Drejtori i FBI-së, Kash Patel, gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan, ka përmendur Serbinë si një nga vendet që, sipas tij, ka kthyer në Kinë disa të dyshuar për veprimtari të inteligjencës kineze, në vend që t’i ekstradonte në Shtetet e Bashkuara.
Patel e bëri këtë deklaratë gjatë dëshmisë së tij të martën, duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorit Kyrsten Coons lidhur me udhëtimin e tij në Lojërat Olimpike Dimërore në Itali.
Ai tha se vizita e tij kishte një mision të veçantë dhe ishte planifikuar në mënyrë strategjike.
“Siç e kam theksuar në deklaratën time hyrëse, një nga kriminelët më të kërkuar të kibernetikës, i lidhur me Partinë Komuniste të Kinës, ndodhej në paraburgim në Itali.
Gjatë qëndrimit tonë atje arritëm një marrëveshje që ai të dëbohej nga Italia, në vend që të kthehej në Kinë, siç ka ndodhur shpesh në vende si Serbia”, ka deklaruar Patel.
Sipas tij, operacioni u mbajt i fshehtë dhe përfundoi me transferimin e të dyshuarit në Shtetet e Bashkuara disa javë më parë, shkruan N1.
Deklaratat e Patelit kanë ngjallur reagime, pasi ai përdori Serbinë si shembull në një debat më të gjerë për ekstradimet dhe trajtimin e të dyshuarve për krime kibernetike dhe spiunazh.
Sipas raportimeve të mediave, në muajin prill të vitit 2025 në Serbi ishin arrestuar dy shtetas, një kinez dhe një britanik, të kërkuar nga SHBA për akuza të lidhura me spiunazh dhe krime kibernetike.
Më pas ata ishin vendosur në arrest shtëpiak, por në gusht arritën të arratiseshin, duke çuar në një urdhër ndërkombëtar arresti.
Autoritetet amerikane i kanë akuzuar ata për përfshirje në fushata frikësimi ndaj disidentëve kinezë dhe për tentativë të paligjshme të tregtisë së pajisjeve ushtarake.
The Geopost

Sulmet ruse godasin Kievin gjatë vizitës së kancelarit Merz – publikohen pamjet e sulmit ndaj një prej urave kryesore të kryeqytetit ukrainas
Shefi i NATO-s: Jemi më të fortë se Rusia
YouTuberët austriakë depërtojnë në Batajnicë, publikojnë pamje të bazës ku Serbia operon avionë dhe dronë
Ukraina përdori për herë të parë raketën balistike vendase – rëndësia e saj shkon përtej fushëbetejës
Rusia përgatitet për një vit tjetër lufte – rrit taksat, rëndohet jeta e rusëve
Republikanë e demokratë në SHBA bashkohen kundër Serbisë, kërkojnë ndryshime në politikën e Beogradit