Shoqata e sapoformuar e qytetarëve “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës në Republika Srpska” është prezantuar në Banjallukë, e mbështetur nga qarqe që prej vitesh promovojnë narrativa nacionaliste dhe kontestojnë realitetin politik të njohur ndërkombëtarisht në Ballkanin Perëndimor.
Deisa themeluesit e saj pretendojnë se qëllimi i tyre është “bashkimi i popullit serb në mbrojtje të Kosovës”, mbetet e paqartë se nga kush po “mbrohet” Kosova dhe cili është qëllimi i vërtetë i një organizate të formuar qindra kilometra larg Kosovës.
Në krye të kësaj baze ekstremiste ndodhet prifti i Kishës Ortodokse Serbe, Darko Gjogo, një fakt ky që zhvesh sërish rolin e strukturave kishtare si një vegël politike në shërbim të ideologjisë së Serbisë së Madhe. Gjogo ka paralajmëruar hapur zbatimin e matricës agresive të Beogradit në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke deklaruar se Republika Srpska mund të mbijetojë vetëm mbi “bazat anakronike dhe mitomane të Vidovdanit” – gjë që përbën një “shuplakë” direkte ndaj vlerave moderne demokratike dhe progresit civilizues.
Radikalizmi i tij ka rrënjë të thella familjare. Darko Gjogo është i biri i propaganduesit famëkeq të kohës së luftës, Risto Gjogo, i cili ishte dora e djathtë e kriminelit të dënuar të luftës, Radovan Karaxhiq.
Gjatë viteve të 90-ta, përmes TV Pale, Risto Gjogo orkestroi dehumanizimin më monstruoz dhe shpërndau gënjeshtra të tipit fashist për myslimanët boshnjakë – siç ishte trillimi i çuditshëm se fëmijët serbë po u hidheshin luanëve në kopshtin zoologjik të Sarajevës. Raportet e ekspertëve për Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) kanë përcaktuar qartë se veprimtaria e Gjogos së vjetër ishte një mjet kyç për nxitjen e urrejtjes etnike dhe përgatitjen e terrenit për gjenocid.
Në mesin e anëtarëve dhe promovuesve të shquar të lëvizjes është edhe historiani Millosh Koviq, i njohur për qëndrimet e tij revizioniste dhe mbrojtjen publike të disa politikave të viteve të 90-ta. Përgjatë viteve, Koviq ka kontestuar vendimet dhe konkluzionet e gjykatave ndërkombëtare lidhur me luftërat në hapësirën e ish-Jugosllavisë, gjë që e ka bërë atë shpesh shënjestër të kritikave nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe një pjesë e komunitetit akademik.
Koviq, i cili përdor mitet kombëtare (“Besëlidhjen e Kosovës”) për të mobilizuar masat, për një kohë të gjatë e kishte të ndaluar hyrjen në Bosnjë dhe Hercegovinë për shkak të radikalizmit të tij dhe kërcënimit që përbënte për sigurinë. Edhe pse ky status iu anulua me ardhjen e pushtetit të ri në Bosnjë dhe Hercegovinë, vetëm pak muaj më parë Koviq u shpall zyrtarisht kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme në Republikën e Kroacisë, ku i është ndaluar hyrja.
Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë edhe Sllobodan Samarxhiq, ish-ministër për Kosovën në qeverinë e Vojisllav Koshtunicës, i cili prej vitesh kundërshton përpjekjet evropiane për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Thirrja e tij për krijimin e një “fronti të unifikuar për mbrojtjen e Kosovës” mund të interpretohet si vazhdimësi e politikës së konfrontimit në vend të dialogut.
Raporte të shumta ndërkombëtare e kanë cituar punën e tij si një shembull të instrumentalizimit të mediave për të nxitur nacionalizmin, urrejtjen dhe dehumanizimin e popullatës josërbe.
Në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe partnerët perëndimorë insistojnë në bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe integrimet evropiane, themelimi i organizatave që marrin energji politike nga çështjet e pazgjidhura të së kaluarës ngre një dilemë: a është qëllimi i tyre shqetësimi i vërtetë për qytetarët, apo ruajtja e narativave që e mbajnë rajonin të bllokuar në konfliktet e shekullit të kaluar?
Prandaj, shtrohet pyetja: a ka nevojë Ballkani sot për një tjetër “mbrojtje të Kosovës”, apo për më shumë nisma që do të kontribuojnë në stabilitetin, vlerat demokratike dhe të ardhmen evropiane të rajonit?
The GeoPost

Parlamenti Evropian hap rrugën për një marrëveshje tregtare BE-SHBA
BE miraton sanksione të reja që godasin ekonominë e luftës së Rusisë dhe rrjetin e propagandës
Zyrtari iranian: Irani pranon të mos prodhojë armë bërthamore
Pesë persona arrestohen në operacionin për hetimin e krimeve të luftës në rastin “Reçaku II”
Lufta e Putinit dhe fantazma e vitit 1917: Ngjashmëritë që shqetësojnë Kremlinin
A do të ketë Vuçiq fatin e Lukashenkos nëse BE-ja nuk i njeh zgjedhjet e tij?