Jovan Viqentijeviq, një nga vëllezërit e akuzuar për vendosjen e rreth 20 kilogramëve eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit, ka deklaruar para autoriteteve kosovare se është trajnuar në të njëjtën bazë ushtarake serbe ku u përgatit grupi që kreu sulmin terrorist në Banjskë.
Prokuroria Speciale bën të ditur se ndaj tij rëndojnë edhe akuza për spiunazh, ndërsa si provë është sekuestruar kartela e inteligjencës ushtarake serbe (VBA).
Sipas aktakuzës, Viqentijeviq ka pohuar se ka marrë pjesë në një trajnim 9-ditor ushtarak në kampin e ushtrisë serbe “Pasuljanske Livade”, nga 14 deri më 23 shtator 2023. Ai ka deklaruar se në trajnim kanë marrë pjesë 120 persona nga veriu i Kosovës, të gjithë të nacionalitetit serb.
“Gjatë transportimit nga Mitrovica e Veriut në Prishtinë më 2 dhe 3 dhjetor 2025, i pandehuri ka dhënë informacione lidhur me veprimtarinë e tij të kundërligjshme dhe për personat e tjerë të përfshirë. Ai ka treguar se ka qenë pjesë e ushtrimeve në kampin ‘Pasuljanske Livade’ dhe se të gjithë ishin trajnuar në mënyrë të organizuar”, thuhet në aktakuzë.
Në deklarimet e tij, Viqentijeviq përmend edhe dy instruktorë serbë të ushtrisë: Aleksandar Kosanin nga Kragujevci dhe një oficer tjetër me pseudonimin “Stole”.
Pas trajnimit, sipas tij, grupi është transportuar me autobus drejt Rashkës dhe më pas në Novi Pazar, ku kanë qëndruar dhe janë ushqyer.
Ai ka pranuar gjithashtu se ka qenë në dijeni për një plan për një sulm në Kosovë në tetor të vitit 2024, por që sipas tij ishte shtyrë nga Milan Radoiçiq.
Në aktakuzë citohet deklarimi se Radoiçiqi kishte kërkuar pritje deri pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, duke pretenduar madje se kishte financuar me 30 milionë dollarë lobin serb për fushatën e Donald Trump – pretendim që mbetet i paverifikuar.
Ekspertiza e FBI-së ka gjetur dhe në çizmet e të akuzuarve, i cili përputhej me atë në kanalin Ibër-Lepenc. Po ashtu, në fitilin e sekuestruar në vendin e ngjarjes janë identifikuar gjene që përputhen me ADN-në e të dyshuarve.
Aktakuza përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të cilët akuzohen për terrorizëm dhe rrezikim të rendit kushtetues, si dhe Igor Dimiqin për armëmbajtje pa leje.
Lidhja me sulmin në Banjskë
Prokuroria kujton se ky është vetëm një segment i një rrjete më të gjerë të përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën disa të tjerë.
Për këtë sulm, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër 45 personave, shumica prej të cilëve ngarkohen me terrorizëm dhe vepra të rënda kundër sigurisë së shtetit.
Sipas aktakuzës së Banjskës, Milan Radoiçiq cilësohet si kreu i grupit terrorist që kishte planifikuar, përmes dhunës dhe armëve të rënda, shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën më 11 shtator 2024, ndërsa procesi gjyqësor pritet të zbardhë detaje të reja mbi strukturën e trajnimeve, logjistikën dhe lidhjet e dyshuara të grupit me institucionet e sigurisë në Serbi./TheGeopost.

SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit
Biserko: Vuçiq përdor “botën serbe” për të ushtruar ndikim në rajon
Alarmon Rashiq: Vuçiqi bashkë me Radoiçiqin prapa kërcënimeve dhe shantazhit të serbëve të Kosovës
Avokati serb rreth skandalit në policinë serbe: Zvonko Veselinoviq kushtëzonte pushtetin me vota dhe mbështetje partiake
Robelli: Studentët serbë po ndjekin gjurmët e nacionalizmit serbomadh
Memorandumi për Kosovën, Videnoviq: Studentët serbë po ecin në gjurmët e nacionalizmit të Sheshelit