Mosmarrja pjesë e Serbisë në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për rezolutën që dënonte deportimin me forcë të fëmijëve ukrainas në Rusi ka shkaktuar reagime të ashpra nga Ukraina dhe analistë të politikës së jashtme në Beograd.
Ambasada e Ukrainës në Serbi deklaroi për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e mosvotimit lidhet me faktin se “Beogradi po ndjek interesat e veta kombëtare”, ndërsa paralajmëroi se Rusia po ushtron presion të hapur energjetik ndaj Serbisë.
“Kremlini ka filluar ta shantazhojë hapur Serbinë, duke vonuar zgjidhjen e çështjes së furnizimit me energji”, theksoi ambasada.
Ukraina shprehu shpresën se si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia duhej të mbështeste përpjekjet ndërkombëtare për paqe, përfshirë rikthimin e fëmijëve të rrëmbyer ukrainas.
“Ne presim që vendi kandidat për BE t’i bashkohet politikës së përbashkët evropiane ndaj agresorit, Rusisë”, u tha në reagim.
Politika e jashtme serbe është e turpshme dhe e nënshtruar ndaj Putinit
Reagimet në Serbi janë të forta dhe kritike.
Ekspertët që kanë folur për gazetën Danas thonë se politika e jashtme serbe është “e turpshme, jo parimore dhe e udhëhequr nga frika ndaj Moskës”.
Ata theksojnë se Serbia sot është aq e shantazhuar sa nuk guxon të votojë as për çështjen më elementare humane.
Deputeti Robert Kozma tha se zhvendosja e Misionit të Serbisë në OKB tregon mungesë të orientimit strategjik në politikën e jashtme dhe se çdo vendim shtetëror i është nënshtruar interesit të ruajtjes së pushtetit nga shumica qeverisëse.
Ai kritikoi faktin se Serbia, që pretendon integrimin në BE, nuk votoi për një rezolutë të propozuar edhe nga vet Bashkimi Evropian.
Aris Movsesian e cilësoi mosvotimin si një akt që bie ndesh me moralin bazik njerëzor.
“Nuk po flasim për sanksione, por për mirësjellje njerëzore: të votohet për dënimin e rrëmbimit të fëmijëve. Largimi nga votimi nuk mbron interesat e Serbisë, por interesat e Rusisë”, tha ai, duke shtuar se Beogradi po pranon shantazhin energjetik të Moskës.
Avokati Aleksandar Olenik shkoi edhe më tej, duke thënë se marrëdhënia e Serbisë me Rusinë është “skllavërore” dhe pasojë e nënshtrimit personal të presidentit Aleksandar Vuçiq ndaj Vladimir Putinit.
“Ashtu siç Vuçiq e shikonte Sheshelin si zot dikur, tani e shikon Putinin. Ne jemi fajtorët që lejuam që patologjia personale të bëhet politikë shtetërore”, deklaroi ai.
Si u votua rezoluta?
Nga 193 shtete anëtare të OKB-së:
91 votuan pro rezolutës për kthimin e menjëhershëm të fëmijëve ukrainas;
11 votuan kundër, mes tyre Rusia, Bjellorusia dhe Koreja e Veriut;
57 abstenuan.
Serbia dhe Turqia ishin të vetmit vende kandidate për BE që nuk votuan fare. Ndërkohë, të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria – votuan pro.
Rezoluta kërkon që Rusia të mundësojë “kthimin e menjëhershëm, të sigurt dhe pa kushte” të fëmijëve ukrainas të dërguar me forcë në territorin rus gjatë luftës./TheGeopost.

Shtohet presioni gjerman pas deklaratës skandaloze për Kosovën të ministres serbe
Lista Serbe vazhdon me narrativën e Beogradit, Simiq sulmon Rashiqin dhe institucionet e Kosovës me akuza të pabaza
Ukraina godet 17 nga 20 anijet e flotës ruse në ‘hije’ në Detin e Zi
Zgjerimi i BE-së: Shqipëria dhe Mali i Zi përparojnë në negociatat e anëtarësimit, Serbia ngec edhe më tej
Mijëra njerëz u nisën në një Marsh Paqeje tre-ditor në kujtim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës
Eurodeputetët me kritka të ashpra ndaj Serbisë: Nuk ka vend në BE për regjimin autokratik të Vuçiqit