BBC britanike është distancuar nga një deklaratë e Suzana Vasiljeviq, një këshilltare e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, e cila tha se ndërsa punonte për BBC-në, ajo dikur mori pjesë në sajimin e lajmeve.
“Ne nuk i njohim këto pretendime si të vërteta në lidhje me raportimin tonë”, tha një zëdhënëse e BBC-së për Radion Evropa e Lirë (REL).
“BBC është ofruesi më i besuar i lajmeve në botë dhe është i përkushtuar ndaj raportimit të saktë, të pavarur dhe të paanshëm për audiencat në të gjithë botën”, shtoi ajo.
Vasiljeviq foli për gjendjen e medias në një program televiziv në stacionin privat televiziv Kurir dhe kujtoi kohën kur, siç tha ajo, bashkëpunoi me BBC-në. “Kam punuar në media… Në BBC, ne sajonim histori, kështu që… Ne sajuam një luftë në Mal të Zi, mundësinë që Millosheviqi të sulmonte në vitin 2000 para zgjedhjeve, dhe sulmin e tij të fundit ndaj Malit të Zi, ose më saktë Milo Gjukanoviqit, sepse Milo ia ktheu shpinën, në mënyrë që ne të ishim në Sveti Stefan për tre muaj”, tha Vasiljeviq gjatë paraqitjes së saj.
BBC raportoi gjithashtu se Suzana Vasiljeviq nuk ishte e punësuar nga kompania dhe kishte punuar më parë me organizatën si punonjëse e pavarur, së fundmi në vitin 2012.
Pas bombardimeve të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë nga NATO, marrëdhëniet midis anëtarëve të atëhershëm Serbi dhe Mal të Zi ishin “të tensionuara”.
Në vitin 1999, i ashtuquajturi Batalioni i Shtatë u krijua në territorin e Malit të Zi nga forcat ushtarake besnike ndaj Beogradit.
Qeveria e atëhershme e Milo Gjukanoviqit ishte në konflikt me autoritetet në Beograd për shkak të kundërshtimit të saj ndaj hyrjes në konflikt me NATO-n, ndërhyrja e së cilës kishte ndaluar veprimet e forcave të armatosura serbe kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.
Batalioni i Shtatë ishte veçanërisht aktiv në zonën kufitare midis Malit të Zi dhe Kosovës e Shqipërisë./Rse/

Kosova sërish në propagandën e Moskës – Medvedev përmend njohjen e Kosovës dhe kërcënon Perendimin për “pasoja”
Zgjedhjet që trembin Vuçiqin: Premtime për votuesit, skenarë destabilizimi pas kutive të votimit
OKUPIMI RUS PA ASNJË USHTAR: Si u bë Serbia një poligon për operacionet hibride të Putinit?
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut dezinformon: Përmirësimin e sigurisë në urën e Ibrit e paraqet si “represion” ndaj serbëve
Kur propaganda klonon të vërtetën: Si po shndërrohet Ballkani në fushëbetejën e re të dezinformimit
Përpjekjet e dështuara të Serbisë për spiunazh në Kosovë