Raporti më i fundit për Kosovën, i hartuar nga eurodeputeti dhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, thekson se përhapja e dezinformatave gjatë periudhave zgjedhore përbën një shqetësim në rritje për vendin.
Dokumenti, i paraqitur në Parlamenti Evropian, nënvizon se informacioni i rremë dhe manipulues mbetet një sfidë serioze për institucionet dhe për stabilitetin shoqëror në Kosovë.
Në kapitullin që trajton liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, raporti vëren se aktorë të huaj po përhapin gjithnjë e më shumë dezinformata, veçanërisht ato që lidhen me tensionet ndëretnike gjatë proceseve zgjedhore.
“Shpreh shqetësim për rritjen e dezinformatave rreth tensioneve ndëretnike që po përhapen nga akterë të huaj, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore; bën thirrje për një reagim më të fuqishëm institucional dhe përmirësim të edukimit mediatik”, thuhet në raportin e hartuar nga Terras.
Raporti vlerëson gjithashtu se, megjithëse Kosova ka vendosur një kornizë ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zbatimi i saj në praktikë mbetet i pamjaftueshëm. Në këtë drejtim kërkohet forcimi i zbatimit të legjislacionit që garanton të drejtat e komuniteteve joshumicë.
Sa i përket medias, dokumenti thekson se Kosova ka një peizazh pluralist mediatik, por shpreh keqardhje për mungesën e progresit në garantimin e plotë të lirisë së shprehjes.
Po ashtu, raporti përmend rënien e Kosovës në indeksin botëror të lirisë së medias për vitin 2025, duke theksuar se situata kërkon vëmendje më të madhe institucionale.
Në dokument shprehet shqetësim edhe për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, ndërsa kërkohet përmirësim i reagimit të organeve të drejtësisë dhe përafrim i legjislacionit për median me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Një tjetër rekomandim i raportit lidhet me sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe garantimin e pavarësisë së transmetuesit publik të Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës, duke kërkuar mbikëqyrje më të balancuar dhe përfaqësuese të institucionit.
Raporti thekson se përmirësimi i këtyre fushave mbetet i rëndësishëm për forcimin e institucioneve demokratike dhe për përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
The Geopost

PPE nis procedurat kundër SNS-së: Vuçiqi ka luajtur mjaft në të dyja anët
FSK njofton për ushtrime të përbashkëta me ushtrinë nga Amerika, Kroacia dhe Shqipëria
Varreza masive në Zubin Potok, konfirmohet identiteti i tri viktimave – i përkasin “Grupit të Intelektualëve”
Media ruse e serbe paraqesin rrejshëm protestën në Tiranë si “trazira” për shkak të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së
Von der Leyen anashkalon Serbinë, do ta vizitojë Kosovën dhe Shqipërinë
Kandiq: Serbia synoi që shqiptarët të ishin 5 për qind në Kosovë, prandaj u dëbuan 800 mijë në 1999