Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi të premten se Moska “ka ide” për zgjidhjen e çështjes së Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila ndodhet nën sanksione amerikane, duke konfirmuar se bisedimet me Serbinë janë ende në vazhdim.
Megjithatë, theksi kryesor i zhvillimeve mbetet presioni i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara për largimin e kapitalit rus nga sektori energjetik serb.
“Ne kemi ide se si, në çfarë mënyre dhe në çfarë drejtimi mund të ecim përpara. Një dialog i tillë është duke u zhvilluar me miqtë tanë në Serbi dhe shpresojmë të gjejmë zgjidhjen e duhur”, tha Putin, sipas agjencisë ruse TASS.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj NIS-it më 9 tetor, për shkak se kompanitë ruse zotërojnë shumicën e aksioneve – 56.2 për qind – në kompaninë më të madhe të naftës në Serbi. Uashingtoni ka qenë i qartë në qëndrimin e tij: kapitali rus duhet të largohet nga NIS, në kuadër të masave për të kufizuar të ardhurat e Moskës nga sektori energjetik.
Putin, gjatë konferencës së tij vjetore për fundvit, u shpreh se Rusia pret që “udhëheqja miqësore e Serbisë” të respektojë marrëveshjet ndërqeveritare ekzistuese lidhur me NIS-in, duke lënë të kuptohet se çdo veprim që bie ndesh me to do të ndikojë në besimin e Moskës për investime të ardhshme.
“Ne kemi marrëveshje ndërqeveritare me Serbinë për çdo kufizim që lidhet me këtë subjekt tregtar. Nëse këto nuk respektohen, lind pyetja se si mund të investojmë në ekonominë e vendit dhe ku janë garancitë e sigurisë”, tha Putin.
Nga ana tjetër, sanksionet amerikane, të cilat filluan të zbatohen në tetor pas disa shtyrjeve, kanë pasur tashmë pasoja konkrete. Rafineria e naftës së NIS-it në Pançevë u mbyll në fillim të dhjetorit për shkak të mungesës së licencës, ndërsa Beogradi zyrtar ka konfirmuar se po zhvillohen bisedime me Moskën për ndryshimin e strukturës së pronësisë. Serbia i ka dhënë Rusisë afat deri më 15 janar për të gjetur një zgjidhje.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi më 16 dhjetor se negociatat po zhvillohen mes palës ruse dhe një kompanie të madhe ndërkombëtare, pa përfshirjen direkte të qeverisë serbe. “Mendoj se negociatat janë drejt përfundimit”, tha Vuçiq, pa zbuluar emrin e kompanisë.
Deri më tani, as Uashingtoni dhe as Moska nuk kanë dhënë detaje mbi përparimin e bisedimeve. Informacionet për publikun kanë ardhur kryesisht nga zyrtarët serbë, ndërkohë që qëllimi kryesor i sanksioneve amerikane mbetet i pandryshuar: të goditet sektori energjetik rus dhe të pengohet financimi i mëtejshëm i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Tetë kalime kufitare në gjashtë ditë, çfarë bënte shtetasi rus në Mal të Zi para vrasjes së trefishtë?
Mali i Zi po i afrohet anëtarësimit në BE: Ekspertët paralajmërojnë se Serbia mund të tentojë destabilizimin për ta penguar procesin
Plenkoviq dënon mundësinë e funeralit shtetëror për Mladiqin: Serbia po i mbyll dyert e BE-së
Çanak: Ratko Mlladiqi nuk është hero, por kriminel lufte – Serbia po tenton ta glorifikojë
Nga Moska te Pekini: Kina po merr rol kyç në energjinë e Serbisë
Dënohen dy të akuzuar për barrikadat në veri, për katër të tjerë gjyqi nis më 15 shtator