Në projekt-rezolutën e Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, eurodeputetët mbështesin të drejtën e studentëve dhe qytetarëve për protesta paqësore, dhe dënojnë ashpër valën e dhunës të sponsorizuar nga shteti, frikësimet dhe arrestimet pa kriter.
Në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian, thuhet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.
Eurodeputetët do të diskutojnë rezolutën për Serbinë në seancën e 21 tetorit.
Fokusi i rezolutës është situata në Serbi një vit pas aksidentit më 1 nëntor 2024, kur nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad humbën jetën 16 persona dhe një tjetër u plagos rëndë.
Shembja e strehës ka shkaktuar një valë protestash masive kundër qeverisë, me kërkesën që të përcaktohet përgjegjësia, ndërkohë që përfaqësuesit e pushtetit mohojnë fajin për aksidentin.
Në tekstin e harmonizuar të rezolutës së Parlamentit Evropian “Për polarizimin dhe shtimin e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë në Novi Sad”, përsëritet kërkesa për një hetim të plotë dhe transparent si dhe një proces gjyqësor, në mënyrë që përgjegjësit për shembjen e strehës të dalin para drejtësisë.
Dënohet ndërhyrja e hapur e Federatës Ruse në protestat në Serbi përmes dezinformatave të zyrtarëve rusë, përfshirë Vladimir Putinin, në të cilat flitet për një “revolucion të ngjyrosur” me mbështetje nga Perëndimi.
Autoritetet serbe u bëhet thirrje që “të marrin masa kundër kësaj propagande malinje në mediat vendase, në vend që të marrin pjesë në përhapjen e saj”.
Eurodeputetët në rezolutë mbështesin dërgimin e një misioni ad hoc për vlerësimin e gjendjes së demokracisë, me pjesëmarrjen e Parlamentit Evropian.
Komisionit Evropian i bëhet thirrje të nisë një iniciativë për sanksione individuale të synuara kundër atyre që janë përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit dhe të të drejtave të njeriut në Serbi.
Rritja e ndikimit të Kinës, projekte jashtë procedurave të tenderimit
Në tekst thuhet se prania dhe ndikimi i Kinës në Serbi është rritur ndjeshëm vitet e fundit përmes investimeve të mëdha infrastrukturore, “gjë që ngjall shqetësime lidhur me transparencën, respektimin e standardeve të BE-së dhe përputhshmërinë me rregulloret për mbrojtjen e mjedisit”.
Përmendet se projekti për rikonstruksionin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit është realizuar nga dy kompani kineze jashtë procedurave të zakonshme të prokurimit publik, dhe se Prokuroria Publike Evropiane ka nisur një hetim për keqpërdorim të mundshëm të fondeve të BE-së të destinuara për rikonstruksionin e stacionit.
Në tekst vlerësohet se zgjedhjet në Serbi janë karakterizuar nga abuzime sistematike, përfshirë parregullsi në listat e votuesve, blerje votash, keqpërdorim të burimeve shtetërore, presion dhe frikësim ndaj votuesve dhe nëpunësve publikë.
Gjithashtu theksohet se “vëzhgues të pavarur kanë raportuar se zgjedhjet lokale të fundit në Zajeçar dhe Kosjeriq nuk kanë qenë as të lira dhe as të ndershme”.
Brutaliteti policor gjatë protestave
Parlamenti Evropian thekson se protestat e organizuara nga lëvizja studentore kanë qenë kryesisht paqësore, megjithëse gjatë verës së vitit 2025 ka pasur disa incidente të izoluara të dhunshme.
Vërehet gjithashtu se në disa raste gjatë protestave masive janë shfaqur simbole radikale dhe është përdorur retorikë ekstremisht nacionaliste, proruse dhe shoviniste, gjë që ka shkaktuar kritika të forta si nga jashtë vendit, ashtu edhe brenda vetë Serbisë.
Në tekst vlerësohet se autoritetet serbe përdorin dhunë ndaj kundërshtarëve politikë dhe forca të tepruara ndaj protestuesve, duke theksuar përshkallëzimin e represionit.
Në rezolutë përmendet se gjatë protestës në Beograd më 15 mars, sipas burimeve të pavarura, protestuesit janë sulmuar me armë zanore, çka ngjall “shqetësim serioz për proporcionalitetin dhe ligjshmërinë e përdorimit të forcës”.
Theksohet se autoritetet mohojnë përdorimin e topit zanor dhe se kanë ftuar Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) për të hetuar incidentin, ndërkohë që hetimi zyrtar ende nuk ka çuar në asnjë aktakuzë.
Duke theksuar se protestat janë karakterizuar nga represioni, rrahjet, arrestimet arbitrare, përdorimi i gazit lotsjellës, ndalimet me motive politike, deportimet dhe mbikëqyrja masive, Parlamenti Evropian vlerëson se dhuna është intensifikuar që nga gushti 2025.
Përmendet brutaliteti policor, tortura dhe dhuna seksuale ndaj studentëve, kërcënimet, ndjekjet penale me motive politike nga Prokuroria e Lartë dhe fushatat e njollosjes në mediat proqeveritare.
Në tekst vlerësohet se Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit ka “regjistruar në mënyrë të paligjshme dhe transmetuar në televizion biseda private”, të cilat janë përdorur për të akuzuar studentët dhe aktivistët për përgatitje të sulmeve ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë.
Shtohet se “njësia elitare ushtarake Kobre është angazhuar në konflikte të brendshme dhe madje ka përdorur municion të vërtetë”.
Parlamenti Evropian thekson gjithashtu se grupet proqeveritare dhe persona me të kaluar kriminale kanë qenë të mbrojtur nga policia gjatë kundër-mitingjeve të dhunshme, ndërkohë që studentët, liderët opozitarë dhe deputetët janë rrahur nga policë të veshur civilë.
‘Fjalori çnjerëzor’ i Vuçiçit kundër politikanëve të BE-së
Parlamenti Evropian vlerëson se propozimet për një paketë ligjesh penale, të cilat parashikojnë vepra të reja penale dhe dënime më të ashpra, mund të kufizojnë në mënyrë të pamasë liritë e tubimit dhe të shprehjes, duke rrezikuar kriminalizimin e formave të protestës paqësore.
Në tekst thuhet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i paraqet protestat si një “revolucion të ngjyrosur” të organizuar dhe financuar nga shërbime sekrete të vendeve perëndimore, dhe se ky narrativ përhapet nga mediat proqeveritare dhe mbështetet nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), i cili akuzon BE-në për zhvillimin e “aktiviteteve nënçmuese” me qëllim nxitjen e protestave.
Thuhet se Vuçiq “përdor një fjalor çnjerëzues” ndaj politikanëve të Bashkimit Evropian, përfshirë deputetët e Parlamentit Evropian që kanë mbështetur studentët, ndërsa qeveria dhe elita në pushtet “kanë normalizuar represionin” duke falur mbështetësit e qeverisë të dyshuar për sulme të dhunshme.
Thirrje për hetim mbi korrupsionin
Parlamenti Evropian në projekt-rezolutën e tij përsërit kërkesën për një hetim të plotë dhe transparent si dhe një proces gjyqësor, në mënyrë që përgjegjësit për shembjen e strehës të dalin para drejtësisë.
Bëhet thirrje edhe për një ekzaminim teknik të pavarur mbi shkaqet e shembjes, si dhe një vlerësim të plotë të rasteve të mundshme të korrupsionit apo neglizhencës.
Në tekst theksohet se është e nevojshme “të hetohet më gjerësisht se në çfarë mase korrupsioni ka çuar në uljen e standardeve të sigurisë dhe ka kontribuar në këtë tragjedi”.
Autoritetet serbe ftohen në tekst që të kryejnë një inspektim të gjithanshëm teknik, të sigurisë dhe transparent për të gjitha objektet infrastrukturore.
Kërkohet gjithashtu që projektet infrastrukturore të mos vihen në funksion pa lejet dhe certifikatat e nevojshme për përdorim të sigurt
Dënimi i dhunës ‘të sponsorizuar nga shteti’
Eurodeputetët kanë mbështetur të drejtën e studentëve dhe qytetarëve serbë për protesta paqësore, duke theksuar rëndësinë e guximit qytetar, përkushtimit ndaj mosdhunës dhe angazhimit të të rinjve për përparimin e Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ata i kanë bërë thirrje autoriteteve që të garantojnë dhe respektojnë të drejtën për tubim dhe lirinë e shprehjes.
Në tekst shprehet mbështetje për një dialog të sinqertë mbi mënyrat se si qeveria mund të përmbushë kërkesat e studentëve, përfshirë edhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme.
Parlamenti Evropian është “thellësisht i shqetësuar për situatën në Serbi, e cila vazhdon të jetë e mbushur me tensione dhe polarizim që lehtësisht mund të çojnë në dhunë”, dhe u bën thirrje autoriteteve që “të promovojnë pjesëmarrje politike gjithëpërfshirëse”.
Parlamenti Evropian “dënon ashpër valën e dhunës së sponsorizuar nga shteti, frikësimet dhe arrestimet pa kriter të demonstruesve paqësorë, gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të opozitës”.
Dënohen fushatat e njollosjes dhe keqpërdorimi i të dhënave personale për të diskredituar demonstruesit, si dhe ndjekja e paligjshme e tyre përmes softuerëve spiunues.
Autoriteteve u bëhet thirrje të garantojnë lirinë e medias, ndërsa zyrtarëve të lartë u kërkohet të ndalojnë retorikën nxitëse që përhap armiqësi apo dhunë.
Shprehet shqetësim i veçantë për “përdorimin e pajisjeve akustike me rreze të gjatë” dhe përdorimin e tepruar të gazit lotsjellës kundër civilëve, duke u bërë thirrje për miratimin dhe zbatimin e protokolleve të qarta për teknologjitë e ligjshme të kontrollit të turmave, si dhe për krijimin e mekanizmave të pavarur të mbikëqyrjes.
Parlamenti Evropian vlerëson se “udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike” dhe shpreh keqardhje “për faktin se zyrtarët më të lartë shtetërorë përhapin aktivisht teori konspirative se shembja e strehës ishte sabotim apo sulm terrorist”.
Shprehet shqetësim për faktin se institucionet shtetërore dhe gjyqësore nuk ndërmarrin asnjë veprim për të “hedhur poshtë ato pretendime të pabazuara”.
Theksohet se ndryshimet ligjore nuk duhet të çojnë në kriminalizimin e sjelljes paqësore apo formave jo të dhunshme të protestës.
Për studentët në paraburgim dhe kampin në Parkun e Pionirëve
Në rezolutë shprehet shqetësim për arrestimet para protestave të 15 marsit dhe 28 qershorit 2025, pas publikimit të incizimeve të bisedave të të dyshuarve në mediat proqeveritare.
Konstatohet se mbi këtë bazë janë arrestuar disa aktivistë dhe opozitarë, prej të cilëve disa ndodhen ende në arrest shtëpiak ose në mërgim, dhe bëhet thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm.
Kërkohet një hetim urgjent, i paanshëm dhe transparent për të gjitha pretendimet mbi përdorimin e panevojshëm dhe të pamasë të forcës, arrestimet arbitrare, paraburgimet, torturat, dhunën seksuale ndaj të ndaluarve, ndjekjet penale me motive politike dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut.
Përmendet në mënyrë të veçantë rasti i studentëve Bogdan Jovičić, Nikolina Sinđelić dhe Luka Mihajlović, si dhe rasti i mëparshëm i pretenduar për brutalitet policor ndaj aktivistit Ilija Kostić. Autoriteteve u bëhet thirrje që të hetojnë në mënyrë të thelluar pretendimet se këto shkelje kanë ardhur nga zyrtarë të lartë të Njësisë për Mbrojtjen e Objekteve (JZO), veçanërisht komandanti Marko Kriçka.
Në projekt-rezolutën e harmonizuar dënohet ashpër hakmarrja e autoriteteve ndaj të punësuarve në sektorin e arsimit dhe kulturës për shkak të mbështetjes së protestave, përfshirë humbjen e vendeve të punës, uljen e pagave, tërheqjen e fondeve për universitetet shtetërore dhe praninë e policisë në ndërtesat universitare.
Autoritetet serbe ftohen që të rikthejnë menjëherë financimin për universitetet, ndërsa institucionet përkatëse të garantojnë pjesëmarrjen e papenguar të komunitetit akademik dhe kërkimor në projektet që financohen nga Bashkimi Evropian
Dënohet veprimi i partisë në pushtet për organizimin e kampit të paligjshëm në Parkun e Pionirëve përpara ndërtesës së Presidencës dhe zgjerimi i mëvonshëm i tij në sheshin përpara Kuvendit Popullor.
Shprehet shqetësim serioz për raportet e shumta se persona me dosje kriminale janë mobilizuar nga partia në pushtet për aktivitete kundër-mitingu.
Shtohet se ata kanë sulmuar demonstruesit me mjete piroteknike, duke rritur më tej tensionet, dhunën dhe polarizimin në vend.
Gjithashtu dënohen incidentet kundër pjesëtarëve të pakicave kombëtare dhe përdorimi i fyerjeve etnike në mediat proqeveritare për t’i stigmatizuar.
Autoriteteve serbe u bëhet thirrje të mundësojnë kthimin e sigurt të të gjithë qytetarëve që kanë lënë vendin për shkak të represionit politik, frikësimit apo frikës nga ndjekja penale, dhe të garantojnë mbrojtjen e tyre të plotë.
Dënimi i arrestimeve dhe dëbimeve të paligjshme të qytetarëve të BE-së
Në tekst dënohen ashpër arrestimet dhe dëbimet e paligjshme të qytetarëve të Bashkimit Evropian që kanë mbështetur studentët në protesta, si dhe publikimi i të dhënave personale të qytetarëve të BE-së nga persona të dënuar për krime lufte.
Njëkohësisht, shprehet shqetësim për numrin në rritje të rasteve të ndalimit të qytetarëve të BE-së në kufijtë e Serbisë.
Eurodeputetët dënojnë me forcë sulmet verbale ndaj deputetëve të Parlamentit Evropian nga zyrtarët më të lartë serbë, përfshirë sulmin e presidentit Vuçiq ndaj eurodeputetëve të grupit të Gjelbër/EFA në fillim të shtatorit.
Gjithashtu dënohet ndërhyrja e hapur e Federatës Ruse në protestat në Serbi përmes dezinformatave të përhapura nga zyrtarë rusë, përfshirë Vladimir Putinin, në të cilat protestat paraqiten si “revolucion i ngjyrosur” me mbështetje nga Perëndimi.
Njëkohësisht hidhen poshtë akuzat e zyrtarëve serbë dhe mediave proqeveritare se Bashkimi Evropian dhe disa prej vendeve anëtare të tij kanë qenë të përfshira në organizimin e protestave studentore me qëllim nxitjen e një “revolucioni të ngjyrosur”, dhe u bëhet thirrje autoriteteve serbe që të marrin masa kundër kësaj propagande malinje në mediat vendase, në vend që të marrin pjesë në përhapjen e saj.
Shprehet shqetësim për praninë e narrativave nacionaliste në disa pjesë të lëvizjes protestuese dhe keqardhje për vazhdimin e përdorimit të tyre, përfshirë konceptet e “Serbisë së Madhe” dhe “Botës Serbe”, të cilat në të kaluarën janë promovuar nga disa anëtarë të qeverisë serbe.
Theksohet se një retorikë e tillë nuk ka vend në marrëdhëniet mes BE-së dhe Serbisë dhe se ajo minon stabilitetin rajonal.
Në tekst vërehet me shqetësim se qeveria duket se është duke negociuar me pronarët e kompanisë United Media me qëllim dobësimin e këtij mediumi, dhe paralajmërohet se kjo përbën një sulm serioz ndaj pluralizmit mediatik, i cili tashmë është i rrezikuar në Serbi.
Bëhet thirrje për zbatimin e menjëhershëm dhe të plotë të të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, veçanërisht në lidhje me rishikimin e listës së votuesve dhe përzgjedhjen transparente dhe pluraliste të anëtarëve të Autoritetit Rregullator për Mediat Elektronike (REM).
Për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe sanksionet ndaj Rusisë
Parlamenti Evropian thekson sërish se negociatat për anëtarësimin e Serbisë duhet të përparojnë vetëm mbi bazën e përparimit të matshëm dhe të qëndrueshëm në fushat themelore – veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias dhe reformën e administratës publike – si dhe përputhjen e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
Theksohet se Serbia vazhdon të jetë një përjashtim i dukshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor sa i përket përputhjes me politikën e jashtme të BE-së.
Eurodeputetët mbështesin dërgimin e një misioni ad hoc për verifikimin e fakteve në Serbi, me pjesëmarrjen e Parlamentit Evropian, për të vlerësuar gjendjen e demokracisë, protestat që po zhvillohen, sulmet ndaj demonstruesve dhe represionin ndaj studentëve, mësimdhënësve dhe të punësuarve në sektorin publik.
Komisionit Evropian i bëhet thirrje që të nisë një iniciativë për sanksione të synuara individuale ndaj personave përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Serbi, në përputhje me Regjimin Global të Sanksioneve të BE-së për të Drejtat e Njeriut.
Në tekstin e harmonizuar të rezolutës, zyrtarëve më të lartë evropianë u bëhet thirrje që të përmbahen nga deklaratat të pabazuara në të cilat lavdërohet procesi reformues në Serbi dhe përshëndetet “toni i ri” i presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd.
U bëhet thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të forcojnë masat e mbrojtjes për personat në rrezik, përfshirë dhënien e vizave urgjente dhe programe të zhvendosjes, si dhe u kërkohet misioneve diplomatike të BE-së që të ndjekin me kujdes proceset gjyqësore të lidhura me protestat.
Në përfundim, eurodeputetët u bëjnë thirrje të gjitha vendeve që do të marrin pjesë në ekspozitën ndërkombëtare EXPO 2027 në Serbi që të marrin parasysh shqetësimet serioze dhe dëshmitë për korrupsion të përhapur të lidhur me autoritetet, si dhe mungesën e raportuar të respektimit të standardeve bazë të ndërtimit dhe ligjeve gjatë organizimit dhe procesit të ndërtimit./RSE/

Në Ballkan testohet siguria e Evropës, tha kryeministri britanik në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit
Ukraina dhe Suedia nënshkruajnë kontratë afatgjatë për deri në 150 avionë luftarakë Gripen për Kievin
Polonia arreston tetë persona për sabotim të dyshuar të lidhur me Rusinë, thotë Kryeministri Tusk
Asnjë takim Trump-Putin në të ardhmen e afërt – ja pse
BE-ja përgatit rrugë të reja tregtare — dhe një sfidë për Pekinin dhe Moskën — në Samitin e Luksemburgut
Zelensky i gatshëm t’i bashkohet bisedimeve Trump-Putin pas takimit ‘të sinqertë’ në Shtëpinë e Bardhë