Tre shtetas të Federatës Ruse, të cilët, sipas burimeve të Pobjeda-s, hynë ilegalisht në Mal të Zi duke anashkaluar në mënyrë të paligjshme procedurat zyrtare kufitare dhe doganore, u dëbuan me urgjencë nga vendi pasi tek ta u zbulua një sasi e madhe pajisjesh digjitale dhe kompjuterike shumë të sofistikuara.
Sipas burimeve të Pobjeda-s nga nivelet më të larta të sektorit të sigurisë, këta shtetas rusë tentuan të mashtronin autoritetet duke u paraqitur si punonjës të një kompanie produksioni nga Beogradi, e cila pretendohet se merret me video-streaming dhe transmetime televizive të ngjarjeve.
Megjithatë, shpjegimet e tyre të dyshimta nuk përputheshin me informacionet që posedojnë institucionet kompetente, as me deklaratat e shtetasve të tjerë rusë për të cilët ata pretendonin se do të kryenin punë televizive, çka, sipas burimeve, tregon për një përpjekje të mirëorganizuar për të krijuar një mbulim logjistik.
Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Policisë, bëhet fjalë për Aleksandar Solomotov (38), Ivan Korçagin (26) dhe Andrej Ishkinin (38), ndaj të cilëve u shqiptua menjëherë masa e ndërprerjes së qëndrimit në Mal të Zi.
Ata u lokalizuan të shtunën në një operacion të përbashkët të Agjencisë për Siguri Kombëtare (ANB) dhe Drejtorisë së Policisë, me ç’rast u parandalua, sipas autoriteteve, një aktivitet potencialisht destabilizues i maskuar si veprimtari mediatike.

Policia njoftoi zyrtarisht se këta persona nuk posedonin asnjë dokumentacion shoqërues për pajisjet e gjetura dhe nuk ishin në gjendje t’u jepnin hetuesve ndonjë shpjegim bindës për origjinën dhe destinimin e tyre.
Burime të Pobjeda-s nga sektori i sigurisë bëjnë të ditur se këta persona kishin qenë prej kohësh objekt i përpunimit operativ për shkak të dyshimeve mbi aktivitetet e tyre të fshehta.
Vëmendje të veçantë të hetuesve tërhoqi fakti se një pjesë e pajisjeve të sofistikuara, sipas këtyre burimeve, ishte futur në Mal të Zi duke anashkaluar plotësisht procedurat e rregullta kufitare dhe doganore, pra pas një kalimi të paligjshëm të kufirit shtetëror.
Sipas bashkëbiseduesve të Pobjeda-s, shtetasit rusë këmbëngulnin se ishin pjesë e ekipit teknik të një kompanie produksioni nga Beogradi, e cila pretendohej se merrej me video-streaming dhe transmetime televizive të ngjarjeve të ndryshme.

Megjithatë, gjatë verifikimeve të hollësishme, autoritetet konstatuan se deklaratat e tyre nuk përputheshin me ato të shtetasve të tjerë rusë, me të cilët pretendonin se bashkëpunonin në projekte televizive.
Interes të veçantë për shërbimet e sigurisë, të cilat veprojnë sipas standardeve euroatlantike për luftimin e ndërhyrjeve të huaja, ngjalli konfigurimi specifik dhe i avancuar i pajisjeve të sekuestruara, i cili, sipas autoriteteve, tejkalon ndjeshëm nevojat e zakonshme të raportimit televiziv.
Në mesin e pajisjeve të sekuestruara u gjet një çantë e madhe profesionale me ngjyrë të zezë dhe zinxhir të kuq, e projektuar për transportimin e stativëve të rëndë profesionalë për kamera televizive, gjë që tregon për përdorimin e pajisjeve të rënda profesionale në terren.
PAJISJET SPECIALE NËN HETIM
U gjet gjithashtu një stacion pune kompjuterik me performancë të lartë, i shënuar me emrin “GHOST / ECHO”, i pajisur me sistem të avancuar ftohjeje.
Sipas ekspertëve të teknologjisë dhe sigurisë, kompjuterë të tillë përdoren për përpunimin dhe regjisë në kohë reale të materialeve video, si dhe për menaxhimin e produksioneve komplekse “live” përmes programeve profesionale si vMixose OBS. Në kontekstin e luftës hibride, sipas vlerësimeve të ekspertëve, këto sisteme mund të përdoren edhe për shpërndarjen shumë të shpejtë dhe koordinimin e përmbajtjeve të paverifikuara.
Në mesin e pajisjeve të sekuestruara ndodhej edhe një pajisje e shënuar si “Encoder-2”, së bashku me një sistem profesional Hollyland për transmetim pa tela të sinjalit video.
Ky kombinim teknik mundëson marrjen e menjëhershme të sinjalit video nga kamerat në terren ose nga dronët, kompresimin e shpejtë të tij dhe transmetimin në kohë reale përmes internetit për live streaming. Sipas burimeve të sigurisë, një teknologji e tillë mund të keqpërdoret për transmetimin e ngjarjeve jashtë çdo mbikëqyrjeje dhe kontrolli shtetëror.
Vëmendje shtesë të organeve malazeze të sigurisë tërhoqi edhe sasia e madhe e kabllove profesionale CAT6 Plenum LAN.
Bëhet fjalë për kabllo rrjeti të cilësisë së lartë, rezistente ndaj zjarrit dhe përhapjes së tymit, të cilat zakonisht përdoren për instalime të përhershme brenda objekteve.
Prania e një sasie të konsiderueshme të këtij materiali, sipas burimeve nga sektori i sigurisë, tregon për mundësinë që grupi rus të kishte planifikuar të ndërtonte në mënyrë të pavarur infrastrukturën e vet të rrjetit në vendngjarje, duke krijuar kabllo të gjatësive të nevojshme, me gjasë për ngritjen e një qendre operative të paligjshme.
Si provë shtesë e dyshimeve për ngritjen e një qendre regjisë, tek ta u gjet edhe një kuti televizori Telefunken, brenda së cilës transportohej një monitor i madh.
Në produksionet profesionale televizive, ky monitor përdoret si ekran “multi-view”, përmes të cilit operatorët mund të ndjekin njëkohësisht sinjalet nga disa kamera gjatë transmetimeve direkte. Sipas autoriteteve, kjo plotëson tablonë mbi gatishmërinë teknike të këtij grupi për zhvillimin e operacioneve të paraportuara në territorin e Malit të Zi.
Kamuflim për operacione speciale?
Sipas ekspertëve të fushës së video-produksionit, të gjitha pajisjet e sekuestruara mund të kenë një përdorim plotësisht legjitim në televizion, transmetime sportive apo organizimin e ngjarjeve të mëdha publike.
Megjithatë, të njëjtët ekspertë paralajmërojnë se kombinimi i një stacioni pune shumë të fuqishëm, një enkoderi profesional për transmetimin e videos, një sasie të madhe pajisjesh të rrjetit dhe mundësisë për ngritjen e shpejtë të një rrjeti të pavarur LAN lejon krijimin në kohë shumë të shkurtër të një qendre plotësisht të pavarur komunikimi dhe transmetimi video në vende ku nuk ekziston infrastrukturë.
Në kontekstin e veprimeve hibride, kjo, sipas tyre, përbën një model tipik për ngritjen e bazave autonome për shpërndarjen e përmbajtjeve të koordinuara ose për mbledhjen e paligjshme të të dhënave.
Për këtë arsye, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë me saktësi se ku ishte planifikuar të instalohej kjo pajisje, kush i kishte angazhuar tre shtetasit rusë, nëse ka ekzistuar realisht bashkëpunim biznesi me kompaninë nga Beogradi dhe pse ata nuk ishin në gjendje të dokumentonin ligjërisht origjinën e pajisjeve që përdornin.

Burime të Pobjeda-s nga sektori i sigurisë rikujtojnë se shërbimet moderne të inteligjencës vitet e fundit përdorin gjithnjë e më shpesh të ashtuquajturën teknologji COTS (Commercial Off-The-Shelf), pra pajisje komerciale civile që mund të blihen ligjërisht në treg dhe të kombinohen në sisteme të sofistikuara me qëllime specifike.
Vetë këto pajisje nuk janë të paligjshme dhe nuk përbëjnë provë të drejtpërdrejtë të ndonjë aktiviteti zbulues. Megjithatë, pikërisht për shkak të përdorimit të tyre të gjerë, ato mund të shfrytëzohen për forma të ndryshme keqpërdorimi.
Nëse përdoruesit e tyre do të zbuloheshin, pala ruse do ta kishte shumë më të lehtë të pretendonte se bëhej fjalë për specialistë të teknologjisë informative, producentë video ose ekipe që merren me live streaming, sesa të shpjegonte përdorimin e teknologjisë së specializuar ushtarake.
Sipas burimeve të sigurisë, kjo përfaqëson një doktrinë të njohur të ashtuquajtur “plausible deniability” (mohim i besueshëm), që lidhet me mënyrën e veprimit të strukturave ruse.
Duke u bazuar në dyshimet lidhur me qëllimin e qëndrimit dhe ligjshmërinë e përdorimit të pajisjeve të gjetura, inspektorët për të huajt, në përputhje me ligjin, morën vendim për ndërprerjen e lejes së qëndrimit për tre shtetasit rusë.
“Pas dorëzimit të vendimeve, personat u larguan nga territori i Malit të Zi”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë.
Sipas autoriteteve, për këtë ngjarje serioze të sigurisë u njoftua menjëherë prokurori shtetëror në Prokurorinë Themelore Shtetërore në Pljevlja.
Më tej thuhet se Drejtoria e Policisë, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Siguri Kombëtare (ANB), po ndërmerr masa dhe veprime të mëtejshme të koordinuara për të përcaktuar me saktësi të gjitha rrethanat që lidhen me qëllimin e qëndrimit të tyre, mënyrën e futjes së paligjshme të pajisjeve në Mal të Zi, përdorimin e planifikuar të teknikës së sekuestruar, si dhe arsyet konkrete të përdorimit të saj në territorin e shtetit.
“Publiku do të informohet me kohë për rezultatet e të gjitha verifikimeve. Drejtoria e Policisë dhe Agjencia për Siguri Kombëtare do të vazhdojnë aktivitetet e koordinuara të orientuara drejt mbrojtjes së sigurisë së brendshme, ruajtjes së një mjedisi të qëndrueshëm të sigurisë dhe ndërmarrjes në kohë të masave të parashikuara me ligj”, përfundon njoftimi i strukturave malazeze të sigurisë.
Ky veprim, sipas autoriteteve malazeze, dëshmon vendosmërinë e institucioneve të sigurisë për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe për forcimin e standardeve euroatlantike në përballje me kërcënimet e mundshme ndaj sigurisë kombëtare.
/TheGeopost/

Radoiçiqi dhe Veselinoviqi vazhdojnë të ruhen nga njësitet elitare të policisë serbe
Dezinformatë në TikTok: Video i manipuluar nga viti 2022 u përdor për pretendimin se “ushtarët izraelitë po vijnë në Kosovë”
Brukseli i dërgon mesazh Republikës Srpska: Distancohuni nga Rusia
“S’jemi kali i Trojës i Rusisë, Serbia mbështet Ukrainën”, thotë Bërnabiq, por nuk përmend sanksionet ndaj Moskës
Trump, bisedë telefonike me Putin dhe Zelenskyn – diskutohet fundi i luftës
Ministri i Serbisë në Teheran për ceremoninë e lamtumirës së Khameneit