Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza

“Doppelgänger”: Klonimi i mediave në shërbim të propagandës dhe rreziku për Ballkanin

The Geopost May 4, 2026 5 min read
Share the news

Dezinformimi sot nuk vjen më vetëm si status i paqartë në rrjete sociale apo si portal anonim me tituj të ekzagjeruar. Ai po merr formë më të rafinuar: tingëllon bindshëm, duket profesional, imiton burime të besueshme dhe mbi të gjith shpërndahet me një shpejtësi që e bën verifikimin të duket i ngadalshëm. Në këtë fazë të re hyjnë dy dukuri që po e ndryshojnë rregullën e lojës: deepfakes dhe rrjetet e klonimit të mediave, si fushata e njohur ndërkombëtarisht me emrin “Doppelgänger”.

Në pamje të parë, këto mund të duken si probleme “të vendeve të mëdha”: Francë, Gjermani, Britani. Por kjo është një iluzion i rrezikshëm. Ballkani Perëndimor, me historinë e polarizimit politik, me konfliktet e papërpunuara në kujtesën kolektive dhe me varësinë e madhe nga rrjetet sociale si burim i lajmit, shpesh funksionon si terren ku narrativat importohen shpejt, përkthehen lehtë dhe bëhen lokale brenda pak orësh. Në Kosovë, kjo ndjeshmëri është edhe më e fortë sepse temat që prekin sigurinë, veriun, dialogun dhe marrëdhëniet ndëretnike janë të tilla që mjafton një shkëndijë për të prodhuar reagim masiv.

Deepfake, në thelb, është një mashtrim i ndërtuar mbi një avantazh të vjetër njerëzor: ne priremi t’i besojmë asaj që e shohim dhe e dëgjojmë. Kur një video “tregon” dikë duke thënë diçka, ose kur një audio “tingëllon” identik me një figurë publike, instinkti ynë i parë është të mendojmë se po përballemi me provë. Inteligjenca artificiale e shfrytëzon këtë refleks: prodhon një zë, një mimikë, një pamje që i afrohet aq shumë reales, sa dyshimi fillon të duket si paranojë. Por këtu ndodh paradoksi: deepfakes nuk e dëmtojnë vetëm të vërtetën, ato e dëmtojnë edhe besimin te e vërteta. Kur publiku fillon të thotë “ndoshta është deepfake”, atëherë edhe faktet reale e humbin peshën.

Rasti i Sllovakisë në vitin 2023 është shembull i pastër i kësaj. Dy ditë para zgjedhjeve, u shpërnda një audio e rreme që pretendohej se përfshinte Michal Šimečka duke diskutuar manipulim votash. Edhe pse u demantua, ndikimi i saj nuk matet vetëm me pyetjen “a e ndryshoi rezultatin?”, por me faktin se u hodh në qarkullim në momentin më të përshtatshëm për dezinformimin: në prag të votimit, kur publiku është emocionalisht i ndezur dhe kur reagimi institucional e mediatik shpesh mbetet i kufizuar. Analiza e HKS Misinformation Review e thekson pikërisht këtë dimension: deepfake-u mund të jetë i mjaftueshëm jo sepse bind shumicën, por sepse e turbulloi atmosferën në një moment kritik.

Dhe kjo logjikë është lehtësisht e transferueshme në Ballkan: mjafton një audio “e rrjedhur” para një vendimi politik, një incidenti në terren apo një procesi zgjedhor, dhe dëmi bëhet para se të fillojë verifikimi.

Nëse deepfake është mashtrim i “provës”, Doppelgänger është mashtrim i “burimit”. Nuk kërkon domosdoshmërisht teknologji të komplikuar për video, kërkon diçka tjetër: të veshë gënjeshtrën me kostumin e besueshmërisë. Kjo bëhet duke klonuar pamjen e mediave apo institucioneve, duke krijuar faqe që duken si origjinali, duke përdorur domene pothuajse identike dhe duke publikuar artikuj që kanë formë “normale” gazetareske. Pastaj, me rrjete llogarish në Facebook, X apo Telegram, artikulli shtyhet deri sa të duket si temë e ditës. Në këtë pikë, lexuesi mesatar nuk e kontrollon domenin; e sheh logon, e sheh formatin, e sheh tonin dhe e merr si të mirëqenë.

Le Monde ka raportuar për shembuj ku janë klonuar edhe faqe që imitonin institucione shtetërore franceze, duke publikuar pretendime të rreme të ndërtuara për të prodhuar zemërim dhe mosbesim. Këto raste janë të rëndësishme jo vetëm për atë që thonë, por për mënyrën si e realizojnë mashtrimin: nuk të kërkojnë të besosh një portal të panjohur, të kërkojnë të besosh “një burim që ti tashmë e njeh”.

Këtu hyn dimensioni gjeopolitik. Sipas vlerësimeve publike, Doppelgänger është përshkruar si fushatë që shtyn narrativa pro-Kremlinit dhe synon të ndikojë opinionin publik në Evropë. U.S. Cyber Command, në një publikim të vitit 2024, e përshkruan këtë operacion si aktiv të paktën që nga maji 2022, me përdorim të ueb-faqeve të klonuara, artikujve të rremë, rrjeteve të amplifikimit dhe, në disa raste, përmbajtjes së krijuar me AI, me synim manipulimin e perceptimeve publike.

Narrativat që përmenden në përmbledhje të tilla janë zakonisht të ngjashme: delegjitimimi i Ukrainës, frikësimi i publikut evropian përmes “kostos” së sanksioneve, dhe kultivimi i mosbesimit ndaj qeverive e mediave. Pra, nuk është vetëm propagandë “pro dikujt”; është propagandë “kundër besimit”, kundër kohezionit shoqëror dhe kundër idesë se ekziston një bazë e përbashkët faktesh.

Pse na prek kjo neve në Ballkan, e në Kosovë në veçanti?

Sepse rajoni ynë është i ngarkuar me çështje ku interpretimi shpesh e mbyt faktin. Një incident i vogël, një grafit, një përplasje, një video e shkurtër pa kontekst, mund të shndërrohet brenda ditës në “dëshmi” për një narrativë të madhe etnike apo politike. Dhe kur publiku tashmë jeton në një ambient ku besimi është i brishtë, atëherë manipulimi s’ka nevojë të jetë perfekt, mjafton të jetë i besueshëm sa për të ndezur reagimin.

Në Kosovë, kjo bëhet veçanërisht e rrezikshme kur dezinformimi prek tema si siguria, veriu, raportet ndëretnike, dialogu me Serbinë, roli i BE/SHBA, apo krizat ekonomike. Këto janë tema ku titulli i një lajmi shpesh krijon realitet më shpejt se vetë faktet. Një faqe e klonuar që shpërndan “dokument të rrjedhur” ose një deepfake audio ku një figurë publike “pranon” diçka, mund të prodhojë reagim politik, tension social ose panik, pa pasur asnjë element të verifikuar.

Në këtë kuptim, Ballkani shpesh shndërrohet në laborator të përshtatshëm: jo sepse është “më pak i mençur”, por sepse është më i ngarkuar emocionalisht dhe më i polarizuar, me struktura të dobëta të besimit publik.

Mbrojtja nuk është vetëm çështje teknike, por disiplinë kolektive. Për publikun, hapi më i thjeshtë dhe më i vlefshëm është edhe më banal: kontrollo URL-në, kontrollo burimin, mos u mbështet te screenshot-i.

Për gazetarinë, sfida është më e rëndë: të mos lejojë që boshllëku i verifikimit të mbushet me gjuhë sugjestive. Sepse në epokën e deepfakes dhe klonimeve, problemi nuk është vetëm “a është e vërtetë?”, problemi është se një gënjeshtër e paketuar mirë mund të ketë efektin e së vërtetës për aq kohë sa të prodhojë dëm.

Në fund, pyetja nuk është nëse këto mjete do të përdoren edhe te ne, ato tashmë janë në qarkullim global. Pyetja reale është sa shpejt do ta ndërtojmë refleksin shoqëror që i reziston manipulimit: një kulturë verifikimi, një gazetari që e ndan qartë faktin nga interpretimi dhe një publik që e kupton se sot, “dukja” nuk është më garanci për vërtetësinë.

The Geopost

Tags: Ballkani deepfake Dezinformimi Doppelgänger Kosova

Continue Reading

Previous: Si po përdor Rusia dezinformimin dhe luftën kibernetike për destabilizim në Evropë

Si po përdor Rusia dezinformimin dhe luftën kibernetike për destabilizim në Evropë 10 min read
  • Analiza
  • Botë

Si po përdor Rusia dezinformimin dhe luftën kibernetike për destabilizim në Evropë

The Geopost April 29, 2026
BLLOFI I KORRIKUT: Zgjedhja e Vuçiqit mes rrezikut të humbjes tani dhe kolapsit më vonë 5 min read
  • Analiza

BLLOFI I KORRIKUT: Zgjedhja e Vuçiqit mes rrezikut të humbjes tani dhe kolapsit më vonë

The Geopost April 28, 2026
Raport: Polonia, objektivi kryesor i strategjisë hibride të Rusisë në Evropë 4 min read
  • Analiza

Raport: Polonia, objektivi kryesor i strategjisë hibride të Rusisë në Evropë

The Geopost April 28, 2026
A po lëviz BE-ja drejt një rendi pa veto – dhe pse kjo ka rëndësi? 5 min read
  • Analiza

A po lëviz BE-ja drejt një rendi pa veto – dhe pse kjo ka rëndësi?

The Geopost April 27, 2026
A po i vjen fundi regjimit të Vuçiqit në Serbi? 8 min read
  • Analiza

A po i vjen fundi regjimit të Vuçiqit në Serbi?

The Geopost April 27, 2026
Rusia dhe lufta hibride: Propaganda, dezinformimi dhe sulmet kibernetike 7 min read
  • Analiza

Rusia dhe lufta hibride: Propaganda, dezinformimi dhe sulmet kibernetike

The Geopost April 25, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.