Gjermania po përballet me një valë të paprecedentë sulmesh hibride që synojnë destabilizimin e demokracisë dhe dobësimin e mbështetjes për Ukrainën, ndërsa shërbimet sekrete paralajmërojnë se Berlini tashmë konsiderohet nga Moska si “armiku numër një” në Evropë.
Kështu shkruan revista gjermane Der Spiegel në numrin e saj më të ri, duke përshkruar një “luftë në hije” ku agjentët rusë po veprojnë me intensitet të paparë që nga periudha e Luftës së Ftohtë.
Sipas raportit, zhvillimi më alarmues lidhet me depërtimin e hakerëve rusë në komunikimet konfidenciale të elitës politike gjermane përmes aplikacionit Signal, i cili deri tani konsiderohej ndër më të sigurtit për komunikim të koduar.
Në mesin e personave të shënjestruar përmenden kryetarja e Bundestagut, Julia Klöckner, dy ministre gjermane, si dhe dhjetëra deputetë dhe gazetarë investigativë. Sulmet janë realizuar përmes metodës së njohur si “phishing”, ku pasi kontrollohej një llogari, kontaktet mashtronin me mesazhe që pretendonin se bëhej fjalë për një “proces verifikimi”.
Inteligjenca gjermane ka zbuluar se vetëm në janar të vitit 2026, mbi 13 mijë e 700 numra telefoni ishin në shënjestër të një programi malinj rus të koduar me emrin “ApocalypseZ”. Sipas raportit, alarmi u rrit edhe më shumë pasi u dyshua se përmes këtyre depërtimeve mund të jenë përgjuar edhe komunikimet e kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Pas dëbimit të qindra diplomatëve rusë nga vendet evropiane, të cilët dyshohej se vepronin si spiunë, Moska raportohet se ka ndryshuar strategjinë operative. Përveç agjentëve profesionistë të shërbimeve ruse GRU dhe FSB, tashmë po përdoren edhe të ashtuquajturit “agjentë të nivelit të ulët” – persona të rekrutuar përmes platformës Telegram për shuma të vogla parash.
Këta persona kryejnë detyra që variojnë nga grafitet propagandistike deri te sabotazhe të rrezikshme. Një rast i tillë ishte incidenti në aeroportin e Leipzig/Halle Airport, ku një pako e dërguar nga Lituania mori flakë para se të ngarkohej në avion. Hetuesit besojnë se pajisja ndezëse ishte fshehur në një jastëk masazhi dhe se operacioni lidhej me inteligjencën ushtarake ruse.
Raporti i Der Spiegel thekson se kërcënimi nuk kufizohet vetëm në hapësirën digjitale. Autoritetet gjermane kanë parandaluar edhe disa plane të dyshuara për atentate ndaj personave të lidhur me industrinë që furnizon Ukrainën me dronë dhe pajisje ushtarake.
Në dy raste të ndara, një shtetas ukrainas dhe një shtetase rumune u arrestuan pasi dyshohet se po mblidhnin informacione sekrete dhe po filmonin adresat e pronarëve të fabrikave të dronëve në Gjermani. Hetuesit dyshojnë se informacionet mund të përdoreshin për përgatitjen e atentateve.
Sipas raportit, agjentët rusë po ndjekin edhe ish-anëtarë të inteligjencës ukrainase dhe ushtarë ukrainas që jetojnë në Gjermani. Në qytetet Frankfurt dhe Hagen janë arrestuar persona që dyshohet se po vëzhgonin ish-zyrtarë të lartë ukrainas me qëllim eliminimin e tyre.
Në fokus të operacioneve ruse mbetet edhe infrastruktura kritike gjermane. Në qytetin Minden u zbulua një kamerë e sofistikuar e fshehur në një stacion treni, i cili konsiderohet nyje e rëndësishme për transportin e armatimeve drejt Ukrainës.
Përballë këtij realiteti të ri, Berlini po ndryshon rrënjësisht qasjen ndaj sigurisë kombëtare. Sipas raportit, shërbimet sekrete gjermane po transformohen nga struktura pasive në “shërbime aktive mbrojtëse”.
Planet e reja përfshijnë përdorimin e inteligjencës artificiale, teknologjisë së njohjes së fytyrës dhe depërtimin e fshehtë në pajisjet digjitale të personave të dyshuar.
Ndryshime të mëdha priten edhe në BND, i cili sipas raportit mund të marrë kompetenca operative për kryerjen e sulmeve kibernetike dhe sabotazheve jashtë territorit gjerman, përfshirë operacione kundër fabrikave ruse të dronëve.
Mesazhi i Berlinit, sipas Der Spiegel, është se Gjermania nuk mund të mbetet më vetëm vëzhguese përballë luftës hibride që Rusia po zhvillon kundër Evropës dhe duhet të jetë e aftë t’i përgjigjet Moskës me masa të ngjashme.
The Geopost

Kërcënimi ndaj Kurtit, Ibishi: Pas “Brigadës së Veriut” qëndrojnë inteligjenca serbe dhe ruse
Policia e Kosovës: Kërcënimi ndaj Albin Kurtit erdhi nga qyteti i Kralevës në Serbi
Trump shpall armëpushim tre-ditor midis Rusisë dhe Ukrainës
Polonia e para në BE që nënshkruan marrëveshjen e kredisë për riarmatim SAFE
“I hapi rrugë narrativës serbe”: Kritika për mediumin zviceran ‘20 Minuten’ pas intervistës me ambasadorin serb në Bern
Barometri i BE-së: Qytetarët serbë më afër Rusisë sesa Bashkimit Evropian, ndërsa shumica nuk kanë besim te Vuçiqi