Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se misioni paqeruajtës në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm dhe i gatshëm për misionin e tij”.
Duke folur gjatë vizitës së tij në Shkup, Rutte nënvizoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n dhe se roli i aleatëve në rajon mbetet thelbësor për ruajtjen e sigurisë dhe paqes afatgjatë.
Ai falënderoi autoritetet e Maqedonisë së Veriut për kontributin në misionin e KFOR në Kosovë, duke theksuar se ky operacion “vazhdon të luajë rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”.
“Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për të përmbushur misionin”, deklaroi Rutte, duke shtuar se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet aleatëve është thelbësor për sigurinë e përbashkët dhe për parandalimin e destabilizimit në rajon.
Misioni i KFOR-it u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai mbetet operacioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë aktivë të NATO-s.
Fillimisht, forca shumëkombëshe numëronte mbi 50 mijë trupa. Aktualisht, në kuadër të misionit shërbejnë rreth 4.700 ushtarë. Sipas të dhënave zyrtare, gjithsej 4.767 trupa nga 33 vende të botës janë të dislokuara në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Gati gjysma e forcave vijnë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia, ndërsa rreth 590 ushtarë janë nga SHBA-ja.
Deklaratat e Ruttes vijnë në një kohë kur muajt e fundit janë shtuar diskutimet mbi mundësinë e një rishikimi të angazhimit amerikan në misionet e jashtme të NATO-s, përfshirë edhe Kosovën. Megjithatë, Pentagoni ka bërë të ditur se nuk ka asnjë njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave amerikane në kuadër të KFOR-it.
Në Kosovë, KFOR-i vazhdon të mbetet përgjegjës për sigurinë e kufirit tokësor me Serbinë, si dhe për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët. Roli i tij është veçanërisht i rëndësishëm në veri të vendit, ku tensionet kanë qenë të pranishme për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe zhvillimeve të herëpashershme të sigurisë.
Deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s rikonfirmojnë angazhimin e aleancës për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për vazhdimësinë e misionit të KFOR-it si garanci e sigurisë në Kosovë.
The Geopost

25 vjet pas 11 Shtatorit, Kosova në solidaritet me popullin amerikan
Eksperti gjerman: Serbia mbetet faktori kryesor destabilizues në Ballkan, Vuçiq përdor nacionalizmin për pushtet
Spiunë kundër popullit: BIA në fushatën zgjedhore si instrument i Vuçiqit
Gazeta gjermane FAZ: Durimit të BE-së me Serbinë i erdhi fundi – Vuçiqi nuk duhet të tolerohet më
Togeri i Kosovës, Jevtiq, i përcolli BIA-s dokumente dhe plane operative të Policisë
Ministri i Jashtëm i Bosnjës u shkruan shteteve të OKB-së të sanksionojnë Serbinë për nderimet shtetërore për Mlladiqin