Sot shënohet 26-vjetori i njërit prej krimeve më të rënda të kryera pas luftës në Kosovë, masakrës së natës ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, ku dhjetë civilë shqiptarë u vranë dhe mijëra të tjerë u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre.
Gjatë asaj nate të përgjakshme, të njohurat si “Rojat e urës” kryen vrasje dhe sulme të organizuara kundër popullatës shqiptare, duke mos kursyer as fëmijë, gra e pleq.
Përveç dhjetë të vrarëve, dhjetëra qytetarë u plagosën, ndërsa rreth 12 mijë shqiptarë u detyruan të largohen me forcë nga veriu i qytetit drejt jugut të Mitrovicës, duke lënë pas shtëpitë e tyre të djegura dhe të shkatërruara.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), këto vrasje dhe dëbime u kryen në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare, të cilët, sipas këtij institucioni, nuk ndërmorën veprime për t’i ndaluar krimet ndaj civilëve shqiptarë.
Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit u vranë Nezir Voca dhe bashkëshortja e tij Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.
Emrat e tyre mbeten sot simbol i vuajtjes dhe sakrificës së shqiptarëve të Mitrovicës së Veriut.
Sipas dëshmive të mbledhura ndër vite, operacioni i vrasjeve dhe dëbimeve ishte i organizuar dhe udhëhiqej nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB), nën komandën e ish-zyrtarëve serbë, përfshirë Dragan Delibashiqin, Oliver Ivanoviqin dhe persona të tjerë të përfshirë në strukturat e sigurisë së asaj kohe.
Drejtësia për këtë masakër ka qenë e vonuar dhe e pjesshme.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, në vitin 2014, e shpalli fajtor Oliver Ivanoviqin, duke e dënuar me nëntë vjet burg për krime lufte ndaj popullatës shqiptare gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Megjithatë, familjarët e viktimave dhe organizatat për të drejtat e njeriut vazhdojnë të kërkojnë drejtësi të plotë për të gjitha krimet e kryera dhe ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve.
Edhe 26 vjet pas, masakra e 3–4 shkurtit mbetet një plagë e hapur për Mitrovicën dhe për Kosovën, duke kujtuar dhimbjen e familjeve të viktimave dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga veriu i qytetit, si dhe nevojën e vazhdueshme për zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.
The Geo Post

SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit
Biserko: Vuçiq përdor “botën serbe” për të ushtruar ndikim në rajon
Alarmon Rashiq: Vuçiqi bashkë me Radoiçiqin prapa kërcënimeve dhe shantazhit të serbëve të Kosovës
Avokati serb rreth skandalit në policinë serbe: Zvonko Veselinoviq kushtëzonte pushtetin me vota dhe mbështetje partiake
Robelli: Studentët serbë po ndjekin gjurmët e nacionalizmit serbomadh
Memorandumi për Kosovën, Videnoviq: Studentët serbë po ecin në gjurmët e nacionalizmit të Sheshelit