Foto Credit: EPA/CLEMENS BILAN
Vendet e Ballkanit Perëndimor, në dritën e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë dhe Kinës për të ushtruar ndikim mbi to, si kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të vazhdojnë me reformat dhe të dëshmojnë përkushtimin ndaj vlerave të përbashkëta evropiane, deklaroi sot ministri i Jashtëm gjerman, Johan Vadeful.
“Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave themelore nuk janë lëndë bisedimi,” tha Vadeful para nisjes për një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton agjencia dpa.
Shefi i diplomacisë gjermane theksoi se vendet e rajonit janë një “pjesë e pandashme e familjes evropiane” dhe se “Bashkimi Evropian nuk është një premtim i largët, por perspektiva e tyre konkrete.”
“Kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e këtij komuniteti të sundimit të ligjit dhe kësaj hapësire tregu, duhet të marrë përgjegjësinë, edhe nëse kjo kërkon hapa të vështirë,” tha Vadeful.
Ai sqaroi se për vendet e Ballkanit Perëndimor është me rëndësi vendimtare që të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë, në mënyrë që të forcojnë pavarësinë dhe sovranitetin e tyre në afat të gjatë.
“Ne në Gjermani e dimë se sa e dhimbshme dhe njëkohësisht e nevojshme mund të jetë kjo,” tha Vadeful.
Dpa kujton se Gjermania u çlirua plotësisht nga varësia prej gazit rus, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Sipas tij, partnerët e NATO-s, Mali i Zi dhe Shqipëria, kanë bërë progres të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa vendet e tjera të rajonit duhet, disa edhe në masë më të madhe, ta ndjekin këtë rrugë.
Turneu i Vadefulit në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor fillimisht e çon në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), e më pas më 17 nëntor udhëton në Mal të Zi dhe Shqipëri. Që në mbrëmjen e po të njëjtës ditë, shefi i diplomacisë gjermane do të arrijë në Beograd. Nga Beogradi të martën ai vazhdon turneun me vizita në Kosovë dhe më pas në Maqedoninë e Veriut./Beta/

Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska
Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi
FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe”
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë
Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi
Lufta paralizon jugun e Iranit: Errësirë, mungesë karburantesh dhe varka të shkatërruara