Shtetet e Bashkuara kanë riafirmuar angazhimin e tyre për mbrojtjen e aleatëve evropianë, ndërsa NATO ka ndërmarrë hapa të rinj për të forcuar praninë ushtarake në krahun lindor të aleancës.
Gjatë një ceremonie të mbajtur në qytetin estonez të Valgës, komandanti amerikan i forcave tokësore të NATO-s në Evropë, gjenerali Chris Donahue, deklaroi se Uashingtoni do të vazhdojë të qëndrojë përkrah vendeve baltike në përballje me sfidat e sigurisë.
“Ju jeni gati të bëni më shumë dhe fjalët t’i pasoni me vepra, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë aty përkrah jush”, tha Donahue.
Ai theksoi se parandalimi ndërtohet me veprime konkrete dhe jo vetëm me deklarata politike.
“Kështu ndërtohet parandalimi: Jo me fjalë nga një podium, por me çizme në baltë”, u shpreh ai.
Donahue, i cili të enjten përfundon mandatin si komandant i forcave tokësore të NATO-s në Evropë, mban njëkohësisht edhe postin e shefit të ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë.
Në kuadër të forcimit të strukturës mbrojtëse, NATO ka vendosur të krijojë një zonë të dytë komanduese për shtetet baltike. Deri më tani, trupat e aleancës në Lituani, Letoni, Estoni dhe në veri të Polonisë drejtoheshin nga një seli e vetme shumëkombëshe me bazë në qytetin polak Szczecin.
Me strukturën e re komanduese, aleanca synon të rrisë kapacitetet operacionale dhe t’u kushtojë më shumë forca vendeve baltike. Dy divizione shumëkombëshe të vendosura në Estoni dhe Letoni do të kalojnë nën komandën e Korpusit Gjermano-Holandez me seli në qytetin gjerman të Mynsterit.
NATO ka paralajmëruar se Rusia, nëse vazhdon ritmin aktual të armatimit, mund të jetë në gjendje të ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë ndaj territorit të aleancës që nga viti 2029. Kremlini i ka hedhur poshtë këto vlerësime, duke mohuar se ka plane për një sulm ndaj vendeve anëtare të NATO-s.
Ndërkohë, presioni ndaj vendeve evropiane për të rritur investimet në mbrojtje është intensifikuar edhe pas kritikave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka akuzuar vazhdimisht aleatët evropianë se nuk po mbajnë barrën e tyre në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
The GeoPost

Rusët rrihen për karburant në pompat e derivateve – Putini detyrohet të pranojë se vendi përballet me mungesa
Holanda: Rusia mund ta sulmojë NATO-n një vit pas përfundimit të luftës në Ukrainë
Putin pranon “mungesa të caktuara” të energjisë pas sulmeve të Ukrainës
Evropa Qendrore dhe Lindore bëhet testi i sigurisë së NATO-s
Raporti i GLOBSEC: A është mbrojtja ajrore thembra e Akilit e Evropës?