Bashkimi Evropian do të zhvillojë një debat strategjik mbi zgjerimin dhe reformat gjatë vjeshtës, një proces që pritet të konfirmohet edhe në dokumentin përfundimtar të samitit dyditor të liderëve të BE-së në Bruksel, më 18–19 qershor.
Sipas draft-konkluzioneve të Këshillit Evropian, të cilave u referohet Radio Evropa e Lirë, në tetor 2026 do të mbahet një diskutim i posaçëm strategjik mbi zgjerimin dhe reformat, në dritën e “momentit të ri” në procesin e anëtarësimit dhe në vijim të Deklaratës së Granadës.
Dokumenti vlerëson gjithashtu samitin BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur më 5 qershor në Tivat, si një ngjarje që ka kontribuar në dinamizimin e procesit të zgjerimit të BE-së.
Debati i ardhshëm pritet të trajtojë një qasje të re ndaj zgjerimit, e cila ende nuk është formalizuar, por është përmendur në disa dokumente jozyrtare të qarkulluara së fundmi në Bruksel.
Ndër to është një propozim i kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili sugjeron që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin statusin e vëzhguesit në BE, ndërsa Ukrainës t’i jepet statusi i anëtarit të asociuar pa të drejtë vote.
Një tjetër dokument, i prezantuar një ditë para samitit në Tivat, vjen si propozim franko-gjerman dhe fokusohet në vendet kandidate që kanë mbetur prapa në përmbushjen e reformave institucionale, të cilat BE i konsideron thelbësore për procesin e anëtarësimit.
Po ashtu, një dokument i tretë i përgatitur nga Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu propozon dhënien e të drejtave të kufizuara për anëtarët e ardhshëm të BE-së, me qëllim garantimin e funksionimit të institucioneve evropiane dhe parandalimin e regresit në respektimin e vlerave themelore.
“Integrimi gradual” si koncept i ri
Sipas draftit të Këshillit Evropian, po shqyrtohet një qasje e re e quajtur “integrim gradual”, e cila synon afrimin progresiv të vendeve kandidate me strukturat e BE-së gjatë gjithë procesit të anëtarësimit.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të punojë ngushtë me Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë përpjekjet për reforma… Këshilli Evropian mbetet i përkushtuar për të nxitur integrimin gradual, në një mënyrë të bazuar në meritë dhe të kthyeshme”, thuhet në draftin e konkluzioneve.
Burime diplomatike në Bruksel, të cituara nga Radio Evropa e Lirë, theksojnë se po shqyrtohen intensivisht modele të reja të procesit të zgjerimit, të cilat mund të ndryshojnë nga praktikat e mëparshme të anëtarësimeve në BE.
Sipas këtyre burimeve, zgjerimet e ardhshme mund të mos ndjekin modelin klasik të integrimit të plotë si në valët e kaluara, por një qasje më të fazuar dhe të kushtëzuar.
The GeoPost

Dyshohet për zjarrvënie në shtëpinë e familjes Berisha në Zveçan, pak javë pas rikthimit pas 28 vjetësh
Vuçiq e etiketon drejtësinë si “terror” sa herë që hetohen krimet e luftës në Kosovë
Deklarata skandaloze e Daçiqit në vitin 2020: Çfarë t’u bëjmë serbëve që tregojnë ku janë varrosur shqiptarët në Serbi
Biserko: Çdo varrezë e re në Kosovë rikthen përgjegjësinë e Serbisë për krimet e luftës
Retorika e zyrtarëve serbë rikthen narrativat e viteve 90-ta kundër Kosovës
Komandanti i KFOR-it: Retorika nxitëse dhe dezinformatat mbeten shqetësim për sigurinë në Kosovë