Komisioni Evropian i ka bërë thirrje Beogradit të ashpërsojë politikën e vizave për qytetarët e Federatës Ruse, duke e përshtatur atë me kërkesat e BE-së në kuadër të procesit të integrimit evropian të Serbisë.
Në raportin për Serbinë për vitin 2025, i publikuar të martën më 4 nëntor, theksohet se politika e vizave e Serbisë përputhet vetëm pjesërisht me listën evropiane të vendeve të treta, qytetarëve të të cilave u kërkohen viza hyrëse, raporton dw, transmeton The Geopost.
Praktika aktuale e dhënies së shtetësisë serbe për qytetarët rusë — dhe për rrjedhojë e drejta e tyre për të hyrë pa viza në Bashkimin Evropian — përbën rrezik potencial për sigurinë e BE-së, vlerëson Brukseli.
Ndërkohë, kërkesa për kufizimin e dhënies së pasaportave për qytetarët rusë përfshihet në Paketën e Zgjerimit, që përcakton politikën e BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj.
“Brukseli vuri në dukje refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Beogradi ka mbështetur pjesërisht disa vendime të Këshillit të BE-së, përfshirë ato që dënojnë veprimet e Rusisë, por ka ruajtur një nivel të lartë kontakti me Moskën dhe retorikë me elemente të propagandës anti-perëndimore”, thekson Komisioni Evropian.
Në Bashkimin Evropian theksohet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mban “kontakte demonstrative” me udhëheqjen ruse. Brukseli kujtoi pjesëmarrjen e Vuçiqit në Paradën e Fitores më 9 maj në Moskë dhe takimet e tij me presidentin rus Vladimir Putin.
Komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Serbia, ndryshe nga shumë vende të tjera kandidate për anëtarësim në BE, ka ngadalësuar procesin e reformave dhe demokratizimit. Po ashtu theksohet se efikasiteti i parlamentit serb është ulur “për shkak të seancave të rralla” dhe “mungesës së debateve të vërteta politike”.
Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve evropiane kundër Moskës, ndërkohë që marrëdhëniet dypalëshe janë forcuar. Ndërkaq në takimet e zyrtarëve serbë dhe rusë diskutohet për thellim të raporteve mes dy vendeve.
Raporte të ngjashme janë publikuar të njëjtën ditë edhe për vende të tjera kandidate për anëtarësim në BE.
/The Geopost

Azerbajxhani proteston ndaj Rusisë pasi ambasada në Kiev u dëmtua nga sulmi me raketa ruse
Japonia i kërkon Kinës të zvogëlojë reagimin në debatin për Tajvanin
Kallas konfirmon se BE po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë
Gjermania miraton planin e ri të shërbimit ushtarak për të rritur numrin e trupave
Një kompani kineze e sanksionuar nga SHBA-ja në garë për ndërtimin e autostradës së Malit të Zi
Rruga e Ballkanit Perëndimor – Rrugë e re për migrantët kinezë drejt perëndimit