Një pamje e tmerrshme që po qarkullon nga fronti në Ukrainë tregon një burrë të plagosur që qëndron në një kanal me baltë, i zhveshur nga uniforma e tij ushtarake. Trupi i dobësuar mezi qëndron në këmbë, ndërsa nën pllakën e identitetit ushtarak shihen brinjët e dala. Ai mezi artikulon fjalë — dhe sipas autoriteteve ukrainase, është një nga shumë ushtarët me probleme mendore që Rusia dyshohet se ka dërguar në vijën e parë të frontit.
Sipas një raporti të The Telegraph, burime ukrainase thonë se kjo është një strategji e re e Moskës që tregon varësinë në rritje ndaj rekrutëve të pambrojtur dhe gatishmërinë për të shfrytëzuar burimet njerëzore pa marrë parasysh pasojat apo numrin e viktimave.
“Rusisë nuk do t’i mungojnë kurrë njerëzit,” ka thënë një pjesëtare e forcave të mbrojtjes ukrainase, e quajtur Ana (emri i ndryshuar për arsye sigurie). “Nëse çdo 10 metra humbin një njeri, por arrijnë përparim, ata do ta bëjnë. Për ta, jeta e të varfërve nuk ka çmim,” shtoi ajo.
Ushtarë me aftësi të kufizuara e probleme mendore në front
Eksperti ushtarako-politik Dmitro Zhmailo, drejtor ekzekutiv i Qendrës Ukrainase për Siguri dhe Bashkëpunim (USCC), tha se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një modeli sistematik.
“Për shkak të mungesës së trupave dhe humbjeve të mëdha, Rusia po rekruton qytetarë pavarësisht nga shëndeti i tyre fizik apo mendor,” tha Zhmailo.
Një komandant ukrainas, që dëshiroi të mbetet anonim, pohoi se kanë identifikuar të paktën dy raste të rusëve me paaftësi mendore të dërguar në luftë, përveç atyre të dokumentuar nga USCC.
Njëri prej tyre ishte Semyon Karmanov, 27 vjeç, i cili nuk dinte as të lexonte as të shkruante dhe kishte diagnozën “paaftësi intelektuale me çrregullime të sjelljes që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm”. Megjithatë, komisioni mjekësor i burgut e shpalli “të aftë për shërbim ushtarak”. Nga burgu, ai u dërgua në një kamp stërvitor në Lugansk të pushtuar, ku mori librezën ushtarake me detyrë “shofer” – megjithëse nuk kishte vozitur kurrë. Ai u vra në front këtë vjeshtë.
Një rast tjetër është ai i Aleksei Vahrushev, 22 vjeç, nga Rusia perëndimore, i cili kishte kaluar shumicën e jetës nën kujdes psikiatrik. Pavarësisht certifikatës mjekësore që e shpallte të paaftë për shërbim, policia e detyroi të nënshkruante kontratën ushtarake. Pas një përpjekjeje për të ikur nga fronti, ai u dërgua përsëri në betejë — dhe fati i tij mbetet i panjohur.
Në rrjete sociale po qarkullojnë video që tregojnë ushtarë rusë të kapur rob, të cilët nuk kuptojnë ku ndodhen dhe nuk janë në gjendje të komunikojnë, gjë që sipas autoriteteve ukrainase tregon qartë përdorimin e personave me aftësi të kufizuara si “mish për top”.
Zhmailo përmendi edhe rastin e Artyom Radaevit, 22 vjeç, i cili kishte qenë invalid që nga fëmijëria, por u dërgua në front nga Brigada e 4-të e Motorizuar Ruse. Ai u zhduk pas disa ditësh dhe nëna e tij më vonë e njohu në një foto ku ushtarët rusë ishin lidhur për pemë si ndëshkim për refuzimin e urdhrave.
Një tjetër, Oleg Volkov (23), me diagnozë psikiatrike që në fëmijëri, u detyrua të nënshkruante kontratë ushtarake pasi u kap duke vjedhur një arka vere. Ditën e parë në Ukrainë u fsheh i tmerruar në një trafostacion, ku më pas u kap rob. Edhe fati i tij është i panjohur.
“Rekrutët vdesin menjëherë sapo arrijnë”
Një ushtar rus nga njësia “Espanyola”, që lufton në afërsi të qytetit Chasiv Yar, pranoi në një video se shumë nga rekrutët e rinj vdesin menjëherë sapo arrijnë në front.
“Rekrutojnë njerëz që nuk dinë asgjë. Miliona shpenzohen për ta, por sapo mbërrijnë, vdesin. Nga 70 njerëz në njësinë time, kanë mbetur vetëm gjashtë,” – tha ai. “Tashmë vozisim mbi kufoma — nuk ka mënyrë tjetër.”
“Kremlini nuk i sheh ushtarët si njerëz”
Ana, pjesëtare e ushtrisë ukrainase, theksoi se numri i madh i viktimave ruse nuk do të thotë se Ukraina po fiton automatikisht.
“Për ne çdo ushtar është një jetë. Për Putinin, çdo ushtar është thjesht një mjet për të arritur qëllimin. Ata shqetësohen më shumë për sanksionet amerikane sesa për humbjen e 500 mijë njerëzve,” tha ajo.
Sipas saj, lufta nuk është më çështje aftësie ushtarake, por numrash: “Kremlini e sheh këmbësorin jo si njeri, por si mall të konsumueshëm.”
Për të njëjtën gjë flet edhe pukovniku Oleksandr Zavtonov nga Korpusi 30 Detar i Ukrainës, që lufton në drejtimin e Hersonit.
“Sulmet janë të pandërprera, ditë pas dite, muaj pas muaji. Nga përgjimet radiokomunikuese dëgjojmë shpesh ushtarë rusë që refuzojnë të sulmojnë, por komandantët e tyre janë krejtësisht indiferentë,” shpjegon ai.
Zavtonov përfundon duke thënë se, edhe pse sulmet nuk janë gjithmonë masive, qëllimi i tyre është të shterojnë forcat ukrainase.
“Armiku nuk njeh kufi në çmimin e jetëve njerëzore. Për botën e civilizuar kjo duket si taktikë kanibaliste, por për rusët është normë. Ata gjithmonë luftojnë kështu — pa vlerë për jetën njerëzore,” tha ai.
/TheTelegraph

Rusia po e shantazhon Vuçiçin, a do të guxojë Serbia të shtetëzojë Industrinë Serbe të Naftës?
“Kush dëshiron të hyjë në BE duhet të jetë i gatshëm edhe për hapa të vështirë”: Shefi i diplomacisë gjermane para vizitës në Ballkan
Azerbajxhani proteston ndaj Rusisë pasi ambasada në Kiev u dëmtua nga sulmi me raketa ruse
Japonia i kërkon Kinës të zvogëlojë reagimin në debatin për Tajvanin
Kallas konfirmon se BE po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë
Gjermania miraton planin e ri të shërbimit ushtarak për të rritur numrin e trupave