Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Gjykimi ndaj Pantiq e Zariq, dëshmitarja tregon se si ia vranë nëntë familjarë para syve të saj përfshirë një 16-vjeçar

The Geopost May 22, 2026 5 min read
Share the news

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të cilët akuzohen për krime kundër popullatës civile në rajonin e Istogut gjatë viteve 1998-1999, të enjten dëshmitarja Hyla Salihaj tregoi se si i ishin vrarë nga forcat serbe nëntë familjarë para syve të saj, përfshirë edhe një 16-vjeçar.

Fillimisht, në sesionin e paradites u dëgjua dëshmitarja Hyla Salihaj, e cila deklaroi mbi ngjarjen e datës 29 gusht 2026, ku tha se forcat policore serbe fillimisht ia kanë djegur shtëpinë, pastaj e kanë rrethuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Neve na kanë qit prej aty, kur jemi dalë në oborr, jemi tubu tri gra e 14 fëmijë, tu dalë në oborr e kanë vra djalin e kunatit, 16-vjet, para syve të mi”, tha dëshmitarja Salihaj.

Salihaj tha se atë ditë, forcat policore kanë vrarë nëntë anëtarë të familjes së saj.

“Djemtë i kanë vra krejt, në familje tetë anëtar i kan vra. Edhe një nip ka qëllu aty, nëntë”, tha Salihaj.

Në vijim, dëshmitarja Salihaj deklaroi i kishte parë kufomat e anëtarëve të familjes, pasi që kushërinjtë e saj i kanë mbledhur për t’i varrosur dhe sipas saj, kufomat kanë qenë në gjendje shumë të keqe.

Ajo tha se në ditën e ngjarjes kritike, kishte parë forcat serbe me uniforma të policisë. Kurse ,shtoi se nuk e ka njohur ndonjërin prej policëve që kanë ardhur për të rrethuar shtëpinë.

Po ashtu, dëshmitarja Salihaj deklaroi se në atëkohë kryeshef i Policisë së Istogut ishte i akuzuari Pantiq.

Në vazhdim të seancës, u dëgjua dëshmitari Fadil Mavraj, i cili rrëfeu për ngjarjet e 8 majit 1999, kur banorët e fshatit Saradran u urdhëruan nga forcat serbe ta lëshonin fshatin.

Dëshmitari deklaroi se në atëkohë në fshat ishin të grumbulluar rreth 20 mijë banorë, përfshirë edhe refugjatë nga Peja dhe Klina.

Dëshmitari tha se kolona e civilëve u drejtua për në fshatin Zallç, ku u ndaluan nga forcat paramilitare serbe të veshura me shirita të kuq në krahë dhe maska të zeza.

Ai thotë se djemtë e rinj u zbritën nga traktorët dhe u mbyllën në një dyqan, ku forcat serbe ua morën dokumentet e identifikimit, paratë dhe stolitë e arit.

Mavraj deklaroi se në këtë vend kishte parë komandantin e policisë së Gurakocit, Millosh Stojkoviq, si dhe një polic me mbiemrin Banjac, i cili ishte i veshur me uniformë kamuflazhi.

Ndër të tjerash, dëshmitari rrëfeu se rreth 100 persona u ngarkuan në një kamion të madh.

“Na kanë shti në atë kamion 100 vetë… as kafshët aty nuk kish mund njeri me i shti”, tha dëshmitari Mavraj.

Sipas tij, kamioni i dërgoi në burgun e Gurakocit, ku u vendosën në qelitë e bodrumit.

Dëshmitari përshkroi se në qeli kishte pluhur qereçi që ua vështirësonte frymëmarrjen dhe deklaroi se ishin rrahur nga policët.

“Të sillnin në kry, në shpinë, këmbëve, gjithkah në trup të njeriut”, u shpreh Mavraj.

Lidhur me të akuzuarin Momir Pantiq, dëshmitari deklaroi se pas tri ditësh ishte dërguar në një zyrë për marrje në pyetje ku ndodhej i akuzuari i veshur me rroba civile dhe një prokuror.

Dëshmitari deklaroi se ai prokurori në zyrë i kishte thënë “Pse jeni kanë në UÇK? … Çka po ju vyn UÇK-ja?

Ai deklaroi se pavarësisht veshjes civile, e kishte ditur se Pantiq ka qenë kryeshef i stacionit policor në Istog, pasi kështu flitej në atëkohë. Kurse, specifikoi se veshja civile nuk i ishte dukur e çuditshme pasi e kishte parë të akuzuarin në rroba civile edhe më parë në qytet.

Në përfundim të dëshmisë, ai njoftoi se pas katër ditësh qëndrimi në Gurakoc, ishte transferuar në burgun e Pejës për një muaj dhe më pas në burgjet e Serbisë si në Leskovc dhe Zajeçar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut. Për të lexuar akuzën e plotë klikoni KËTU /BetimipërDrejtësi

Tags: Aktakuzë Gjykata Themelore Krime Lufte Serbia

Continue Reading

Previous: Ambasadori Hamilton: Rusia po përdor dezinformimin për destabilizim në Ballkan
Next: Kasparov për Putinin: Diktatorët gjithmonë gënjejnë për të kaluarën

Hungaria e shpallë Rusinë “kërcënim për Evropën”, kthesë e fortë pas largimit të Orbanit 3 min read
  • News

Hungaria e shpallë Rusinë “kërcënim për Evropën”, kthesë e fortë pas largimit të Orbanit

The Geopost August 27, 2026
Margetiq për Vuçiqin: Para 34 vitesh dogji Sarajevën, sot vështron Serbinë në flakë 2 min read
  • Ballkan

Margetiq për Vuçiqin: Para 34 vitesh dogji Sarajevën, sot vështron Serbinë në flakë

The Geopost August 27, 2026
Shefi i CIA-s zbarkon në Moskë mes luftës në Ukrainë dhe tensioneve me Iranin 6 min read
  • News

Shefi i CIA-s zbarkon në Moskë mes luftës në Ukrainë dhe tensioneve me Iranin

The Geopost August 27, 2026
Anatomia e një operacioni të BIA-s: Si u tentua diskreditimi i Albin Kurtit përmes “Masave Aktive” të stilit sovjetik, duke përdorur një vend të tretë 4 min read
  • Ballkan
  • News

Anatomia e një operacioni të BIA-s: Si u tentua diskreditimi i Albin Kurtit përmes “Masave Aktive” të stilit sovjetik, duke përdorur një vend të tretë

The Geopost August 26, 2026
“Topi i zjarrtë nga Kosova” dhe teoritë e tjera: Si u përhap dezinformimi për zjarret në Serbi 8 min read
  • Ballkan

“Topi i zjarrtë nga Kosova” dhe teoritë e tjera: Si u përhap dezinformimi për zjarret në Serbi

The Geopost August 26, 2026
Thirrja që SHBA-ja ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe, reagon Murphy: Çmenduria më e madhe e shkruar për Bosnjën 2 min read
  • Ballkan

Thirrja që SHBA-ja ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe, reagon Murphy: Çmenduria më e madhe e shkruar për Bosnjën

The Geopost August 26, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.