thirrje gjithë komunitetit në përgjithësi, është që të mos deklarohemi shumë për rastin sepse ende gjithçka është herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit e natyrisht mund edhe ta devijojnë rezultatin final. Është faza preliminare që është duke u punuar, punimet kanë filluar me intensitetin e duhur”, u shpreh Isufaj.

Haxhiu, e cila po ashtu vizitoi vendin ku po kryhen gërmimet, tha se duhet të ruhet integriteti i hetimeve, pasi sipas saj, kjo është çështje shumë e ndjeshme.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vjet nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi, qoftë nga Vuçiq, qoftë nga Bërnabiq”, tha Haxhiu.

Ajo i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë që të hapë arkivat e ushtrisë, duke theksuar se mes dy shteteve nuk mund të ketë paqe “për sa kohë kemi varre të fshehura, për sa kohë kemi arkiva të mbyllura dhe për sa kohë kemi mohim të së vërtetës nga ana e Serbisë”.

Thirrje për hapjen e arkivave të ushtrisë më herët ka bërë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i tha REL se përmes ekipit të forenzikës mjekësore të misionit të tij për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, asistoi më 28 korrik për vlerësimin e lokacionit në Zubin Potok.

“EULEX-i nuk po kryen asnjë lloj hetimi penal, gjë që është kompetencë e autoriteteve të Kosovës”, tha zëdhënësi.

BE-ja tha se ndihma në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës mbetet “një element shumë i rëndësishëm i dialogut” që ndërmjetëson mes Kosovës dhe Serbisë.

“Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur, i themeluar në bazë të Deklaratës së vitit 2023 dhe i kryesuar nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, ekziston pikërisht për të mbikëqyrur zbatimin e kësaj deklarate, për të ndihmuar në sqarimin e fatit të personave që ende rezultojnë të zhdukur dhe për t’u dhënë një përgjigje familjarëve të tyre”, tha zëdhënësi.

Deklarata për të Zhdukurit, e arritur mes Kosovosë dhe Serbisë më 2 maj 2023, parasheh zotime të dy palëve për zbardhje e fatit të afër 1.600 personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998/99. Në të nuk përmendet konkretisht hapja e arkivave ushtarake apo policore, po aty përmendet fjala “dokumente konfidenciale”.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia mbajtën takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, por takimi përfundoi pa ndonjë rezultat.

Teksa hetimet në Zubin Potok po vazhdojnë, institucionet e Kosovës kanë thënë se dyshojnë se varri i dyshuar masiv mund të lidhet me zhdukjen e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të mërkurën se ky ishte dyshimi i parë i institucioneve, por theksoi se identiteti i mbetjeve mortore mund të konfirmohet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore.

Në prill të vitit 1999 ishin zhdukur 23 civilë shqiptarë, në mesin e tyre mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Lutfije Ademi – Vokshi, motra e Adem Ademit – kirurgut të zhdukur – tha se i vëllai u zhduk në fshatin Drenë, 3 kilometra larg në vijë ajrore me Kalludrën e Vogël.

Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se beson që në vendin ku po gërmohet mund të jetë grupi i vëllait të saj.

“Unë i them vetes, padyshim, 100 për qind, se është grupi i vëllait tim, Adem Ademit. Mendoj se pas kësaj, do të na pushojnë shpirtrat, do ta kemi një varr ku për një festë, një ditëlindje, një Bajram, do të çoj një buqetë lulesh dhe do të shkoj të flas me të”, tha ajo.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë më 29 korrik publikoi një raport preliminar, ku tha se janë dokumentar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.

Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, konsiderohen ende të zhdukur, teksa mbetje mortore të të zhdukurve janë gjetur në disa varreza masive në Serbi.

Tags: Albulena Haxhiu Kosovë Zubin Potok

Continue Reading

Previous: Shkollat amerikane prezantojnë dronë me sprej piperi
Next: Mediat serbe dhe proruse përhapin propagandë për udhërrëfyesit turistikë dhe rrënimin e objekteve pa leje në veri të Kosovës

Mediat serbe dhe proruse përhapin propagandë për udhërrëfyesit turistikë dhe rrënimin e objekteve pa leje në veri të Kosovës 5 min read
  • Analiza
  • Fact Checking
  • News

Mediat serbe dhe proruse përhapin propagandë për udhërrëfyesit turistikë dhe rrënimin e objekteve pa leje në veri të Kosovës

The Geopost July 31, 2026
Shkollat amerikane prezantojnë dronë me sprej piperi 3 min read
  • Botë
  • News

Shkollat amerikane prezantojnë dronë me sprej piperi

The Geopost July 31, 2026
Belgjika thotë se një praktikante kanadeze dyshohet për spiunazh në NATO 3 min read
  • Botë
  • News

Belgjika thotë se një praktikante kanadeze dyshohet për spiunazh në NATO

The Geopost July 31, 2026
Mali i Zi përplaset me Rusinë për vizat dhe sanksionet ndaj Moskës: Mos ndërhyni në punët tona të brendshme 3 min read
  • Botë
  • News

Mali i Zi përplaset me Rusinë për vizat dhe sanksionet ndaj Moskës: Mos ndërhyni në punët tona të brendshme

The Geopost July 31, 2026
Kërkesa e Serbisë për konsullatë në Shkodër pritet me kundërshtime në Shqipëri 6 min read
  • Ballkan
  • News

Kërkesa e Serbisë për konsullatë në Shkodër pritet me kundërshtime në Shqipëri

The Geopost July 31, 2026
Si po i ndryshon lufta në Iran dinamikat e sigurisë në Lindjen e Mesme 5 min read
  • Botë
  • News

Si po i ndryshon lufta në Iran dinamikat e sigurisë në Lindjen e Mesme

The Geopost July 31, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.