Njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës zhvilluan një parakalim madhështor sot në qendër të Prishtinës, në kuadër të ceremonive shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Parakalimi, i shoqëruar nga automjete ushtarake dhe pajisje të avancuara, pasqyroi përpjekjet e institucioneve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë, si dhe gatishmërinë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ushtron rolin e komandantes supreme të FSK-së, gjatë fjalës së saj theksoi rëndësinë e sakrificës dhe luftës së brezit të kaluar për liri.
Ajo deklaroi se “pa kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësia nuk do të ishte realiteti që festojmë sot”.
Presidentja Osmani shtoi se përgjegjësi e brezit të sotëm është të krijojë një Kosovë më të drejtë për fëmijët dhe më të fortë për të ardhmen.
Kryeministri Albin Kurti po ashtu vuri në dukje përparimin e FSK-së, duke theksuar se ushtria e vendit është forcuar me armatim modern, municion të mjaftueshëm dhe vendosjen e lokacioneve strategjike të reja.
“FSK-ja është e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, tha Kurti para nisjes së parakalimit.
Transformimi i FSK-së në Ushtri
Forca e Sigurisë së Kosovës po kalon një proces të transformimit gradual drejt një ushtrie me kapacitete të plota.
Ky proces, që ka nisur në vitin 2018, pritet të përfundojë në vitin 2028 sipas planifikimeve zyrtare.
Aktualisht, FSK-ja ka arritur objektivin për 5.000 trupa të rregullta, ndërsa komponenti rezervë, i cili do të përbëhet nga 3.000 pjesëtarë, mbetet ende për t’u plotësuar.
FSK-ja ka marrë pjesë në një sërë misionesh dhe aktiviteteve rajonale dhe ndërkombëtare, kryesisht me karakter humanitar, trajnues dhe paqeruajtës, duke forcuar rolin e saj në sigurinë ndërkombëtare.
Aktualisht, Forca po përgatitet për të dërguar trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, një projekt i nisur nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
Armatimi dhe buxheti i FSK-së
Përbërja e plotë e armatimit të FSK-së mbetet e paqartë, por pajisjet e konfirmuara përfshijnë automjete të blinduara dhe dronë, të cilat janë në përputhje me standardet e NATO-s, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në vitet e fundit, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ka regjistruar një rritje të ndjeshme, duke u trefishuar nga 67.3 milionë euro në vitin 2021 në 207.8 milionë euro vitin e kaluar, duke siguruar fonde për modernizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.
Ceremonitë e sotme në Prishtinë nuk përfaqësojnë vetëm një përkujtim të pavarësisë, por edhe demonstrimin e forcës dhe gatishmërisë së institucioneve të Kosovës për të mbrojtur vendin dhe për të vazhduar rrugën drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të sigurt.
The Geopost









Miniq: Beogradi po kontribuon në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor
Brey godet Vuçiqin: Propaganda serbe fajëson Brukselin për dështimin e Serbisë drejt BE-së
Vuçiqi kërcënon me ndryshimin e Ibrit, Janjiq: Rikthim te idetë nacionaliste të viteve ’80
Kush po përhap narrativat e Kremlinit në Serbi? Nga faqet anonime te media shtetërore ruse
“Zelensky promovoi narrativën e Beogradit kundër Kosovës”, Joseph: Serbia po armatos Ukrainën, por vazhdon t’i qëndrojë besnike Rusisë
“Retorika dhe praktika në drejtime të kundërta”, gazetari serb kritikon politikën e Beogradit ndaj Kosovës