Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Dhjetë gazetarë largohen nga televizioni kritik ndaj Vuçiqit, Amanpour: Shumë shqetësuese për lirinë e shtypit në Serbi

The Geopost October 21, 2026 3 min read
Share the news

Dhjetë gazetarë të televizionit N1 në Serbi kanë dhënë dorëheqje, duke akuzuar drejtuesit e rinj të mediumit për censurë, manipulim dhe ndërhyrje në pavarësinë editoriale, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në këtë vend.

Largimi i tyre ka nxitur reagimin e gazetares së njohur ndërkombëtare, Christiane Amanpour, e cila ka shprehur shqetësimin për gjendjen e lirisë së shtypit në Serbi.

“Një moment shqetësues për lirinë e shtypit në Serbi, pikërisht para zgjedhjeve. Një shtyp i lirë dhe i pavarur duhet të jetë i panegociueshëm në çdo demokraci”, ka shkruar Amanpour në platformën X.

Sipas raportimeve, dhjetë gazetarët kanë dorëzuar një letër të përbashkët drejtuar menaxhmentit, në të cilën kanë renditur një sërë akuzash për mënyrën e drejtimit të televizionit pas ndryshimeve në pronësi dhe menaxhim.

“Nën menaxhmentin e ri, kemi qenë dëshmitarë të pavërtetave, manipulimeve, censurës së fshehtë, diskreditimit publik të kolegëve, margjinalizimit të tyre profesional, fyerjeve dhe poshtërimeve, ndryshimeve të redaktorëve të programeve dhe refuzimit për të zhvilluar diskutime të hapura për problemet”, thuhet në letrën e tyre.

Gazetarët kanë akuzuar gjithashtu drejtuesit e televizionit se po krijojnë një përshtypje të rreme të debatit publik, ndërkohë që, sipas tyre, dialogu i mirëfilltë brenda redaksisë është eliminuar.

Ata kanë kundërshtuar atë që e përshkruajnë si përpjekje për të krijuar barazi artificiale mes aktorëve politikë, duke anashkaluar kontekstin politik dhe trajtimin që autoritetet serbe i kanë bërë televizionit N1 ndër vite.

“Pikërisht sepse Serbia po përballet me zgjedhjet më të paparashikueshme që nga themelimi i N1, ne refuzojmë, në këto rrethana, t’i japim legjitimitet një politike editoriale që nuk mund ta mbështesim”, kanë deklaruar gazetarët.

Sipas tyre, kufizimet e vendosura nga menaxhmenti i ri e kanë bërë të pamundur qëndrimin në televizion pa cenuar parimet e tyre profesionale.

N1 ka qenë për vite me radhë një nga televizionet kryesore në Serbi që ka raportuar në mënyrë kritike për qeverinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

Në maj, sipas informacioneve të publikuara, kompania mëmë e televizionit u shit te European Future Media Investments, me seli në Luksemburg, e menaxhuar nga Alpac Capital.

Kjo kompani kishte blerë më herët edhe Euronews, në vitin 2022. Një hulumtim i gazetarëve të Direkt36 dhe Le Monde kishte raportuar se blerja ishte financuar pjesërisht nga kapital shtetëror hungarez dhe kompani të lidhura me rrjetin politik të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán.

Dorëheqjet vijnë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, në një periudhë kur roli i mediave dhe pavarësia e tyre editoriale janë veçanërisht të rëndësishme për informimin e publikut.

Redaksia e N1 ka konfirmuar largimin e dhjetë gazetarëve, duke shprehur keqardhje për vendimin e tyre dhe duke deklaruar se do të vazhdojë të mbrojë parimet profesionale dhe pavarësinë e raportimit.

The GeoPost

A concerning moment for freedom of the press in Serbia, right before elections. A free and independent press should be non-negotiable in any democracy.

— Christiane Amanpour (@amanpour) October 21, 2026

Tags: Christiane Amanpour Serbia

Continue Reading

Previous: “Askush nuk guxon të thotë jo”: Votuesit nga Kosova flasin për presionet para zgjedhjeve në Serbi

“Askush nuk guxon të thotë jo”: Votuesit nga Kosova flasin për presionet para zgjedhjeve në Serbi 8 min read
  • Ballkan

“Askush nuk guxon të thotë jo”: Votuesit nga Kosova flasin për presionet para zgjedhjeve në Serbi

The Geopost October 21, 2026
Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Ozdrim dhe në fshatrat në rajonin e Pejës 2 min read
  • Ballkan

Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Ozdrim dhe në fshatrat në rajonin e Pejës

The Geopost October 21, 2026
Në KS të OKB-së, Franca kërkon llogaridhënie nga Serbia për sulmin në Banjskë 1 min read
  • Ballkan

Në KS të OKB-së, Franca kërkon llogaridhënie nga Serbia për sulmin në Banjskë

The Geopost October 21, 2026
Konjufca i kundërpërgjigjet Gjuriqit në OKB: Si mund të flasim për integrim evropian kur takoheni me Radoiçiqin? 3 min read
  • Ballkan

Konjufca i kundërpërgjigjet Gjuriqit në OKB: Si mund të flasim për integrim evropian kur takoheni me Radoiçiqin?

The Geopost October 21, 2026
Fivenson: Ballkani duhet të forcojë luftën kundër dezinformimit 1 min read
  • Ballkan
  • Fact Checking
  • Intervista

Fivenson: Ballkani duhet të forcojë luftën kundër dezinformimit

The Geopost October 21, 2026
Britania thirrje Serbisë t’i dorëzojë përgjegjësit për Banjskën, përfshirë Radoiçiqin 1 min read
  • Ballkan

Britania thirrje Serbisë t’i dorëzojë përgjegjësit për Banjskën, përfshirë Radoiçiqin

The Geopost October 21, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.